RAPORTI I NDESHJES | STRUGA TRIM LUM – VOSKA SPORT 2:1

Hristijan Maleski morri gjithë vëmendjen në takimin e sotëm të javës së fundit të stinorit vjeshtorë, duke shënuar që të dy golat në fitoren 2:1 ndaj Voska Sport. Për 22-vjeçarin, ishin këto golat e parë të këtij sezoni…

Goditja e mirë me kokë e Hristijan Maleskit në fillimin e pjesës së parë dhe një gol tjetër nga ana e tij në minutën e 84-të, bënë që neve të dalim fitues përballë fqinjëve të Voska Sport në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë, që u zhvillua në një stadium të lagësht dhe me erë.

Triumfi 2:1 doli të jetë i vështirë, por njëherit edhe dëshmoi forëm e mirë të skuadrës në ndeshjet si vendas, ku arritëm fitoren e tretë të njëpasnjëshme.

Ndryshe ishte kjo fitorja e 6-të në sfidat që kemi zhvilluar këtu në Strugë, aty ku për fat të keq, si asnjëherë më parë, jemi mposhtur dy herë vetëm brenda pjesës së parë të sezonit.

NDESHJA

Hristijan Maleski pasi ishte paraqitur në 6 ndeshje këtë edicion si zëvendësues, sot e pa veten në formacionin e parë në një ndeshje zyrtare të kampionatit.

22-vjeçari ishte një nga dy ndryshimet në formacionin bazë, për dallim nga ai i së martës kundër FC Shkupit në transfertë, me Ard Kasamin e përfshirë sërish në formacion, që ndeshjen paraprake pauzoi për shkak kartonëve.

Ndryshe ndeshja e sotme për Maleskin, ishte e 45-ta me fanellën e Struga Trim Lum në Ligën e Parë, të cilën e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Maleski vetëm pas 6 minutave lojë, në aksionin tonë të parë më serioz drejt portës kundërshtare, arriti që të shënojë, kur mjaft mirë u shërbye nga Vlajkoviç nga krahu i djathtë.

Ky gol i shënuar në fazën e hershme reflektoi mirë te skuadra, që me mjaft qetësi mbante nën kontroll lojën, edhe pse një periudhë bukur të mirë nuk rrezikuam portën kundërshtare më seriozisht.
Marjan Radeski provoi të tund rrjetën mysafire në minutën e 35-të, mirëpo goditjen e tij nga brendia e zonës me mjaft sukses e ndali portieri Kitanovski.

Maleski u shfaq i rrezikshëm edhe njëherë tjetër me goditjet e tij me kokë, këtë herë pas harkimit të Kehinde nga krahu i majtë, mirëpo duke mos arritur cakun e duhur. Maleski kërkohej vazhdimisht para zonës kundërshtare, teksa i njëjti ishte shumë pranë golit, këtë herë në minutën e 41-të, kur Vlajkoviç kishte pasur për tokë për të, mirëpo Maleski nuk arriti të prek topin, ndërsa shumë pak mungonte që mysafirët të shënonin autogol.

Me këtë presion në çerekun e fundit të pjesës së parë, u mbyll e njëjta, teksa në 45 minutat e dyta sërish ishim ne që kontrollonim fushën.

Spirovski ishte futbollisti i parë që rrezikoi në këtë pjesë, mirëpo pa shumë probleme për Kitanovskin, që priti topin në duart e tij, pas goditjes së dënimit.

Linja, Vlajkoviç – Maleski, vazhdoi të jetë aktive edhe në pjesën e dytë, mirëpo e njëjta nuk prodhoi gol në minutën e 57-të.

Me një diagonale të gjatë në minutën e 65-të, Bojan Ilievski mjaft mirë gjeti para zonës kundërshtarë sulmuesin Kehinde, mirëpo ky i fundit nuk u gjind më së miri para mbrojtësve kundërshtarë.

Vetë Vlajkoviç me mjaft dinakëri tentoi të shënojë në minutën e 74-të, kur nga mbrapa tentoi të ndëshkojë pakujdesinë e mbrojtësit kundërshtarë, Antonio Ilieskit, mirëpo portieri Kitanovski i mohoi golin, duke devijuar topin në rivënie nga këndi.

Një gol vazhdoi të na ndante edhe më tej, derisa takimi po futej në fazën e saj të fundit. PIkërisht 10 minutëshi i fundit prodhoi shumë emocione, futboll të bukur dhe dy gola të shënuar, nga një në secilën anë.

Ishin mysafirët që na ndëshkuan të parët në minutën e 80-të, kur ganezi Klinton Osei, shënoi një gol të bukur nga vija e 16-të metërshit, ndërsa të njëjtit shumë shpejtë iu kundërpërgjigjë, Hristijan Maleski, me golin e dytë personal të realizuar në minutën e 84-të.

Sulmuesi ynë përfitoi nga një devijim i portierit Kitanovski, që kishte ndalur goditjen e Spirovskit nga distanca, mirëpo jo edhe të Maleskit, që në ato momente festoi çmendurisht golin së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.

Në fund fitore me shumë peshë, që na jep shpresa dhe vetëbesim për të luftuar edhe më fuqishëm në stinorin pranveror, kur gjithçka nisim me ndeshjen në transfertë kundër Gostivarit, që në program do të jetë me 16 shkurt të vitit që po na vjen (2025).

_______________________________________________________________________________________________________________

LIGA E PARË E MAQEDONISë, Java 18

STRUGA TRIM LUM – VOSKA SPORT 2:1

Autorë të golave: Hristijan Maleski (6′, 84′) – C. Osei 82′ (Voska Sport)

Arbitër kryesor: Aleksandar Grujoski

Kartonë të verdhë: H. Maleski, M. Radeski, B. Ilievski (Struga Trim Lum) – G. Tenlep, Xh. Jahiji, D. Ibraimi (Voska Sport)

FORMACIONET:

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, B. Ilievski, A. Kasami, S. Radiç (K. Ristevski 32′), N. Vlajkoviç, Sh. Zenku (B. Kamberi 80′), S. Spirovski (S. Jevtoski 86′), H. Maleski (B. Comapore 86′), H. Ukpa, M. Radeski (A. Vosha 80′), L. Kehinde;

Trajner: Qatip OSMANI;

VOSKA SPORT: K. Kitanovski, A. Iljazi, L. Zhaku, A. Ilieski, B. Iseni, A. Dadet, T. Kitanovski, Xh. Jahiji, G. Telep, A. Riçkov, K. Larson;

Trajner; Seit Kreka;