PREVIEW | VARDARI – STRUGA TRIM LUM

E shtuna do të sjellë ndeshjen e 6-të brenda 20 ditëve për skuadrën tonë, që nesër do të përballet me Vardarin në Shkup…

Ndeshja kundër Gostivarit të dielën e kaluar ishte e 160-ta për Struga Trim Lum në kuadër të Ligës së Parë, aty ku po zhvillojmë sezonin e 6-të me rradhë. Dy tituj kampion në këtë periudhë nuk janë edhe për tu nënvlerësuar, ndaj duhet të shohim pozitivisht edhe në këtë sezon, që nuk nisi edhe aq mbarë, mirëpo i njëjti ka edhe shumë xhiro deri në fund, ashtu që si kampion në fuqi nesër kemi mundësi të mirë për të nisur një seri të fitoreve kundër Vardarit në Shkup.

Ekipi që të premtën është vendosur në kryeqendrën tonë, aty ku po zotëron një kohë me shi. Gëzon fakti se ndeshjen e nesërme kundër Vardarit do ta zhvillojmë në arenën “Todor Proeski”, e ku kushtet realisht janë shumë më të mira, në krahasim me stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, aty ku kishim zhvilluar ndeshjen e fundit në kuadër të edicionit të kaluar.

FAKTE INTERESANTE DHE STATISTIKA

  • Ashtu sikurse edhe ndeshjen e fundit ndaj këtij kundërshtari, edhe nesër rolin e arbitrit kryesor do ta luaj Stojan Trpçevski.
  • Arbitri nga Kavadari nesër do na referojë për herë të 18-të. Më së shumti Stojan Trpçevski i ka referuar vetëm Shkëndijës dhe Makedonija Gj.P (20)
  • Mbrojtësi Besart Krivanjeva në takimin e nesërm kundër Vardarit pritet të regjstrojë ndeshjen e tij të 200 zyrtare në kuadër të Ligës së Parë.
  • Ai nesër pritet të regjistrojë dy jubile. Jubileun prej 200 ndeshjeve në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe njëherit jubileun prej 50 ndeshjeve me fanellën e Struga Trim Lum.
  • Ndeshja e nesërme midis Vardarit dhe Struga Trim Lum do të jetë e 10 jubilare.

Deri më tani kundër Vardarit numërojmë 4 fitore, dy ndeshje janë mbyllur me barazime, derisa në 3 ndeshje fitues ka dalë skuadra shkupjane, që njëherit kishte regjistruar fitore në ndeshjen e fundit të zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit.

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Strugë kemi regjistruar fitoren më të thellë ndaj Vardarit, 4:0, ndërsa disfatën më të thellë nga ky kundërshtarë e kemi pësuar në përballjen e parë zyrtare (0:3), të zhvilluar me 14 shtator të vitit 2019.

Atë edicion (2019/20), Vardari për herë të fundit ishte shpallur kampion, mirëpo në një edicion që nuk e pa fundin e saj, për shkak pandemisë.

KUNDËRSHTARI

Vardari e nisi me disfatë sezonin e ri, teksa u mposhtë në xhiron e parë në Strumicë nga AP Brera (3:1). Fitorja që në xhiron e dytë ndaj Pelisterit solli pak buzëqeshje në rradhët e “kuqezinjëve” nga Shkupi, mirëpo që zgjati shumë pak, pasi për habit të shumë futbolldashësve në vend, Gorazd Mihajllov dha dorëheqje në postin e trajnerit vetëm pas dy xhirove të para.

Vendin e tij e zuri një legjendë e kësaj skuadre, Goce Petreski, që kishte punuar edhe në Akademinë e Vardarit, mirëpo i njëjti presionit të madh i mbijetoi vetëm dy ndeshje. Nën udhëheqjen e tij Vardari pësoi dy disfata të rënda, 0:3 ndaj FC Shkupit në Çair dhe 1:3 ndaj Voska Sport në arenën “Todor Proeski”, aty ku këtë edicion kjo skuadër po i zhvillon ndeshjet e saja.

Pas shkarkimit të Petreskit, vendin e tij e zuri Srgjan Zaharievski, një emër i njohur për opinionin sportiv edhe këtu në Strugë, duke pasur parasysh se i njëjti udhëhiqte skuadrën tonë për gati tre vite të plota.

