RAPORTI I NDESHJES | BESA – STRUGA TRIM LUM  1:2

Jevtoski dhe Kehinde godasin, ndërsa Struga Trim Lum e sheh veten shumë afër kreut pas rikthimit të rezultatit ndaj Besës së Dobërdollit…

Një pjesë e parë jo aq e mirë, kur janë në pyetje rastet e krijuara, mirëpo që të njëjtën nuk ishte se edhe kundërshtari na rrezikonte shumë. E njëjta u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa të tre golat e takimit erdhën në pjesën e dytë.

Fillimisht ishin vendasit që na ndëshkuan në fillimin e saj, mirëpo që reaguam shpejtë, edhe atë kur brenda dy minutave shënuam dy golat e kthesës.

Ndryshe gjatë 45 minutave të para lufta më e madhe u përqëndrua në mesfushë, ndërsa golit iu afruam që në minutën e katërt, mirëpo Compaore në ato momente mjaft mirë u bllokua nga futbollisti i Besës, Neziri.

Rastin më të mirë për të shënuar e regjistrojmë në minutën e 38-të, kur Shaban Zenku, me armën e tij më të fortë, këmbën e majtë, lëshoi një goditje të fortë në drejtim të portës kundërshtare, duke vënë në mjaft vështirësi portierin vendas, Zahov, i cili devijoi topin në rivënie nga këndi.

Pjesa e dytë nuk nisi edhe aq mirë për skuadrën tonë, ndërsa shtylla e goditur që në startin e saj paralajmëroi edhe golin e Bashkim Velijës, që erdhi në minutën e 49-të.

Kundërpërgjigja jonë erdhi vetëm 3 minuta më vonë, kur pas një super asisti të Compaore brenda zonës kundërshtare Ukpa thuajse shënoi gol, mirëpo të njëjtin i’a mohoi mbrojtësi vendas, Lamallari, që devijoi topin në rivënie nga këndi.

Në aksionin e rradhës, Ukpa ishte në rolin e asistuesit, ndërsa vetëm traverza e ndali gëzimin e Jevtoskit, që lëshoi një predhë të vërtetë nga jashtë 16-të metërshit.

Mirëpo gëzimin e mesfushorit tonë nuk mundi ta ndal dot askush në minutën e 63-të, kur shënoi një eurogol të vërtetë nga gjuajtja e lirë. Ishte ky goli i dytë sezonal për Jevtoskin këtë edicion, pasi i njëjti kishte shënuar edhe ndaj AP Brera.

Pas një aksioni të fillluar që nga gjysmëfusha jonë, që në aksionin e rradhës shënuam edhe golin e dytë, këtë herë me autorë Lanre Kehinde. Nigeriani nuk fali nga vija e 16-të metërshit, kur me të djathtën e tij shënoi një super gol për epërsinë e parë në këtë ndeshje, 2:1.

Këtë epërsi pa shumë probleme e ruajtëm deri në fund të takimit, kur madje rrezikuam seriozisht portën mysafire pas goditjes së rezervistit, Bekim Kamberi.

Ishte kjo fitorja e 6-të sezonale për skuadrën tonë, që tashmë i afrohet edhe më shumë kreut të tabelës. Me 22 pikë renditemi në pozitën e 5-të, mirëpo me vetëm 3 pikë më pak se skuadra kryesuese e Rabotniçkit.

Fundjavën e ardhshme, më saktësisht të shtunën, rikthehemi të luajmë në terren vendas, kur do të mirëpresim pikërisht liderin aktual, Rabotniçkin.

________________________________________________________________________________________________________________

LIGA E PARË E MAQEDONISË – Java 13

BESA DOBËRDOLL – STRUGA TRIM LUM 1:2

Autorë të golave: B. Velija (49’) – S. Jevtoski (63’), L. Kehinde (64’)

Stadiumi i qytetit: Gostivar

Shikues 2.000

Arbitër kryesor: Igor Ivanov

Kartonë të verdhë: A. Lamallari, A. Rexhepi, A. Draganoviç (Besa D.) – B. Comapore, L. Kehinde, B. Kamberi, A. Kasami (Struga Trim Lum)

FORMACIONET:

BESA Dobërdoll: K. Zahov, M. Neziri, A. Rexhepi, A. Lamallari, I. Fetai, G. Siljanovski, B. Velija, A. Alimi, A. Ljatifi, Xh. Esati, R. Selmani;

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, B. Ilievski, A. Kasami, B. Krivanjeva, S. Spirovski, N. Vlajkoviç, S. Jevtoski, Sh. Zenku (B. Kamberi 72’), H. Ukpa (A. Vosha 90+), B. Compaore (M. Radeski 72’), L. Kehinde (S. Radiç 81’);