RAPORTI I NDESHJES | VOSKA SPORT – STRUGA TRIM LUM 1:1

Barazim 1:1 kundër ekipit të Voska Sport në Ohër, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 7-të në elitën e futbollit vendor. Ishte ky barazimi i dytë për Struga Trim Lum në këtë kampanjë, ku deri më tani kemi grumbulluar 11 pikë…

Edhe pse pritjet ishin më të mëdha nga takimi i sotëm kundër Voska Sport, në fund nuk arritëm më shumë se një barazim 1:1. Që të dy golat erdhën në pjesën e dytë, me ekipin kundërshtarë që na ndëshkoi në minutën e 49-të, kur dhuratën e Ilievskit në maksimum e shfrytëzoi ish futbollisti ynë, Abdylhadi Jahja, që në ato momente shënoi për 1:0, ndërsa golin e barazimit e gjetëm në minutën e 67-të me anë të Marjan Radeskit.

Për golashënuesin më të mirë të skuadrës gjatë edicionit të kaluar, ishte ky goli i parë në kampionat dhe i dyti në përgjithësi këtë edicion, pas atij kundër Slloga Vinica në kuadër të 1/16 së finales së Kupës.

PJESA E PARË

Futbollisti më i disponuar në rradhët tona doli të jetë Bassirou Comapore, që sot kishte marrë besimin e trajnerit Qatip Osmani që nga minuta e parë. I njëjti në tre raste rrezikoi portën kundërshtare, teksa ai momenti i minutës së 31-të ishte më i rrezikshmi, kur Kitanovski me një super intervenim nuk lejoi gëzimin e sulmuesit tonë.

Kështu pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

PJESA E DYTË

Pjesa e dytë nuk nisi mbarë për skuadrën tonë. Vetëm pas 5 minutave të kaluara në këtë pjesë, pranuam gol. I njëjti erdhi pas një gabimi të mbrojtësit tonë, Bojan Ilievski, i cili në tentativë për të pasuar drejt Sava Radiç, i dhuroi topin futbollistit kundërshtarë, Abdylhadi Jahja, i cili nuk fali dhe shënoi për 1:0.

Neve tentuam për tu kundërpërgjigjur me anë të Bekim Kamberit, i cili tentoi nga vija e 16-të metërshit, mirëpo në vendin e duhur ishte Kitanovski. I njëjti kishte fatin në anën e tij edhe në aksionin e rradhës, kur Radeski me kokë goditi vetëm skaj shtyllës.

Mirëpo Radeski nuk fali në minutën e 67-të, kur shfrytëzoi harkimin nga krahu i majtë dhe me kokë arriti të mposhtë portierin kundërshtarë.

Jevtoski në minutën e 76-të tentoi nga distanca, mirëpo topi përfundoi drejt në duart e portierit Kitanovski. Nuk kaloi shumë kohë dhe vetëm dy minuta më vonë, me anë të Compaore shpërdoruam rastin më të mirë për të kaluar për herë të parë në avantazh.

Sulmuesi nga Burkina Faso mjaft mirë goditi me kokë, mirëpo traverza ishte aleat i vendasve.

Ekipi vazhdoi të kërkonte golin e epërsisë deri në fund, teksa Comapore edhe njëherë tjetër doli në skenë, këtë herë në minutën e 89-të, kur kërceu më së larti në zonën kundërshtare, teksa goditjen e tij me kokë e pastroi njëri nga mbrojtësit vendas.

I fundit që tentoi për ti siguruar fitoren skuadrës në këtë transfertë, ishte Stefan Spirovski, goditja e të cilit nga distanca përfundoi vetëm disa centimetra skaj shtyllës pingule.

Ishte ky rasti i fundit, ku skuadra tregoi shenja pozitive, sidomos në fazën ofenzive, aty ku skuadra duhet punuar edhe më shumë, pasi vetëm përmes sulmit dhe golave të shënuar mund të shpresojmë për më shumë në ndeshjet vijuese.

Kundërshtari ynë i rradhës do të jetë lideri aktual, KF Gostivari, ndeshje kjo që në program është të dielën e 29 shtatorit.

________________________________________________________________________________________________________________

LIGA E PARË E MAQEDONISË

JAVA 7

VOSKA SPORT – STRUGA TRIM LUM  1:1

Autorë i golit: M. Radeski (67’)

Stadiumi: Burimet e Biljanës – Ohër

Shikues: 1000

Arbitër Kryesor: Stojan Trpçevski

Kartonë të verdhë: A. Dadet, B. Iseni (Voska Sport) – S. Jevtoski, B. Ilievski, B. Compaore, Sh. Zenku

________________________________________________________________________________________________________________

FORMACIONET:

VOSKA SPORT

K. Kitanovski, A. Iljazi, A. Hani, A. Dadet, B. Iseni, A. Riçkov, T. Kitanovski, C. Osei, A. Jahja, D. Ibrahimi, G. Tenlep;

Trajner: Seit KREKA

STRUGA TRIM LUM

V. Qoshevski, B. Ilievski (F. Tairi 63’), S. Radiç, N. Vlajkoviç, S. Spirovski, M. Takahara, A. Kasami, S. Jevtoski (A. Vosha 81’), B. Kamberi (Sh. Zenku 81’), B. Compaore, M. Radeski;

Trajner: Qatip OSMANI