Pësojmë disfatën e parë në ndeshjet si vendas këtë edicion në Ligën e Parë. Në një ndeshje pa shumë volum dhe raste për të shënuar u mundëm nga FC Shkupi…
Një ndeshje për tu harruar sa më shpejtë, ishte ndeshja e sotme e javës së 6-të kundër FC Shkupit, në të cilën pësuam disfatë 3:0. Këtë më së miri e pasqyroi edhe goli i hershëm i mysafirëve nga Shkupi, të cilët avansuan vetëm pas 6 minutave lojë, kur njeriu i ndeshjes Fabrice Tamba shfrytëzoi mos reagimin me kohë të mbrojtësve tanë dhe shënoi për 1:0.
Tentativën e parë në drejtim të portës kundërshtare e regjistrojmë në minutën e 18-të, kur Stefan Jevtoski tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo në vendin e duhur ishte portieri mysafir, Iljazi.
Pasuan edhe dy tentativa të tjera nga ana e Stefan Jevtoskit nga gjuajtja e lirë, mirëpo pa ndonjë rrezik më të madh para portës kundërshtare, ashtu që në pushim shkuam me disavantazh, 0:1.
Pjesën e dytë e nisëm me dy zëvendësime, mirëpo që nuk bënë ndryshimin e duhur. Shaban Zenku zëvendësoi Bekim Kamberin, ndërkohë Arbi Vosha u inkuadrua në vend të Stefan Spirovskit, i cili edhe sot nuk ishte në nivelin e duhur.
Që punët të na vështirësohen edhe më shumë, erdhi momenti i minutës së 51-të, kur Besart Krivanjeva u dëmtua dhe nuk ishte në gjendje për të vazhduar më tej. Në vend të tij në lojë u inkuadrua Kire Ristevski.
Pak shpresa se mund të bëjmë diçka më tepër në këtë ndeshje na dha minuta e 54-të, kur Lanre Kehinde me kokë vuri në mjaft vështirësi portierin kundërshtarë, i cili me gishtërinjët e tij arriti që të devijojë topin në rivënie nga këndi.
Ekipi vazhdonte të bënte terren në gjysmëfushën e kundërshtarit, mirëpo pa arritur që të rrezikojmë konkretisht, ndërsa në anën tjetër FC Shkupi përmes kundërzbritjeve të shpejta në disa raste na rrezikoi seriozisht, madje edhe duke na ndëshkuar.
Kështu në minutën e 73-të, Fabrice Tamba duke shfrytëzuar shpejtësinë e tij, pa probleme tejkaloi Risteskin, për të dalë i vetëm para Stevkoskit, të cilin e mposhti edhe për herë të dytë në këtë ndeshje.
Në anën tjetër ishte Kehinde, ai i cili tentoi për të rikthyer ekipin në lojë, mirëpo pa sukses, pasi lejoi që mbrojtja mysafire të reagojë, para se ai të godiste. Kehinde dhe Radeski nuk e lexuan mirë edhe harkimin e Bojan Ilievskit në minutën e 79-të, duke lënë që topi të kalonte pranë portës kundërshtare.
Në minutën e 85-të arbitri Pileshkov mesfushorit tonë Hogan Ukpa i tregoi edhe kartonin e dytë të verdhë, me ç’rast skuadra në ato momente mbeti me një lojtar më pak në fushë. Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më vonë, të njëjtin fat e pësoi edhe futbollisti kundërshtarë, Mihal Pinter, duke bërë që numerikisht në fushë të barazohemi shumë shpejtë.
Megjithatë asessi që të ishim të barabartë edhe në aspekt të rezultatit, i cili në minutën e 91-të doli të jetë edhe më i thellë, pas golit të tretë personal të sulmuesit senegalez, Tamba.
Pas 6 xhirove, mbetemi në kuotën e 10 pikëve, duke u renditur në pozitën e katërt. Në kuadër të javës së 7-të do të jemi mysafir në Ohër, për tu përballlur me Voska Sport. Kjo ndeshje në program është me datë 25 shtator (e mërkurë) me fillim në ora 15:00.
________________________________________________________________________________________________________________
LIGA E PARË E MAQEDONISË
STRUGA TRIM LUM – FC SHKUPI 0:3
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 2000
Arbitër Kryesor: Dimitar Pileshkov
Kartonë të verdhë: H. Ukpa, A. Kasami, S. Radiç, S. Jevtoski (Struga Trim Lum) – E. Liçina, F. Kadriu, Xh. Ibishi, C. Ansah, H. Ramani, M. Pinter
Kartonë të kuq: H. Ukpa – Struga Trim Lum (dy kartonë të verdhë) – M. Pinter – FC Shkupi (dy kartonë të verdhë)
FORMACIONET
Struga Trim Lum: H. Stevkovski, B. Ilievski (M. Takahara 85’), S. Radiç, B. Krivanjeva (K. Ristevski 51’), B. Kamberi (Sh.Zenku 46’) , A. Kasami ©, S. Spirovski (A. Vosha 45’), S. Jevtoski (B. Compaore 76’), H. Ukpa, M. Radeski, L. Kehinde;
FC Shkupi: A. Iljazi, F. Kadriu, N. Ajetoviq, E. Liçina, M. Pinter, C. Ansah, A. Diene, H. Ramani, Y. Kanda, Xh.Ibishi, F. Tamba;