Me Zaharievskin në krye, Vardari në 4 ndeshje ka regjistruar një fitore, një barazim dhe dy disfata. Ndeshja e nesërme për të do të jetë e 5-ta në krye të Vardarit, ndërsa ekipin tonë e kishte udhëhequr në 87 ndeshje, më shumë se çdo kush tjetër deri më tani.

MUNGESAT

Mungesa më e madhe për ndeshjen e nesërme do të jetë pa dyshim kapiteni Bunjamin Shabani, i cili vazhdon kurimin pas ndërhyrjes kirurgjikale që pësoi në shpatull, ndërsa një mungesë shumë e rëndësishme, pa dyshim se është edhe ajo e Besmir Bojkut, që tashmë një kohë më të gjatë është jashtë fushave të futbollit.

Jashtë fushave tashmë një periudhë bukur të mirë është edhe Hadis Tairi, një ndër golashënuesit në ndeshjen e parafundit kundër Vardarit në Shkup, në atë fitore 3:1, ndërsa për shkak kartonëve të verdhë, do të mungojë edhe qendërmbrojtësi, Sava Radiç.

TRAJNERI QATIP OSMANI NË TRIBUNË

Në ndeshjen e nesërme Struga Trim Lum do të udhëhiqet nga ndihmës trajneri Bashkim Livoreka, pasi trajneri Qatip Osmani në ndeshjen e fundit kundër Gostivarit u ndëshkua me kartonë të kuq. Kështu Osmani të gjitha instrukcionet ndihmësve të tij do të duhet t’ua jap nga tribuna.

Së bashku me Osmanin, ndeshjen e nesërme nga tribuna do ta ndjek edhe Drejtori ynë sportiv, Besart Isaku, që gjithashtu ishte ndëshkuar me të kuq në ndeshjen e fundit kundër Gostivarit.

KARTONI I KUQ I PARË NË KARRIERË PËR OSMANIN

Kartoni i kuq në ndeshjen e javës së 8-të kundër Gostivarit, ishte i pari në karrierë për trajnerin Qatip OSMANI në ndeshjet e Ligës së Parë, aty ku numëron plotë 372 ndeshje si trajner. Ai gjatë karrierës së tij, para se të merrte drejtimin e Struga Trim Lum, kishte udhëhequr edhe tre skuadrat shqiptare, si Shkëndija, Renova dhe FC Shkupi.

ZYRTARËT E NDESHJES

Një fytyrë e njohur do të na referojë të shtunën kundër Vardarit. Për herë të katërt këtë edicion në krye të një takimi tonë si arbitër do të jetë Stojançe Trpçevski nga Kavadari.

Këtë edicion me Trpçevskin si kryesor, kemi shijuar të gjitha rezultatet, fitore (1:0 kundër Besës së Dobërdolllit), barazim (1:1 kundër Voska Sport) dhe disfatë (0:2 nga Rabotniçki).

Ndryshe i njëjti gjatë karrierës së tij na ka referuar në gjithsej 17 ndeshje, përfshirë këtu edhe atë të Kupës kundër Sileksit prillin e vitit 2023, ndërsa vetëm një herë ka ndodhur që mos të ndëshkojë ndonjërin nga futbollistët tanë.

Një gjë e tillë ndodhi këtë edicion në ndeshjen në arenën “Todor Proeski” kundër Rabotniçkit.

Ndryshe në 17 ndeshjet e deritanishme, plotë 46 herë ka ndëshkuar lojtarët tanë, që i bie se për çdo ndeshje na ka ndëshkuar për afërsisht me 3 kartonë të verdhë.

Në anën tjetër, Vardarit këtë edicion Stojan Trpçevski i ka referuar në dy ndeshje, dhe në të dyjat “kuqezinjtë” nga Shkupi kanë pësuar disfata.

Të shtunën i njëjti Vardarit do ti referojë për herë të 9-të, me “kuqezinjtë” që nën drejtimin e tij si arbitër numërojnë 2 fitore, 1 barazim dhe 5 disfata.

NDESHJA

Ndeshja midis Vardarit dhe Struga Trim Lum do të luhet në arenën “Todor Proeski” në Shkup me fillim në ora 14:00. Janë kanalet e SportKlub që do e transmetojnë të njëjtën, pasi tashmë disa vite skuadra e Vardarit ka arritur marrëveshje me këtë paketë sportive.