PREVIEW | STRUGA TRIM LUM – VARDARI

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme në stadiumin e qytetit në Strugë do të mirëpret Vardarin në kuadër të ndeshjes së prapambetur të javës së pestë, ndeshje kjo që do të nis nga ora 13:00….

Pas më shumë se dy vitesh rikthehemi të luajmë me Vardarin, skuadrën me më shumë trofe në vendin tonë. Kjo ndeshje i takon javës së pestë, mirëpo që e njëjta ishte shtyrë për shkak paraqitjes së skuadrës tonë në garat europiane.

Edhe pse aktualisht Vardari ndodhet në pozitën e fundit në renditje, dy fitoret e tyre të njëpanjëshme ndaj Rabotniçkit dhe AP Brera, na bëjnë të kuptojmë se te kjo skuadër vërehet një ngritje, pas ardhjes së trajnerit Aleksandar Vasoski.

Ndeshjet me Vardarin gjithnjë kanë zgjuar interesim në qytetin tonë, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe sot.

NDESHJET E DERITANISHME

Ndeshja e sotme në Strugë do të jetë gjithsej e 7-ta që do ta zhvillojmë kundër Vardarit në kuadër të Ligës së Parë. Nga dy fitore për secilën skuadër dhe dy barazime, është epilogu i deritanishëm.

Ndeshja e fundit e zhvilluar në Strugë ishte mbyllur me fitore minimale të skuadrës tonë (1:0), falë golit të shënuar nga Marjan Altiparmakovski.

Vlen të theksohet gjithashtu se nga gjithsej 6 golat që kemi shënuar kundër kësaj skuadre, të gjithë janë shënuar nga futbollistë që tashmë nuk i kemi në rradhët tona. Kjo edhe për faktin se Vardari dy sezonet e fundit bënte gara në Ligën e Dytë, ashtu që sot rikthehemi të luajmë ndaj këtij kundërshtari pas plotë dy vite, 5 muaj e 22 ditë.

VARDARI NUK DINË PËR FITORE NË STRUGË

Ndeshja e sotme kundër Vardarit do të jetë e katërta që do ta zhvillojmë si vendas. Në tre ndeshjet e deritanishme numërojmë dy fitore dhe një barazim, me Vardarin që nuk dinë të fitojë në Strugë.

Ndeshjen e parë e kishim zhvilluar me 9 nëntor të vitit 2019-të, kur falë golave të Kirovskit dhe Tafe-s kishim shënuar fitore 2:1, ndërsa po në muajin nëntor, por të vitit 2020 kishim barazuar me shifrat 2:2. Në ndeshjen e fundit të zhvilluar si vendas ndaj kundërshtarit të sotëm, kishim regjistruar fitore 1:0, duke ruajtur rrjetën e paprekur.

RIKTHEHET KRIVANJEVA, MUNGON UKPA

Mungesa e Besart Krivanjevës bëri që në disa momente të vuajmë në ndeshjen e fundit kundër Gostivarit, në të cilën ndeshje pësuam disfatë 2:1. Tashmë kur gjithçka është në rregull me mbrojtësin shkupjan, i njëjti do të jetë në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro, mirëpo do të jetë sërish ky i fundit që do të vendos nëse do të luaj Krivanjeva ose jo. Ndërkohë Duro edhe definitivisht nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit Hogan Ukpa, i cili në ndeshjen kundër Gostivarit në momentet e fundit të takimit u ndëshkua me karton të kuq.

FORMA MOMENTALE

Nëse ju referohemi 5 ndeshjeve të fundit, Vardari është në një pozitë më të volitshme se ne. Ata kanë regjistruar dy fitore, një barazim dhe dy disfata, derisa neve në këtë periudhë kemi pësuar tre disfata, ndërkohë kemi regjistruar dy fitore.

Mirëpo pavarësisht këtyre rezultateve të fundit, skuadra jonë ka një dallim të madh në pikë ndaj kundërshtarit të sotëm. Plotë 10 pikë është dallimi në favor të Struga Trim Lum, skuadër kjo që renditet në pozitën e tretë, derisa Vardari vazhdon të mbaj fenerin në Ligën e Parë.

NDESHJA

Ndeshja ndërmjet Struga Trim Lum dhe Vardarit do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 13:00, dhe të njëjtën do të mund ta ndiqni në kanalin zyrtarë të FFM-së në youtube. (https://www.youtube.com/watch?v=FSh857XhHtQ)