Pas një serie të rezultateve të dobëta, të shtunën në Strugë mirëpresim Gostivarin, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Në këtë ndeshje debutimin e tij si kryetrajner, do ta ketë Meriton Gega, i cili deri më tani luante rolin e ndihmësit të parë të Shpëtim Duros….
Të shtunën në terren vendas, para publikut tonë do të mirëpresim Gostivarin, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Në të njëjtën, debutimin e tij si kryetrajner do ta bëjë, Meriton Gega, i cili deri më tani luante rolin e ndihmësit të parë të Shpëtim Duros.
Pa dyshim, Gega e njeh mirë skuadrën dhe i njëjti pritet të vendos për formacionin më të mirë, që pritet të na sjellë fitoren me shumë vlera.
“Normalisht si skuadër shkojmë për të fituar 3 pikët e plota, edhe pse duhet pranuar se Gostivari ka një skuadër shumë cilësore. Jemi në përparësi që luajmë para publikut tonë, që pritet të na japin përkrahjen e duhur. Fitorja them se është e domosdoshme, jemi përgatitur mirë gjatë këtyre dy ditëve dhe mendoj se në fushë do të zbresim me lojtarët më të përgatitur” – u shpreh fillimisht Meriton Gega.
Dy disfatat e njëpasnjëshme, sidomos kur kemi parasysh avantazhin që kishim, si ndaj Sileksit në Strugë dhe Tikveshit në Kavadar, kanë ndikuar te skuadra, mirëpo falë lojtarëve me shumë eksperiencë, Gega beson se Struga Trim Lum ka forcë për ta tejkaluar edhe këtë situatë të palakmueshme, që në fund mund të rezultojë në festë për skuadrën tonë.
“Jemi ndoshta në një situatë jo të mirë psikologjike pas atyre dy disfatave të njëpasnjëshme, ku duheshe të marrim pikë, e që më pas rezultoi edhe me ndërrimin e trajnerit, mirëpo gjitha këto janë pjesë e futbollit. Më gëzon fakti se në skuadër kemi lojtar shumë cilësorë dhe me përvojë të madhe, ashtu që falë tyre dhe kontributit që pritet të japin dhe ta reflektojnë edhe te e gjithë skuadra, besoj se në fund do t’ia arrijmë qëllimit” – përfundoi Gega.
Ndeshja e së shtunës kundër Gostivarit starton në ora 17:00, ndërsa drejtësinë në të njëjtën do e ndajë arbitri Marjan Mlladenovski nga Shkupi.