RAPORTI I NDESHJES, STRUGA TRIM LUM – VOSKA SPORT 3:1

Një fitore tjetër për skuadrën tonë, e katërta me rradhë, që erdhi vetëm në pjesën e dytë. Pas pjesës së parë pa gola, në fund skuadra jonë shënoi fitore 3:1 përballë Voska Sport, duke regjistruar kështu fitoren e tretë nga po aq ndeshje këtë edicion në Ligën e Parë ndaj këtij rivali…

GJITHÇKA QË NDODHI NË NDESHJEN E SOTME:

  • Në prag të takimit, drejtuesit e skuadrës i dhuruan fanellën me numrin 500, që asocon me ndeshjet zyrtare si trajner.
  • Një pjesë e parë jo dhe aq interesante, që pavarësisht disa rasteve nuk prodhoi gola
  • Pjesën e dytë e nisëm vrrullshëm, brenda çerekut të parë realizojmë dy gola
  • Ibraimi ishte i pandalshëm për mbrojtjen mysafire, e cila duhet ti falënderohet portierit të saj, Zahov që me intervenime të shkëlqyeshme shpëtonte skuadrën e tij
  • Voska Sport bëhet skuadra e dytë ndaj së cilës shënon Hogan UKPA. Deri më tani mesfushori ynë kishte shënuar 3 gola vetëm ndaj Bregallnicës

Ka vazhduar ecuria pozitive e skuadrës tonë, që sot përballë Voska Sport regjistroi edhe fitoren e katërt të njëpasnjëshme dhe gjithsej të 17-tën këtë edicion në Ligën e Parë. 3:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i takimit të sotëm të zhvilluar në Strugë, me Besart Ibraimin që realizoi një dy golësh, derisa një gol tjetër shtoi edhe Hogan Ukpa.

Ishte ky goli i katërt gjithsej për Ukpan me fanellën e skuadrës së Struga Trim Lum, dhe i pari ndaj një skuadre ndryshe, nga ajo e Bregallnicës, ndaj së cilës deri më tani i kishte realizuar 3 gola tjerë.

Ndryshe, para fillimit të takimit, drejtuesit e skuadrës nderuan trajnerin Shpëtim Duro, që sot regjistroi ndeshjen e tij të 500-të zyrtare si kryetrajner dhe të 44-tën në krye të skuadrës tonë.

NDESHJA

I pari që u kanos në drejtim të portës kundërshtare, ishte Bassirou Compaore, i cili edhe pse doli i vetëm para portierit Zahov, nuk arriti të mposhtë këtë të fundit.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 7-të, ndërsa pas gjysmë ore lojë, Besart Ibraimi lëshoi një predhë të vërtetë, mirëpo Zahov me një intervenim të shkëlqyer nuk lejoi gëzimin e bomberit tonë.

Besart Krivanjeva pasi ndërpreu një aksion të mysafirëve në gjysmëfushën e tyre, me shumë optimizëm vendosi të godas nga një distancë e largët, mirëpo në fund morri vetëm duartokitjet e publikut dhe jo atë që e dëshironte edhe ai vetë, topin në rrjetën e Zahov, i cili bëri një intervenim të shkëlqyer edhe 4 minuta para fundit të pjesës së parë, kur ndali hovin e Besart Ibraimit, që paraprakisht kishte dhuruar magji me një lëvizje aty afër gjysmëfushës.

Zahov për herë të dytë doli fitues përballë ish shokut të tij të skuadrës te Shkëndija, mirëpo duhet theksuar se në këtë aksion, i njëjti kishte edhe ndihmën e Medin Bajramit, i cili pastroi një gol të sigurtë, duke evituar topin nga vija fatale e golit, pas goditjes së Marjan Radeskit në vazhdim të aksionit.

Pjesa e dytë nisi me një intensitet edhe më të lartë, ndërsa kjo dha rezultatin e duhur, pasi brenda 18 minutave jo të plota u shënuan tre gola. Pas ndërhyrjes ndaj Marjan Radeskit thellë në brendësi të zonës kundërshtare, arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë, ndërsa Ibraimi këtë herë nuk fali dhe në tentativën e tretë arriti që të mposhtë Zahov.

Ky i fundit kapituloi edhe në minutën e 60-të, kur pas harkimit të Ibraimit nga rivënia e këndit, topi arriti në shtyllën e dytë deri te Vlajkoviç, goditja e të cilit u devijua nga mbojtja mysafire, e cila megjithatë nuk arriti të ndalë goditjen e fuqishme të Hogan Ukpa, që në këtë mënyrë gjeti golin e parë këtë edicion me fanellën e Struga Trim Lum.

Nuk vonoi shumë dhe tre minuta më vonë, mysafirët me anë të Aleksa Marushiç gjetën golin e parë në këtë takim, në të cilin më pas në fushë pasoi një dominim i plotë i skuadrës tonë, që krijoi shumë raste shënimi.

Ende pa kaluar 60 sekonda të plota nga goli i Voska Sport, Marjan Radeski mund të shënonte golin e tretë në rrjetën e mysafirëve, po të ishte më i vëmendshëm, pas goditjes së tij nga afërsia.

Një harkim i Vlajkoviç vuri në mjaft vështirësi portierin Zahov, që ishte me fat në minutën e 73-të, pas tentativës së rradhës së Ibraimit në këtë ndeshje.

Në aksionin e rradhës gjithë vëmendjen morri dyshja Ibraimi-Shabani, mirëpo ky i fundit u mbulua mjaft mirë nga Zahov, që devijoi topin në rivënie nga këndi.

Pas ekzekutimit të së njëjtës, i rrezikshëm u shfaq edhe mbrojtësi Mexhit Neziri, ndërsa në minutën e 77-të, Zahov edhe njëherë tjetër doli fitues përballë Ibraimit, që kishte bërë gjithçka mirë në zonën kundërshtare.

Pas gjithë këtyre rasteve të krijuara para portës kundërshtare, në minutën e 80-të erdhi edhe goli i tretë, kjo falë edhe zgjuarsisë së Hadis Tairit, i cili ishte transferuar në gjysmëfushën kundërshtare, duke përcjellë një diagonale të portierit Zahov, i cili më pas u mposht edhe njëherë tjetër nga bomber ynë, Besart Ibraimi.

Ky i fundit kishte kombinuar me Radeskin, për të realizuar golin e dytë në këtë takim dhe të 9-tin gjithsej këtë edicion.

Pas këtij goli pasuan tre zëvendësime të njëpasnjëshme, me trajnerin Duro që vendosi të pushojë Ibraimin, për ti dhënë mundësi Shaban Zenkut, ndërsa gjithashtu në lojë inkuadroi edhe Flamur Tairin në vend të Hogan Ukpa dhe Bekim Kamberin në vend të Bunjamin Shabanit.

Deri në fund të takimit regjistrojmë edhe një super aksion, ku në qendër të vëmendjes ishte treshja, Tairi-Zenku-Radeski, goditjen e të cilit në mënyrë bravuroze e ndali portieri Zahov, duke mos i lejuar golin e 13-të sezonal.

Me këtë fitore, të cilën i’a dedikojmë Besmir Bojkut, vazhdojmë të ruajmë pozitën e parë në tabelën e klasifikimit, aty ku numërojmë 54 pikë, 3 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë.