Shpëtim Duro: Fitore e merituar ndaj Vardarit

Fitorja e sotme 4:0 ndaj Vardarit ka lënë të kënaqur trajnerin Shpëtim Duro, kjo për më tepër që skuadra sot bëri edhe pa dyshen titullare në mbrojtje, Sava Radiç dhe Besart Krivanjeva.

Që të dy ankoheshin në lëndime të lehta, ashtu që Duro nuk deshi të rrezikojë asgjë, duke mbuluar mungesën e tyre me lojtar të tjerë. Sa i përket repartit të sulmit, aty ishim të plotë, me Radeskin, Ibraimin dhe Mazrekajn, me këta dy të fundit që edhe arritën të shënojnë.

“Fitore e merituar, pavarësisht se nuk shënuam gjatë pjesës së parë ku kemi humbur 4-5 raste të sigurta për gol, isha i bindur se do të shënonim. Skuadra funksionoi shumë mirë edhe në pjesën e parë, por në pjesën e dytë, pas golit të parë, çdo gjë ishte në kontrollin tonë dhe në fund arritëm atë që deshëm”. –  u shpreh fillimisht trajneri Shpëtim Duro, i cili foli edhe për performancën e futbollistëve të rinj, si Hadis Tairi, Hristijan Georgievski dhe Bekim Kamberi.

“Kemi shumë futbollistë të rinj që kam aktivizuar këtë muaj. Tre futbollistë të rinj si Hadis Tairi 18-vjeçar, Hristijan Georgievski 20-vjeç dhe Bekim Kamberi 18-vjeç, pra janë tre futbollistë që po tregojnë se kanë cilësi dhe kanë forcuar organikën e skuadrës” – shprehet Duro.

Struga Trim Lum ka shumë alternativa në sulm, sidomos me ardhjen e Compaore së fundmi. Sulmuesi nga Burkina Faso nga ndeshja në ndeshje po tregon se ka kualitet dhe se do të ndihmojë skuadrën në vazhdimësi, njëjtë sikurse edhe shtatëlarti, Senad Jaroviç.

“Kemi shumë alternativa në sulm si Bassirou Compaore, një lojtar i jashtëzakonshëm, e kemi futur gradualisht në lojë, sepse ka ardhur me vonesë, shtatëlarti Jaroviç, por gjithmonë bazë e skuadrës janë Radeski me Ibraimin, mund të them se janë lojtar që zgjidhin çdo gjë” – deklaroi Duro, i cili shkurtimisht foli edhe për ndeshjen e së dielës kundër Shkëndijës.

“Në fundjavë e presim Shkëndijën, jemi rival të fortë me këtë skuadër, por gjithsesi edhe me FC Shkupin, ashtu që besoj se ndeshja e së dielës kundër skuadrës tetovare do të jetë shumë interesante.” – përfundoi Shpëtim Duro.