RAPORTI I NDESHJES | LK, STRUGA TRIM LUM – PYUNIK 2:1

Struga Trim Lum ka regjistruar fitore 2:1 në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës përballë kampionëve armen të Pyunik. Ishte kjo fitorja e parë e këtij edicioni për skuadrën tonë në garat europiane, aty ku shpresojmë të qëndrojmë sa më gjatë këtë verë…

Fitore minimale 2:1, por plotësisht e merituar kundër Pyunik, ndeshje kjo e vlefshme për turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës. Nga një gol në secilën pjesë për skuadrën tonë, e ku duhet veçuar ai i dyti i Stefan Spirovskit gjatë pjesës së dytë, në të cilin kishim dominim të plotë, e ku realisht duheshe të shënojmë së paku edhe një gol tjetër për të qenë sa më të qetë për ndeshjen e kthimit në Jerevan.

Ndeshjen e nisëm në mënyrën më të mirë, teksa në rastin e parë më konkret përfituam penalti, të cilën në gol e shndërroi Besart Ibraimi. Ishte ky goli i tij i 10-jubilarë me fanellën e Struga Trim Lum në ndeshjen e tij të 11-të në garat europiane dhe i 7-ti nga po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Konferencës.

Vetëm një minutë pas golit të shënuar (9’), Marjan Radeski tentoi me kokë, mirëpo vetë mbi portë, duke mos shfrytëzuar asistin e Ibraimit.

Kehinde që kishte përfituar penaltinë në favorin e skuadrës tonë, në minutën e 23-të shkaktoi penalti në favor të skuadrës mysafire, që në ato momente barazoi shifrat me anë të brazilianit, Vilella.

Gjatë pjesës  së parë regjistrojmë edhe dy tentative të futbollistit të krahut të djathtë, Vlajkoviç, mirëpo i njëjti në të dyja rastet nuk arriti të gjejë cakun e duhur.

Pjesa e dytë nisi pa ndryshime në të dyja formacionet dhe me mysafirët që tentuan të parët të na shënojnë, mirëpo pa probleme për portierin Dujmoviç, i cili në minutën e 54-të doli të jetë kreator i aksionit më të bukur deri në ato momente, kur me një diagonale të gjatë gjeti në gjysmëzonën kundërshtare sulmuesin Kehinde, teksa ky i fundit pasoi për Ibraimin, goditjen e të cilit me këmbën e majtë, portieri kundërshtarë e devijoi në rivënie nga këndi.

Në minutën e 60-të, Vakulenko për shkak ndërhyrjes së palejuar ndaj Kehinde, u ndëshkua direkt me të kuq, kjo edhe për shkak gjestit të tij jo sportiv. Pas këtij momenti gjërat ndryshuan në terren, aty ku fjalën kryesore e kishim ne si skuadër.

I pari që tentoi pas përjashtimit të kapitenit kundërshtarë, ishte Bunjamin Shabani, që goditi fuqishëm drejt portës mysafire, me portierin  Avagyan, që devijoi topin në rivënie nga këndi.

Në minutën e 70-të, Besart Ibraimi në tentativë për të gjetur brenda zonës dyshen, Kehinde-Compaore, goditi shtyllën. Vetëm dy minuta më pas, Ibraimi sërish doli në skenë, këtë herë me një goditje nga distanca, që përfundoi në duart e portierit kundërshtarë.

Këto tre raste të njëpasnjëshme, ishin paralajmëruesi më i mirë për golin e Stefan Spirovskit në minutën e 73-të. Mesfushori difenziv, pasi pranoi një top në krahun e djathtë nga kapiteni Shabani, me një goditje të fuqishme nga më shumë se 30 metra shënoi një eurogol të vërtetë, për rezultat 2:1.

Ky gol i dha krahë skuadrës tonë, që vazhdoi të rrezikojë në vazhdimësi portën e Pyunik. Pas një super kombinimi mes dyshes Ibraimi – Compaore, ky i fundit shumë pak mungonte të shënonte edhe golin e tretë në rrjetën e mysafirëve.

Rezervisti Massaki Takahara në minutën e 82-të bëri gjithçka mirë brenda zonës kundërshtare, mirëpo goditja e tij, edhe pse e fuqishme, nuk ishte e saktë. Pas një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës tonë, kapiteni Shabani arrinë të tejkalojë edhe portierin kundërshtarë, mirëpo në momentin final nuk arriti të gjejë aty pranë golit japonezin Takahara.

Ky i fundit në minutën e dytë të kohës shtesë edhe njëherë tjetër u shfaq i rrezikshëm nga ana e djathtë, me portierin mysafir që këtë herë devijoi topin në rivënie nga këndi. Këtu nuk ishte fundi i rasteve të krijuara nga ana e futbollistëve tanë, pasi dyshja që ishin kreatorët e kësaj fitoreje, Ibraimi-Spirovski, tentuan edhe në minutën e 94-të, kur mjaft mirë realizuan një skemë nga goditja e këndit, me Spirovskin, që goditi nga brendia e zonës, mirëpo vetëm në duart e portierit, Avagyan.

Në fund fitore 2:1 për ekipin tonë, që shpresojmë të na mjaftojë për në ndeshjen e kthimit në Jerevan, që në program është me datë 30 korrik.

𝐔𝐄𝐅𝐀 𝐄𝐔𝐑𝐎𝐏𝐀 𝐂𝐎𝐍𝐅𝐄𝐑𝐄𝐍𝐂𝐄 𝐋𝐄𝐀𝐆𝐔𝐄 | 𝐓𝐔𝐑𝐈 𝐈𝐈

Ndeshja e parë:

STRUGA TRIM LUM – PYUNIK  2:1

Autorë të golave: B. Ibraimi (8’ pen), S. Spirovski (73’) – L. Vilella (23’ pen.)

Stadiumi i Qytetit – Ohër

Shikues: 1500

Arbitër kryesor: L. Teixeira (Andorrë)

Kartonë të verdhë: L. Kehinde (Struga Trim Lum) – M. Maia

FORMACIONET:

STRUGA TRIM LUM: F. Dujmoviç, N. Valjkoviç (M. Takahara 67’), B. Krivanjeva, S. Radiç, K. Ristevski, B. Shabani ©, S. Jevtovski, S. Spirovski, B. Ibraimi, L. Kehinde (H. Ukpa 84’), M. Radeski (B. Compaore 67’);

PYUNIK: Avagyan, Alemao, Voskanyan, Vakulenko, Juninho, Vilella, Maia, James, Davidyan, Agdon, Caraballo;

TË DHËNAT STATISTIKORE:

Posedimi i topit

Struga Trim Lum 53% – Pyunik 47%

Gjithsej goditje

Struga Trim Lum 16 – Pyunik 6

Goditje brenda kuadrantit

Struga Trim Lum 7 – Pyunik 2

Goditje jashtë kuadrantit

Struga Trim Lum 9 – Pyunik 1

Goditje të bllokuara

Struga Trim Lum 0 – Pyunik 3

Rivënie nga këndi

Struga Trim Lum 5 – Pyunik 5

Pozicion jashtëloje

Struga Trim Lum 1 – Pyunik 1

Pritje të portierëve

Struga Trim Lum 1 – Pyunik 5

Goditje dënimi

Struga Trim Lum 13 – Pyunik 12

Kartonë të kuq

Struga Trim Lum 0 – Pyunik 1

Kartonë të verdhë

Struga Trim Lum 3 – Pyunik 1

Sulme

Struga Trim Lum 152 – Pyunik  121

Sulme të rrezikshme

Struga Trim Lum 64 – Pyunik 68