Me përfundimin e pushimit ndërkombëtarë, të dielën rikthehen ethet e Ligës së Parë. Struga Trim Lum rikthehet në Strugë, aty ku do të zhvillojmë ndeshjen e vlefshme të javës së 10-të kundër Sileksit…
Sileksi është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyer në prag të këtij takimi, që nuk do të jetë aspak i lehtë për skuadrën tonë, kjo bazuar edhe në renditjen aktuale në tabelën e klasifikimit.
Vetëm një pikë më shumë kemi ndaj kundërshtarit të nesërm, që në Strugë udhëton pas një barazimi pa gola ndaj Shkëndijës në Kratovë.
Ruajtja e rrjetës së paprekur ndaj sulmit më të mirë në kampionat, dëshmon për një mbrojtje solide që ka krijuar trajneri Aleksandar Vasoski. Vetëm 5 gola të pranuar në 9 ndeshje, e dëshmon më së miri këtë fakt, me skuadrën nga Kratova që tashmë 285 minuta nuk ka pranuar gol.
Mbetet të shihet se si do të reagojë mbrojtja kundërshtare ndaj sulmit tonë, që në tre ndeshjet e fundit ka realizuar 7 gola, 4 prej tyre vetëm në ndeshjen e fundit kundër Vardarit në Shkup.

Pikërisht kjo fitore ka ngritur vetëbesimin në skuadër, mirëpo këto pikë nuk do të kishin aspak vlerë, në rast se nuk arrijmë të marrim maksimumin e tyre në ndeshjen e nesërme, thotë trajneri Qatip Osmani.
“Fitorja me Vardarin e ka ngritur në maksimum atmosferën pozitive në skuadër, megjithatë nuk do vlente asgjë e njëjta, në rast se edhe nesër nuk marrim pikët e plota. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyer, ndaj dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe nesër, po edhe në ndeshjet që na presin në vijim”.
NDESHJA E FUNDIT
Ndeshja e fundit ndaj Sileksit kishte një fund të hidhur, kjo pasi skuadra pavarësisht avantazhit prej dy golave, në fund pësoi disfatë 2:3. Ishte kjo njëherit disfata e vetme në shtëpi ndaj skuadrës nga Kratova, ndaj së cilës golin e fundit e kishte realizuar Marjan Radeski.

RADESKI, 3 NDESHJE, 3 GOLA NDAJ SILEKSIT
Marjan Radeski është futbollisti i fundit, por njëherit edhe më efikasi në përballjet e fundit ndaj Sileksit. Sulmuesi ynë në tre ndeshjet e fundit ka shënuar po aq gola ndaj skuadrës nga Kratova, ndaj së cilës po aq gola numëron edhe kapiteni Bunjamin Shabani.
Ky i fundit një shifër të tillë golash e ka arritur në 6 ndeshje, ndërsa më efikasi në përballjet ndaj skuadrës nga Kratova mbetet, Besart Ibraimi, që në 5 ndeshje kishte realizuar 4 gola.

STATSITIKAT
Kur jemi tek golat e përgjithshëm, Struga Trim Lum në gjithsej 12 ndeshje kampionale kundër Sileksit ka realizuar 16 gola, dhe ka pranuar vetëm 7.
7 fitore, 5 barazime dhe 2 disfata është epilogu i këtyre takimeve ndaj skuadrës nga Kratova, ndaj së cilës fitoren më të thellë e kemi regjistruar me 7 maj të vitit 2023, (3:0).
Ndryshe, ndeshja e nesërme kundër Sileksit do të jetë e 8-ta që do ta zhvillojmë në Strugë, ku deri më tani numërojmë 5 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë. Disfata e vetme, ishte ajo e edicionit të kaluar.
Me Sileksin dy ndeshje numërojmë edhe në kuadër të ndeshjeve të Kupës. Epilogu, një fitore dhe një disfatë, me të dyja ndeshjet që ishin të vlefshme për ½ e finales.

MUNGESAT
Kire Ristevski do të jetë mungesa e vetme në skuadër për ndeshjen e nesërme. I njëti është me virozë, ndaj dhe nuk bënë pjesë në planet e trajnerit Qatip Osmani. Ky i fundit tashmë një kohë më të gjatë nuk mund të llogarisë edhe në shërbimet e kapitenit Bunjamin Shabani, mesfushorit Besmir Bojku dhe mbrojtësit të krahut të majtë, Hadis Tairi.
Ky i fundit pas operimit të ligameneteve në gjurin e djathtë, së fundmi ka filluar me stërvitje individuale, të cilat po i kryen nën kontrollin e fizioterapeutit tonë të skuadrës, Erblin Domazeti.
Një hap drejt rikuperimit të plotë po bënë edhe Besmir Bojku, i cili tashmë po stërvitet bashkë me grupin, ndërsa një gjë të tillë nga java e ardhshme pritet të bëjë edhe kapiteni, Bunjamin Shabani.

ZYRTARËT E NDESHJES
Krumisllav Gjorgiev është caktuar për të drejtuar ndeshjen e së dielës midis Struga Trim Lum dhe Sileksit. Ai gjatë këtij edicioni ka referuar 4 ndeshje, duke treguar 26 kartonë të verdhë dhe një të kuq (dy kartonë të verdhë).
Sezonin aktual i njëjti na ka referuar në vetëm një ndeshje, atë kundër AP Brera, në të cilën ndeshje kishim regjistruar fitore 2:0. Ndryshe i njëjti gjatë karrierës së tij profesionale si arbitër, që daton nga viti 2017, neve si skuadër na ka referuar në 22 ndeshje, më shumë se çdo arbitër tjetër.
Nën dirigjimin e tij të ndeshjeve, Struga Trim Lum ka regjistruar 10 fitore, 7 barazime dhe 5 disfata.
Ndeshja e së dielës, do të jetë e treta që Gjorgiev do na referojë kundër Sileksit, ndaj së cilës skuadër deri më tani kemi regjistruar një fitore dhe një barazim.
Arbitër kryesor: Krumisllav Gjorgiev
Asistentë: Slagjan Markoski, Dragan Trpçevski
Arbitër i katërt: Stojançe Stojanov
Delegatë: Berat Ismaili
Kontrollues: Bllagoj Shuklev

NDESHJA
Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Sileksit do të zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 14:00. Përkrahja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne si skuadër, kjo pasi përballemi ndaj një kundërshtari shumë të fuqishëm dhe përkrahja e juaj do të jetë shumë e mirëseardhur.
Ndeshjen Struga Trim Lum – Sileksi, do të mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtarë të FFM-së në youtube.