RAPORTI I NDESHJES, STRUGA TRIM LUM – VARDAR 4:0

Pas pjesës së parë pa gola, skuadra tregoi fytyrën e vërtetë gjatë pjesës së dytë, kur arritëm të shënojmë plotë 4 gola…

Struga Trim Lum ka regjistruar fitore 4:0 në ndeshjen e mbetur të javës së pestë në elitën e futbollit vendor. Që të gjithë 4 golat skuadra jonë i realizoi gjatë pjesës së dytë, pavarësisht se edhe pjesa e parë kaloi në dominim të plotë nga ana e djemve të Shpëtim Duros.

Ky i fundit ishte i detyruar që të nis ndeshjen pa dyshen mbrojtëse Krivanjeva-Radiç, jo ende të rikuperuar plotësisht, derisa për shkak kartonit të kuq mungoi Hogan Ukpa.

Kështu treshja mbrojtëse sot u ndërtua nga Kasami-Neziri-Zguro, që manevronin para portierit Qoshevski. Në mesfushë, Maliqi dhe Hadis Tairi vepronin në krahë, derisa në mes dyshja standarde, Bojku-Shabani, që edhe njëherë tjetër zhvilluan një super ndeshje.

Sa i përket sulmit, aty gjërat nuk ndryshuan, me Radeskin-Ibraimin dhe Mazrekajn.

Pikërisht këta dy të fundit arritën të regjistrohen në listën e golashënuesve, bashkë edhe me dy rezervistët, Tairi dhe Jaroviç.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht dominimit të plotë dhe disa rasteve të krijuara para portës kundërshtare. Kështu pjesën e dytë skuadra e morri shumë më seriozisht, duke rrezikuar portën dy herë brenda dy minutave të para me anë të Mentor Mazrekajt dhe Hadis Tairit.

I rradhës që u kanos, ishte Bassirou Compaore, i cili u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë në vend të Ard Kasamit. Një veprim ky i bukur i trajnerit, që me inkuadrimin e sulmuesit nga Burkina Faso, bëri të qartë që skuadra do të jetë më ofenzive dhe se me çdo kusht do të kërkojë golin, i cili erdhi në minutën e 56-të.

Bojku duke parë renditjen e futbollistëve kundërshtarë para golit të tyre, me mjaft shpejtësi ekzekutoi rivënien me duar, duke gjetur  Shabanin, i cili mu në momentin e duhur pasoi për Ibraimin brenda zonës, që me mjaft mjeshtëri shënon për 1:0.

Ishte ky një ndër golat më të bukur të Ibraimit këtë edicion, pasi të njëjtin e realizoi me mjaft klas dhe mençuri. Ai fillimisht u lirua nga mbrojtësi Brdarovski, që më pas të dalë fitues përballë Gaçevskit, i cili thjesht nuk arriti të ndalte golin numër 6 të Ibraimit këtë edicion.

Ibraimi edhe në aksionin e rradhës u tregua i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo këtë herë bomberi ynë ishte në pozitë jashtëloje. Mirëpo nuk vonoi shumë dhe në minutën e 74-të, skuadra jonë dyfishoi epërsinë në 2:0, falë një aksioni model.

Gjithçka nisi nga këmbët e Bojkut, i cili ndërpreu një aksion të mysafirëve që para zonës tonë, ndërsa pas disa kombinimeve të sakta, e gjithë kjo u finalizua me golin e Mazrekajt dhe asistin e Ibraimit aty brenda zonës.

Epërsia prej dy golash në ato momente qetësoi edhe trajnerin Shpëtim Duro, i cili vendosi që në minutën e 78-të në lojë të inkuadrojë edhe tre futbollistë të rinj. Kështu në lojë u inkuadrua treshja Georgievski, Flamur Tairi dhe Jaroviç, derisa nga loja u largua treshja sulmuese, Mazrekaj, Ibraimi dhe Radeski.

