Sezonin e ri e nisëm me këmbë të mbarë, fitore e pastërt ndaj Gostivarit

Sezonin e ri në elitën e futbollit vendor e nisëm me stil kampioni, pasi fitoren nuk e diskutuam në asnjë moment përballë skuadrës së Gostivarit.

2:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në qytetin e bukur të Strugës, aty ku sot në tribuna të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm i tifozëve.

Tentativën e parë e regjstrojmë në minutën e 17-të, kur Zguro me të majtën e tij tentoi nga krahu i preferuar i tij, mirëpo topi përfundoi vetëm jashtë kuadrantit.

Rastin më të mirë për të shënuar golin e parë në këtë takim e pati Besmir Bojku në minutën e 19-të, kur mjaft mirë pranoi një top brenda zonës, mirëpo nga afërsia nuk arriti që të mposhtë portierin mysafir, i cili devijoi topin deri te këmbët e Vangjel Zguro, mirëpo ky i fundit gaboi në tentativën për të shënuar me një goditje të furrishme nga afërsia.

Këto dy raste paralajmëruan golin e parë, që erdhi në minutën e 22-të. Besart Ibraimi ekzekutoi një goditje dënimi nga e djathta, aty ku portieri Vasilev vetëm sa devijoi topin deri te këmbët e Marjan Radeskit, i cili nuk fali dhe me një goditje precize, i ndihmuar edhe nga kapiteni i Gostivarit, Abdullah, shënoi për 1:0.

Deri në mbyllje të pjesës së parë, regjistruam edhe nga një tentativë për të dyja skuadrat, me Gostivarin, që për herë të parë u kanos në minutën e 40-të.

Pjesën e dytë, trajneri Shpëtim Duro e nisi me një zëvendësim. Në lojë inkuadroi Mentor Mazrekajn, ndërsa në bankinë la autorin e golit, Marjan Radeski.

Pikërisht rezervisti Mazrekaj kishte tentativën e parë për të shënuar në pjesën e dytë, kur goditi nga gjuajtja e lirë, thellë nga krahu i majtë, duke vënë në vështirësi portierin mysafir.

Momentet më interesante në këtë pjesë ndodhën fare në fund të takimit, kur falë të disponueshmit dhe të palodhshmit, Bunjamin Shabani, rrezikuam seriozisht portën kundërshtare. Ishte vetë kapiteni, ai i cili në minutën e 89-të, ndoshta edhe kërkoi shumë, duke tejkaluar edhe portierin kundërshtarë, mirëpo që për fat të keq nuk arriti të gjejë rrjetën, pasi ishte njëri prej futbollistëve mysafir që kreu punën e portierit Vasilev dhe nuk lejoi dyfishimin e rezultatit.

Në të njëjtin aksion, u kanos edhe Jaroviç, mirëpo pa sukses.

Megjithatë atë që nuk e bëri në aksionin paraprak, sulmuesi boshnjak me pasaportë gjermane, Senad Jaroviç, e bëri në aksionin e rradhës, më saktësisht në minutën e 91-të, kur nuk e kishte të vështirë të shënojë nga afërsia, pas pasimit perfekt të Vangjel Zguros nga e majta.

Në fund fitore më se e merituar për skuadrën tonë, që vazhdon të mbetet e para edhe në sezonin e ri. Aty ku e lamë, aty jemi sërish, në pozitën e parë, vetëm pas xhiros së parë.

_______________________________________________________________________________________________

LPFMV – Sezoni 2023/24 | Java 1

Stadiumi i Qytetit Strugë: 2000 shikues

FT | STRUGA TRIM LUM – GOSTIVARI 2:0

⚽️ M. Radeski 22’

⚽️ S. Jaroviç 90+1’ (Zguro as.)

Formacioni: V. Qoshevski, M. Neziri, S. Radiç, B. Krivanjeva, H.Ukpa (E. Maliqi), B. Bojku, J. Kaba (H. Tairi), V. Zguro; B.Shabani (A. Kasami), M. Radeski (M. Mazrekaj), B. Ibraimi (S. Jaroviç).  

________________________________________________________________________________________________

Ndeshja në mënyrë kronologjike:

Min1. Startoi ndeshja

Min 17. Zguro nga e majta tentoi me këmbën e tij të majtë, mirëpo topi shkoj skaj shtytllës pingule të portierit mysafir

Min 19, Ibraimi nga e djathta për mrrekulli gjeti Bojkun brenda zonës kundërshtare, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtarë, ndërsa në plan të dytë topi i devijuar deri te këmbët e Zguros, nuk u shfrytëzua, pasi ky i fundit goditi lartë mbi portë

GOOOOOOOL….Min 22, Ibraimi harkoi nga gjuajtja e lirë brenda zonës kundërshtare, aty ku portieri mysafir grushtoi topin, mirëpo vetëm deri te këmbët e Radeskit, i cili nuk fali dhe kaloi në epërsi Struga Trim Lum

Min 39, aksion i bukur i tanëve me shumë pasime, me Shabanin që pason për Bojkun që kërkonte të godiste, mirëpo në fund u vendos për Ukpa brenda zonës, i cili nuk arriti që të gjejë asnjërin prej bashkëlojtarëve të tij

Min 40, mysafirët tentuan portën për herë të parë, mirëpo në vendin e duhur ishte portieri, Qoshevski

_________________________________________________________________________________________________

Min 45. Starton pjesa e dytë

Min 45. Në lojë inkuadrohet Mentor Mazrekaj në vend të Marjan Radeskit

Min 60. Mentor Mazrekaj goditi direkt nga gjuajtja e lirë, thellë nga krahu i majtë, mirëpo me një intervenim të suksesshëm portieri Vasilev, nuk lejoi ndryshim të rezultatit

Min 64, Besart Ibraimi largohet nga loja, në vend të tij, Senad Jaroviç

Min 73, Ukpa mjaft mirë u lirua nga një futbollistë i Gostivarit brenda zonës kundërshtare, mirëpo finalizimi ishte shumë i dobët

Min 75, nga loja largohen Ukpa dhe Kaba, në lojë inkuadrohen Hadis Tairi dhe Edis Maliqi

Min 89, Bunjamin Shabani edhe pse tejkaloi edhe portierin kundërshtarë, nuk arriti të shënojë, pasi njëri prej mbrojtësve të Gostivarit luajti rolin e portierit duke evituar golin e dytë. Po në të njëjtin aksion, u orvat edhe Senad Jaroviç, mirëpo nuk arriti të shënojë

GOOOOOOOOL…..Min 90+1, Megjithatë atë që nuk e bëri në aksion paraprak, Jaroviç e bëri në aksionin e rradhës, kur nga afërsia shënoi për 2:0, pas pasimit të saktë të Zguro

Min 90+2, Duro bënë edhe zëvendësimin e fundit, në lojë inkuadrohet Ard Kasami, nga loja largohet kapiteni Bunjamin Shabani