Të mërkurën luajmë ndeshjen e kthimit të ½ së finales kundër Shkëndijës. Ekipi ynë do të tentojë të prek finalen, me shpresë së më pas do të shkruaj historinë më të re…
Të dielën kundër Gostivarit në shtëpi nuk arritëm të marrim atë që dëshironim, ndërsa një gjë të tillë shpresojmë të bëjmë nesër kundër Shkëndijës. Ndaj “kuqezinjëve” edhe një barazim do të na siguronte finalen e madhe të Kupës, që do të ishte e dyta në historinë 10-vjeçare të klubit.
Pavarësisht disavantazhit që kishim, falë golave të shënuar nga Hogan Ukpa dhe Marjan Radeskit, nga Tetova u larguam me fitore 2:1.
KUNDËRSHTARI
Shkëndija aktualisht kryeson renditjen tabelare në Ligën e Parë, aty ku në 6 ndeshjet e fundit nuk dinë për disfatë, duke regjistruar 5 fitore dhe 1 barazim. Disfatën e vetme kampionale në stinorin pranveror, i’a kemi shkaktuar neve si skuadër, edhe atë me datë 5 mars.
Struga Trim Lum, gjithashtu mposhti Shkëndijën edhe në kuadër të Kupës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Tetovë, duke u bërë kështu skuadra e vetme që ka mposhtur “kuqezinjtë” në ndeshjet e stinorit pranveror.

NDESHJET MES NESH
Ndeshja e nesërme kundër Shkëndijës do të jetë gjithsej e 19-ta në historikun tonë dhe vetëm e treta në kuadër të Kupës.
Dy ndeshjet e para për trofeun e Kupës i kemi zhvilluar në Tetovë, ndërsa nesër për herë të parë do të mirëpresim Shkëndijën në Strugë, kur janë në pyetje ndeshjet e Kupës.
Për herë të parë në kuadër të kësaj gare jemi takuar me 01 dhjetor të vitit 2021. Atë kohë u takuam në fazën çerekfinale, ndërsa ishim neve që i eliminuam përmes ruletit të penaltive. Vlen të theksohet se në atë ndeshje, golin e fitores (4:3 përmes penaltive) e kishte realizuar Klisman Cake, që tashmë mbron ngjyrat e Shkëndijës.
Ndryshe, në 16 ndeshjet kampionale, jemi ne skuadra sërish me epilogun më pozitiv. 8 fitore për ekipin tonë, kundrejt 4 fitoreve të Shkëndijës dhe 4 barazime të tjera, me një gol-averazh 21:15 në favorin tonë, bëjnë që neve edhe nesër të futemi me shumë optimizëm ndaj skuadrës nga Tetova.
FUTBOLLISTË, STRUGA TRIM LUM/SHKËNDIJA
Historia ka bërë që tek të dyja skuadrat, Struga Trim Lum dhe Shkëndija, të luajnë shumë futbollistë.
Aktualisht te skuadra tetovare, luajnë disa ish futbollistë të skuadrës tonë, si: Besart Ibraimi, Klisman Cake, Zija Merxhani dhe Fiton Ademi, ndërsa te skuadra jonë, aktualisht luajnë ish futbollistët e Shkëndijës, si: Bunjamin Shabani, Besmir Bojku, Marjan Radeski, Ard Kasami, Memetriza Hamza dhe Vebi Islami.
Kjo nënkupton se të dyja skuadrat njihen shumë mirë njëra me tjetrën dhe se nesër në stadiumin e qytetit të Strugës do të shohim edhe një ndeshje tjetër cilësore.

MARJAN RADESKI SHËNON VAZHDIMISHT NDAJ SHKËNDIJËS
Marjan Radeski ka shënuar në 4 ndeshjet e fundit ndaj Shkëndijës. Sulmuesi ynë shënoi edhe në ndeshjen e fundit të Kupës në Tetovë, kur shënoi golin e fitores për 2:1.
Radeski realizoi edhe në kampionat në ndeshjen e fundit të fituar 3:0 nga Struga Trim Lum, ndërsa gjithashtu kishte shënuar edhe në ndeshjet paraprake, atë të 12 majit të vitit të kaluar të fituar 2:0 nga skuadra jonë në Tetovë, si dhe në ndeshjen e fundit të vitit 2023, kur në Strugë kishte shënuar në atë fitore 2:1.

RIKTHEHET HOGAN UKPA
Hogan Ukpa për shkak kartonëve mungoi në ndeshjen e fundit kampionale kundër Gostivarit, mirëpo i njëjti do të jetë në disponim të trajnerit Ilço Gjorgjioski për ndeshjen e nesërme.
Kujtojmë, Hogan Ukpa në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në Tetovë, shënoi golin e parë, kur barazoi shifrat në 1:1, që më pas të asistojë edhe në golin e dytë të Marjan Radeskit.
Me siguri, se rikthimi i tij ka gëzuar edhe trajnerin Gjorgjioski, që në këtë mënyrë do të ketë më shumë zgjidhje në mesfushë, por edhe fakti se nuk kemi asnjë futbollistë të dëmtuar, apo të suspenduar.
ZYRTARËT E NDESHJES
Bllagojçe Rallevski do të jetë kryesori i takimit të nesërm midis Struga Trim Lum dhe Shkëndijës. Do të jetë kjo ndeshja e tij e parë që do të ndajë drejtësinë këtë edicion në një ndeshje të skuadrës tonë, pasi i njëjti një gjë të tillë kishte bërë shumë më herët, në vitin 2019-të kundër Renovës dhe në vitin 2022 kundër Bregallnicës së Shtipit.
Edhe Shkëndijës, Rallevski i ka referuar në dy ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjen e këtij edicioni kundër Voska Sport në Tetovë.
Ndryshe, këtë edicion, arbitri nga Manastiri ka drejtuar vetëm 3 ndeshje kampionale, duke treguar 13 kartonë të verdhë, apo nga 4.3 kartonë për ndeshje.
Ndihmës i tij i parë do të jetë Vlladimir Mitrevski, po ashtu nga Manastiri, njëjtë sikurse edhe ndihmësi i tij, Petar Stepanovski, që vjen nga qyteti i Alfabetit.
Rolin e arbitrit të katërt do ta luaj Vllatko Ilioski nga Prilepi, Dimçe Manevski do të jetë në rolin e kontrolluesit, derisa Josip Barton është përcaktuar për delegat.
Arbitër kryesor: Bllagojçe Rallevski (Manastiri)
Ndihmës i parë: Vlladimir Mitrevski (Manastiri)
Ndihmës i dytë: Petar Stepanovski (Manastiri)
Arbitër i katërt: Vllatko Ilioski (Prilepi)
Kontrollues: Dimçe Manevski (Velesi)
Delegatë: Josip Barton (Tetovë)

NDESHJA
Ndeshja e dytë midis Struga Trim Lum dhe Shkëndijës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë, do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë, me fillim në ora 16:00.
Edhe në këtë ndeshje, të gjitha mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave do të adresohen direkt te Shoqata Bamirëse “Bamirësit Struganë”, me të cilët kemi lidhur një marrëveshje neve si klub përmes tyre sadopak të ndihmojmë gjithë ata që kanë nevojë.
Ndryshe, ndeshja Struga Trim Lum – Shkëndija, do të transmetohet direkt në kanalin zyrtarë të FFM-së në “youtube”.