RAPORTI I NDESHJES | STRUGA TRIM LUM – PELISTERI  1:0

Lanre Kehinde edhe njëherë tjetër shënon dhe ndihmon skuadrën për të arritur deri tek tre pikëshi i rradhës në kampionat…

Gjithmonë në kërkim të golave, Kehinde theu rezistencën e mysafirëve në pjesën e parë për t’i vendosur “bardhekuqtë” drejt një rrugëtimi të ri të fitoreve. Pelisteri ishte elastik dhe bënte sulme të herëpashershme në territorin e Struga Trim Lum, por Kehinde dhe Radeski arritën të thyejnë mbrojtjen mysafire, duke paralajmëruar fitoren e skuadrës tonë.

KEHINDE VAZHDON SERINË E GOLAVE

Super asisti i Marjan Radeskit për Lanre Kehinde në minutën e 17-të, bëri që nigeriani të shënojë një super gol, të cilin nuk do e ndalnin dot edhe 5 portierë të tjerë po të ishin në portën e Pelisterit.

Falë këtij goli, numri 9 i skuadrës tonë tashmë numëron 8 gola në kampionat, vetëm një më pak se kryesuesi Djordje Ivkoviç.

Rezultati 1:0 e bëri edhe më të vështirë lojën e Pelisterit, futbollistët e së cilës skuadër vraponin shumë, me qëllim që të prishnin lojën e zotërimit të futbollistëve tanë.

Mirëpo edhe përkundër dominimit që kishim në zotërim të topit, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund të pjesës së parë.

Jevtoski, Kehinde dhe Ukpa të gjithë bënë përpjekje për të shënuar edhe golin e dytë, mirëpo pa rezultat, kjo për shkak edhe të mungesës së efikasitetit, por edhe të portierit mysafir, i cili në minutën e 14-të me një super intervenim ndali festën e Hogan Ukpa, që lëshoi një predhë të vërtetë në nga një distancë prej 20 metrash.

Kësisoj pjesa e parë u mbyll me rezultatin minimal 1:0, kjo pasi në dy rastet e fundit në zonën kundërshtare nga Krivanjeva (27’) dhe Kehinde (35’), mungoi ai presioni përfundimtarë i yni për të shtyrë topin në rrjetë, edhe përkundër hapësirave të mjaftueshme që kishim.

PJESA E DYTË NUK DHUROI ASNJË GOL

Pjesa e dytë nisi me një tentativë të Hogan Ukpa, i cili provoi me një goditje nga jashtë zonës së 16-të metërshit, por edhe një solo aksioni të tij nga krahu i majtë, kur mysafirët intervenuan fare pranë portës së tyre, duke devijuar topin në rivënie nga këndi.

Me një goditje tjetër nga distanca, në skenë në minutën e 59-të doli edhe Kehinde, mirëpo mungoi preciziteti, ashtu që në fund duheshe të mbetemi të kënaqur me vetëm një gol të shënuar nga ana e nigerianit, që në këtë mënyrë po dëshmon se nga ndeshja në ndeshje po bëhet shumë më i rrezikshëm për portat kundërshtare.

Pra, një tjetër fitore për Struga Trim Lum këtë edicion, këtë herë kundër Pelisterit. 3 pikët e fituara sot na mbajnë në pozitën e njëjtë në renditje (5), mirëpo shumë pranë kreut, që njëherit është edhe synimi ynë kryesor.

Skuadra e Qatip Osmanit do të mbështetet nga kjo fitore, e cila mund të reflektojë edhe në fundjavë, kur në Shkup do të përballemi me skuadrën e FC Shkupit, me synimin për të vazhduar me fitore deri në mbyllje të pjesës së parë të sezonit 2024/25.

_______________________________________________________________________________________________________________

LIGA E PARË E MAQEDONISË, Java 16

STRUGA TRIM LUM – PELISTERI 1:0

Autorë i golit: Lanre Kehinde

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitre e takimit: Ivana Projkovska

Kartonë të verdhë: S. Spirovski, A. Kasami, N. Vlajkoviç (Struga Trim Lum) – F. Todoroski, F. Trajkoski, M. Ivanovski (Pelisteri)

FORMACIONET:

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, B. Ilievski, A. Kasami, B. Krivanjeva, S. Spirovski, N. Vlajkoviç, S. Jevtoski (S. Radiç 71’), H. Ukpa, Sh. Zenku (B. Kamberi 71’), M. Radeski (H. Maleski 90+’), L. Kehinde;

Trajner; Qatip OSMANI

PELISTERI: I. Petrovski, S. Kostov, D. Karçeski, A. Ristevski, H. Stojanovski, F. Todoroski, B. Georgiev, V. Kerim, V. Serafimovski, H. Talevski, M. Ivanovski;

Trajner; Vllatko Kostov;