Inkuadrimi i tyre në lojë, bëri që Compaore të jetë edhe me komod në vijën sulmuese, duke pasur parasysh se tashmë ishte Tairi dhe Georgievski që mendonin për detyrat difenzive. Kështu në minutën e 79-të, falë kombinimit të dyfishtë mes Compaore dhe Jaroviç, shumë pak mungonte që Flamur Tairi të shënonte edhe golin e tretë në rrjetën e Gaçevskit, i cili në këtë rast u tregua syçel.

Megjithatë, Gaçevski u dorëzua në aksionin e rradhës përballë treshes së njëjtë, Compaore-Jaroviç-Tairi, me këtë të fundit që arriti të shënojë falë zgjuarsisë dhe përcjelljes së aksionit, kur goditjen e Jaroviç, portieri mysafir arriti që ta ndalojë thuajse në vijën fatale, mirëpo jo edhe goditjen përfundimtare të Flamur Tairit, i cili në këtë mënyrë rikthehet tek goli pas dy viteve e gjysmë.

Rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Struga Trim Lum 4, Vardari 0, e vendosi rezervisti tjetër, Senad Jaroviç, në minutën e tretë të kohës shtesë, sërish falë një aksioni të bukur dhe të rrjedhshëm të skuadrës tonë, që i parapriu një harkim nga e djathta nga ana e Abdylhadi Jahja (I inkuadruar në lojë në minutën e 82-të) dhe tentativën e Compaore, i cili goditi drejt në portierin kundërshtarë, me ç’rast topi i devijuar përfundoi në këmbët e Jaroviç, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e mysafirëve nga Shkupi dhe të dytin personal këtë edicion.

Të dielën sërish në Strugë do të jemi nikoqir të Shkëndijës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të në Ligën e Parë, aty ku vazhdojmë të qëndrojmë në pozitën e tretë, mirëpo këtë herë me vetëm një pikë se dy skuadrat kryesuese, FC Shkupi dhe Shkëndija.

_______________________________________________________________________________________________________________

FITORJA MË E THELLË NË DUELET NDAJ VARDARIT

Fitorja e sotme 4:0 ndaj Vardarit, ishte më e thella në  duelet e përbashkëta ndaj skuadrës me më shumë trofe në vendin tonë. Deri më tani skuadra jonë numëronte dy fitore, edhe atë të arritura me rezultat 2:1, gjegjësisht 1:0, ndërsa fitorja e sotme rezulton të jetë më e thella nga të dyja anët.

Deri më tani, ishte Vardari që mbante rekordin, pas asaj fitore 3:0, 14 shtatorin e vitit 2019 në ndeshjen tonë të parë zyrtare në elitën e futbollit vendor ndaj tyre.

Ndryshe, me fitoren e sotme, Struga Trim Lum numëron 3 fitore ndaj Vardarit, që në anën tjetër na ka mundur dy herë, derisa dy ndeshje janë mbyllur me barazime.  Tashmë edhe gol-averazhi flet në anën e skuadrës tonë, 10:8.

_______________________________________________________________________________________________________________

LPFMV | Java 5 (e mbetur)

01.11.2023

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 1000

STRUGA TRIM LUM – VARDARI 4:0

B. Ibraimi 56’, M.Mazrekaj 75’, F. Tairi 84’, S. Jaroviç 90+3’  

________________________________________________________________________________________________________________

Kartonë të verdhë:

Struga Trim Lum: B. Shabani

Vardari: V. Brdarovski

________________________________________________________________________________________________________________

FORMACIONET:

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, A. Kasami, M. Neziri, V. Zguro; E. Maliqi, B. Bojku, B. Shabani, H. Tairi; M. Radeski, B. Ibraimi, M. Mazrekaj

VARDARI: F. Gaçevski, V. Brdarovski, Papuli, Spasiq, Cvetkov, Doshev, Jusufi, Pedrinjo, Zdravkovski, Cvetanoski, Bilalli;

________________________________________________________________________________________________________________