Një pjesë e parë shumë e dobët bëri që nga Çairi të rikthehemi duarbosh. Në fund rezultati përfundimtarë doli të jetë 3:1 në favor të FC Shkupit….
Një pjesë e parë për tu harruar, bëri dallimin në takimin e javës së 17-të përballë FC Shkupit, skuadër kjo që në fund shënoi fitore 3:1. Goli i pranuar në minutën e 17-të pas një reagimi shumë të dobët të mbrojtjes, dhe një penalti e akorduar nga arbitri kryesor, Dimitar Pileshkov në minutën e 33-të, që në gol e shndërroi Xhelil Asani, bënë që FC Shkupi të avansojë me shifrat 2:0, pa shumë mund dhe zotërim të topit.
Ndërkohë neve si skuadër kanosjen e vetme më të rrezikshme në këtë pjesë e kishim në minutën e 37-të, kur Hogan Ukpa goditi traverzën, duke mos arritur të rikthejë skuadrën në lojë në ato momente.
Pas këtij disavantazhi gjatë 45 minutave të para, trajneri Qatip Osmani, pjesën e dytë e nisi me dy zëvendësime. Në vend të Shaban Zenkut dhe Stefan Jevtoskit, në lojë u inkuadruan Bekim Kamberi dhe Bassirou Compaore.
Ky i fundit në disa raste shfaqej i rrezikshëm për portën kundërshtare, duke tentuar kombinimet me bashkëlojtarët e sulmit, mirëpo pa dhënë efektin e duhur.
Në një situatë të tillë, Radeski tentoi golin, pas asistit të Compaore në minutën e 51-të, mirëpo pa arritur të qëllojë portën.
Vetëm dy minuta më pas, vetë Compaore tentoi për të shënuar me kokë, mirëpo finalizimi ishte shumë i dobët.
Momentin më të mirë e regjistrojmë në minutën e 68-të, kur Kehinde bëri gjithçka mirë para zonës kundërshtare, duke pranuar topin me gjoks dhe më pas duke lëshuar një predhë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo Artan Iljazi me një intervenim të shkëlqyeshëm devijoi topin në rivënie nga këndi.
Kehinde u shfaq i rrezikshëm edhe në aksionin e rradhës, mirëpo i njëjti doli të jetë i shkurtër në intervenimin e tij, pas harkimit në zonë të Ukpa.
Pas këtyre rasteve të humbura, një top i gabuar nga ana e Compaore në gjysmëfushën kundërshtare, bëri që vendasit përmes një kundërsulmi të shpejtë të shënojnë edhe golin e tretë, me autorë Georg Stojanovski.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 75-të, ndërsa reagimi i skuadrës tonë ishte fare në fund, kur në qendër të vëmendjes ishte Kehinde, që në tre raste rrezikoi portën vendase, teksa në rastin e fundit arriti edhe të shënojë, kur në maksimum shfrytëzoi pasimin e Ilievskit para 5-metërshit të portiert Iljazi.
Ishte kjo disfata e parë për skuadrën tonë pas 6 ndeshjeve pa humbje, mirëpo që kjo disfatë nuk na lëviz dot nga pozita e 5-të, aty ku numërojmë 29 pikë.
Ndeshjen e javës së 18-të, do ta zhvillojmë në shtëpi kundër Voska Sport të dielën që vjen, me ç’rast edhe zyrtarisht mbyllet pjesa e parë e sezonit 2024/25.
_______________________________________________________________________________________________________________
LIGA E PARË E MAQEDONISË – Java 17
FC Shkupi – Struga Trim Lum 3:1
Autorë të golave: E. H. Gueye (17’), Xh. Asani (33’ pen.), G. Stojanovski (74’) – L. Kehinde (90+1’)
Stadiumi i Çairit: Ndeshja u zhvillua pa tifoz
Arbitër kryesor: Dimitar Pileshkov
Kartonë të verdhë: Xh. Ibishi, E.H. Gueye, A. Diene, D. Imeri (FC Shkupi) – S. Spirovski, B. Krivanjeva (Struga Trim Lum)
FORMACIONET:
FC Shkupi: A. Iljazi, K. Bllazhevski, N. Ajetoviq, E. H. Gueye, H, Ramani, A. Diene, D. Imeri (A. Mehmedi 89’), Xh. Asani, Y. Kanda (B. Guxhufi 68’), F. Kadriu (E. Liçina 89’), Xh. Ibishi (G. Stojanovski 59’);
Trajner: Erdem Alparslan;
FC Struga Trim Lum: V. Qoshevski, B. Ilievski, S. Radiç, B. Krivanjeva, S. Spirovski (A. Vosha 70’), S. Jevtoski (B. Compaore 46’), N. Vlajkoviç (H. Maleski 70’), Sh. Zenku (B. Kamberi 46’), H.Ukpa (F. Tairi 83’), M. Radeski, L. Kehinde;
Trajner: Qatip Osmani;