RAPORTI I NDESHJES, RABOTNIÇKI – STRUGA TRIM LUM 2:0

Disfatë 2:0 ndaj Rabotniçkit në Shkup, ndaj së cilës skuadër në këtë mënyrë pësojmë disfatën e parë në ndeshjet në transfertë…

Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, erdhi disfata e parë në sezonin e ri, edhe atë nga skuadra e Rabotniçkit, ndaj së cilës skuadër deri më tani nuk dinim disfatë në ndeshjet në Shkup.

2:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë në favor të ekipit kundërshtarë, me të dy golat e shënuar që në pjesën e parë, kur edhe kishim më shumë raste për gol, se sa në pjesën e dytë. Edhe përkundër zëvendësimeve të shumta, rezultati nuk ndryshoi, ndërsa i vetmi që tentonte të bënte diçka më shumë gjatë 45 minutave të dyta, ishte Lanre Kehinde.

Sulmuesi nigerian në lojë u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë, njëjtë sikurse edhe Bekim Kamberi dhe Nikolla Vlajkoviç, i cili në ndeshjen e fundit këtu në Shkup kishte arritur të shënojë golin debutues me fanellën e Struga Trim Lum.

Ndryshe, tentativën e parë dhe më serioze në drejtim të portës kundërshtare e regjistruam në minutën e 18-të, kur Bojan Ilievski me të majtën e tij vendosi në mjaft vështirësi portierin vendas, që në ato momente devijoi topin në rivënie nga këndi.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më vonë, edhe një aksion tjetër i bukur nga ana e futbollistëve tanë, me Zenkun që kërkonte brenda 5-metërshit kapitenin Shabani, mirëpo para tij intervenoi portieri kundërshtarë, Aleksovski.

Pas këtyre dy rasteve të pashfrytëzuara, vendasit në minutën e 26-të me anë të Gandos shënuan golin e parë me një gjuajtje nga distanca, ndërsa edhe goli i dytë i tyre erdhi me një goditje nga largësia, këtë herë nga gjuajtja e lirë, kur Alomeroviq 5 minuta para fundit të pjesës së parë shënoi për 2:0.

Paraprakisht Hogan Ukpa shpërdoroi një rast të mirë, kur pas një slalomi tejkaloi thuajse tërë mbrojtjen e “romantikëve”, por jo edhe portierin Aleksovski, ndërkohë fare në fund Jevtoski goditi nga distanca, mirëpo goditjen e tij mjaft mirë e kishte lexuar portieri vendas, që nuk lejoi të mposhtet.

Pas një disavantazhi 2:0 gjatë pjesës së parë, zëvendësimet ishin të pashmangshme në fillimin e pjesës së dytë, derisa trajneri Qatip Osmani vendosi që nga loja të largojë Arbi Voshën, Shaban Zenkun dhe Bassirou Compaore, ndërsa në vendin e tyre në lojë u inkuadruan Vlajkoviç, Kamberi dhe Kehinde.

Ky i fundit doli të jetë më i rrezikshmi para portës kundërshtare, derisa tentativën e parë për të shënuar në pjesën e dytë e pati Marjan Radeski, i cili nuk arriti që të shënojë nga afërsia, duke lejuar për të intervenuar mbrojtësi kundërshtarë.

Deri në fund të takimit tentuam në tre raste për të gjetur golin përmes Kehinde, mirëpo i njëjti nuk kishte finalizimin e duhur, ashtu që në fund nga arena “Todor Proeski” u larguam me disfatë 2:0.

Ndeshjen e rradhës do ta zhvillojmë të shtunën në shtëpi kundër AP Brera nga Strumica.

________________________________________________________________________________________________________________

LPFMV – JAVA 3

RABOTNIÇKI – STRUGA TRIM LUM 2:0

Stadiumi: Todor Proeski – Shkup

Shikues: 300

Arbitër Kryesor: Stojançe Trpçevski

Kartonë të verdhë: E. Adem, D. Alomeroviq (Rabotniçki)

FORMACIONET

RABOTNIÇKI: I.Aleksovski, M. Dimitrievski, D. Alomeroviq, E. Belica, S. Rasheed, E. Adem, S. Kagimu, C. Daley, N. Manojlov, S. Kagimu, A. Gando;

Trajner: Goran Staniq

STRUGA TRIM LUM: F. Dujmoviç, B. Ilievski (S. Spirovski 68′), S. Radiç, K. Ristevski, Sh. Zenku (B. Kamberi 46′), A. Vosha (N. Valjkoviç 46′), H. Ukpa, B. Shabani, S. Jevtoski (M. Takahara 68′), B. Compaore (L. Kehinde 46′), M. Radeski;

Trajner: Qatip Osmani