Struga Trim Lum shënoi fitore minimale në ndeshjen e vlefshme të javës së 16-të në Ligën e Parë. Kampionët tanë sot në Strugë mundën Pelisterin me rezultatin 1:0 falë golit të shënuar nga Lanre Kehinde…
Trajneri Qatip Osmani ka folur pas fitores ndaj Pelisterit, që erdhi pas atij barazimi në fundjavë ndaj AP Brera në Strumicë. Ai thotë se skuadra luajti shumë mirë gjatë 45 minutave të para, kur mund të shënonim edhe ndonjë gol tjetër, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për pjesën e dytë, ku munguan rastet konkrete dhe golat.
“Fitore minimale, mirëpo shumë e rëndësishme ishte kjo e sotmja ndaj Pelisterit. Gjatë pjesës së parë skuadra luajti shumë më mirë, ku përveç golit të shënuar patëm edhe disa raste të pashfrytëzuara, e mbi të gjitha kishim lojë shumë të mirë. Pra nëse do ishim më fleksibil para portës kundërshtare, fitorja mund të ishte edhe më e thellë.” – u shpreh trajneri Qatip Osmani, i cili megjithatë nuk kishte mbetur i kënaqur me atë që skuadra tregoi në pjesën e dytë.
Në këtë pjesë munguan rastet konkrete, teksa golin e kërkonim vetëm përmes goditjeve nga distanca, kur në dy raste rrezikuam seriozisht me anë të Ukpa dhe Kehinde.
“Pjesa e dytë nuk ishte as për së afërmi me atë që skuadra tregoi në pjesën e parë. Megjithatë me rëndësi është që skuadra nuk u dorëzua në asnjë moment ndaj kundërshtarit, që nuk është se na rrezikoi konkretisht. Bazuar në atë se neve sërish ishim ata që zotëronim topin dhe kontrollonim mesfushën, mund të them se jam i kënaqur nga ky tre pikësh” – deklaroi Osmani, i cili sot regjistroi ndeshjen e tij të 20-të si kryetrajner i Struga Trim Lum.