Senad Jaroviç: Të luash në një skuadër kampione është gjë e madhe

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit boshnjak me pasaportë gjermane, Senad Jaroviç. Bëhet fjalë për një sulmues shtatëlartë, i cili së fundmi kishte luajtur në Rumani, me skuadrën e Minaur.

25-vjeçari me ekipin tonë firmosi kontratë dy vjeçare, ndërsa i njëjti u prezantua nga Drejtori Sportiv, Besart Isaku. Menjëherë pas dite Jaroviç ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me ekipin.

Ai u shpreh i kënaqur me ardhjen e tij te Struga Trim Lum, duke theksuar dëshirën e tij të fortë për të fituar simpatinë e tifozëve strugan me paraqitjet e tij në terren.

Si erdhi deri te ky transferim te Struga Trim Lum?

“Realisht kisha oferta edhe nga Rumania, por më pas më erdhi një ofertë nga Struga Trim Lum, që nuk mund ta refuzoja. Të luash me një skuadër kampione, është gjë e madhe, ndaj dhe pa shumë hamendje zgjodha të luaj për Struga Trim Lum”.

Sa keni njohuri për kampionatin e Maqedonisë?

“Unë i njoh disa nga skuadrat këtu, për shkak të miqve të mi që kanë luajtur më parë në Maqedoni, kështu që di disa gjëra për kampionatin”.

Luani sulmues dhe nga ju kërkohen gola, premtoni një gjë të tillë për tifozët e Struga Trim Lum?

“Do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin me shënimin e golave, mirëpo mendoj se më e rëndësishme është që të fitojmë si skuadër dhe të luajmë futboll të mirë, por gjithsesi se jam i sigurtë se do të shënoj edhe gola dhe do ti gëzojë tifozët strugan”.

Njeh ndonjërin prej futbollistëve të Struga Trim Lum…si ju priti ekipi?

“Personalisht nuk njoh ndonjë lojtar këtu, por i njoh Besart Ibrahimin dhe Sava Radiçin, pasi më parë kam luajtur kundër tyre. Mikpritja ishte shumë e mirë, ndaj shpresoj të adaptohem shpejtë këtu në këtë qytet të bukur dhe të arrijmë bashkë rezultate të mira”.

Si një boshnjak i lindur në Gjermani, karrierën e tij e kishte nisur te skuadrat e moshave të Unterrath, për të vijuar më pas tek të rinjët e Dyzeldorfit, ndërsa për herë të parë në Ballkan erdhi në vitin 2015, kur iu bashkua skuadrës U19 të Domzhale.

3 vite më pas, nga kampionati slloven si lojtar profesionist u transferua në Sllovaki te skuadra e Spartak Trnava.

Jaroviç nga viti 2018, deri fillimin e vitit 2021 provoi veten mes Sllovakisë dhe Danimarkës, duke luajtur me Sonderjyske, Zlate Moravce dhe SFK Sered.

Pasoi një aventurë 6 mujore te skuadra e Radomlje në Slloveni, nga e cila skuadër verën e vitit 2021 u transferua në Rumani te skuadra e Petrolul Ploieshti.

Në vendlindjen e të parëve të tij, Jaroviç u transferua verën e vitit 2022, duke pranuar ofertën e Sloboda Tuzla, nga e cila skuadër ishte transferuar sërish në Rumani, këtë herë te skuadra e Minaur.

Ndryshe gjatë karrierës së tij profesioniste, Jaroviç numëron 150 ndeshje dhe 37 gola.