Një gol i shënuar nga rezervisti Hristijan Maleski në minutën e 87-të na siguroi fitoren ndaj fqinjëve të Voska Sport në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në kampionat….
Fitore minimale, mirëpo me shumë peshë doli të jetë fitorja e sotme 1:0 ndaj Voska Sport. Për më tepër skuadra lidhi dy fitore të njëpasnjëshme pa asnjë gol të pranuar në kampionat, aty ku vazhdojmë të jemi në pozitën e 5-të, mirëpo më afër skuadrave të TOP4.
Ashtu edhe siç paralajmëroi trajneri Ilço Gjorgjioski, që ndeshjet ndaj kundërshtarëve të këtillë që luftojnë për mbijetesë, nuk do jenë të lehta, ashtu edhe ndodhi, pasi Voska Sport nuk ështe se na lejoi shumë hapësira, duke u mbrojtur në pjesën më të madhe të ndeshjes.
Në saje të një paraqitje të tillë, munguan edhe rastet, mirëpo për fat të mirë të skuadrës tonë, nuk mungoi goli, që erdhi në minutën e 87-të.

NDESHJA
Ndryshe, tentativën e parë serioze drejt portës së mysafirëve e regjistruam në minutën e 15-të, kur Stefan Spirovski tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo duke goditur vetëm në murin e gjallë, derisa në vazhdim të aksionit, goditja e Ilievskit përfundoi vetëm jashtë kuadratit.
Rastin më të mirë gjatë 45 minutave të para e regjistrojmë në minutën e 21-të, kur pas një aksioni të rrjedhshëm, kapiteni Bunjamin Shabani pasoi për Hamzën e vetmuar në krahun e djathtë të zonës kundërshtare, mirëpo majta e tij përfundoi vetëm në duart e portierit kundërshtarë.
Hamza tentoi edhe në aksionin e rradhës, mirëpo e majta e tij sërish nuk dha frytin e duhur.
Njëjtë sikurse gjatë pjesës së parë, edhe në pjesën e dytë skuadra e Struga Trim Lum kishte inciativën dhe tentonte golin, mirëpo pa arritur të finalizojë ndonjë nga rastet para portës së Baboucarr.

Ky i fundit kishte shumë fat në minutën e 83-të, kur Zenku mjaft mirë gjeti brenda zonës sulmuesin Kehinde, goditja e të cilit me kokë për disa centimetra përfundoi jashtë kuadratit.
Momenti më i bukur i takimit ndodhi në minutën e 87-të, kur dy rezervistët, Jevtoski dhe Maleski, gatuan golin e fitores. Stefan Jevtoski lëshoi një goditje të fuqishme nga një distancë prej më shumë se 30 metrash, ndërsa topin e devijuar nga portieri mysafir, në maksimum e shfrytëzoi Maleski, që nga afërsia me shumë dinakëri vendosi topin në rrjetën e Voska Sport, duke i siguruar kështu fitoren e 11-të sezonale skuadrës së Struga Trim Lum.
Fitore e vështirë, por më se e merituar për djemtë tanë që duam të vazhdojnë në këtë mënyrë, duke mos u dorëzuar deri në fund.
Dy fitoret e njëpasnjëshme le të jenë një sinal për t’i dhënë vetes një fund të bukur të sezonit dhe për të marrë një kënaqësi të re, që në fundjavën e ardhshme, kur në Gostivar do të përballemi me Besën e Dobërdollit.
LPFMV | Java 23
STRUGA TRIM LUM – VOSKA SPORT 1:0
Autorë i golit: Hristijan Maleski (87’)
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 1500
Arbitër kryesor: Jovan Kaçevski
Kartonë të verdhë: B. Ilievski, S. Jevtoski, L. Kehinde (Struga Trim Lum) – A. Dadet, H. Dragarski, G. Tenlep (Voska Sport)
FORMACIONET:
STRUGA TRIM LUM: H. Stevkovski, B. Ilievski, S. Radiç, B. Krivanjeva, P. Fall, S. Spirovski (S. Jevtoski 77′), H. Ukpa, B. Bojku (H. Maleski 67′), B. Shabani, M. Hamza (Sh. Zenku 77′), M. Radeski (L,. Kehinde 61′);
Trajner: Ilço GJORGJOSKI;
VOSKA SPORT: G. Baboucarr, A. Iljazi, H. Dragarski, A. Dadet, B. Iseni, T. Kitanovski, G. Tenlep, Xh. Jahiji, C. Osei, D. Ibrahimi, T. Vinogradac;
Trajner: Klodian ARBRI;