Fundjava na e servon ndeshjen derbi me liderin aktual, KF Gostivarin. Do të jetë një test i mirë ky për skuadrën tonë për të dëshmuar epitetin e kampionit dhe se vërtetë skuadra posedon cilësi dhe forcë për tu rikthyer në rrugën e duhur…
Gostivari është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Ata në Strugë udhëtojnë pas një serie prej 7 ndeshjeve pa humbje, që i sheh ato si lider. Është ky një paralajmërim për skuadrën tonë, që duhet të ketë një qasje shumë më serioze dhe se pikërisht ndaj një kundërshtari të tillë, do të tregojmë fytyrën e vërtetë, fytyrën e kampionit.
Deri më tani në 7 ndeshjet e zhvilluara kemi grumbulluar 11 pikë, duke u renditur në pozitën e 5-të.
3 fitore, 2 barazime dhe 2 disfata, është epilogu i takimeve të kaluara, ku në ndeshjet si vendas kemi regjistruar 3 fitore dhe 1 disfatë.
KUNDËRSHTARI
Gostivari në 7 ndeshjet e para të këtij sezoni ka regjistruar 4 fitore dhe 3 barazime dhe aktualisht me 15 pikë mban pozitën e parë në renditje. Ata në Strugë udhëtojnë pas një fitore të madhe ndaj Shkëndijës së Tetovës (3:1), derisa paraprakisht kishin mundur edhe Sileksin në Kratovë.
Kur jemi tek ndeshjet në transfertë të kësaj skuadre, ata përveç Sileksit kishin mundur edhe Voska Sport, ndërsa në dy ndeshjet tjera kishin barazuar ndaj Tikveshit, gjegjësisht Pelisterit.
Alper Potuk është lideri i tyre, kur janë në pyetje golat, ndërsa në këtë drejtim së fundmi në pah kanë dalë edhe Ajdogan dhe Aldair, dy nga golashënuesit në ndeshjen e fundit kundër Shkëndijës.
Në ndeshjen e nesërme Gostivari do të duhet të luaj pa shërbimet e sulmuesit Elvis Mashike, teksa vendin e tij me shumë gjasa do ta zë Marko Simonovski.
NDESHJET E DERITANISHME
Struga Trim Lum dhe Gostivari nesër do të zhvillojnë ndeshjen e tyre të 10-të zyrtare dhe vetëm të katërtën në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Parë. Kur janë në pyetje ndeshjet e elitës, neve qëndrojmë më mirë, pasi numërojmë dy fitore dhe një disfatë në ndeshjet e deritanishme, ndërkohë kur së bashku garonim në Ligën e Dytë, ishte Gostivari skuadra që shënonte rezultate më të mira.
Nga 6 ndeshje të zhvilluara, Struga Trim Lum numëron 1 fitore, 2 barazime dhe 3 disfata.
NDESHJA E FUNDIT MES NESH
Ndeshja e fundit kundër Gostivarit ishte ajo e datës 4 maj, kur Struga Trim Lum falë golit të shënuar nga Marjan Radeski, shënoi fitore minimale 1:0. Në atë ndeshje mesfushori ynë Hogan Ukpa ishte ndëshkuar me kartonë të kuq që në pjesën e parë, mirëpo pavarësisht disavantazhit numerik në fushë, neve dolëm fitues në atë ndeshje.
Ndryshe fitorja e parë ndaj Gostivarit në ndeshjet e ligës së parë, daton nga gushti i vitit të kaluar, kur në kuadër të xhiros së parë të sezonit 2023/24, kishim shënuar fitore 2:0, falë golave të shënuar nga Marjan Radeski dhe Senad Jaroviç.
FAKTE INTERESANTE
Në tre ndeshjet e fundit kundër Gostivarit, Marjan Radeski ka shënuar dy gola nga gjithsej 4 që kemi shënuar ndaj tyre.
Interesant është fakti se golashënuesi ynë më i mirë i sezonit të kaluar, që të dy golat ndaj Gostivarit i ka shënuar në ndeshjet si vendas, edhe atë në të njëjtën minutë, 22’.
MUNGESAT
Edhe në ndeshjen e nesërme trajneri Qatip Osmani nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e kapitenit Bunjamin Shabani. Përveç tij tashmë një kohë më të gjatë jashtë fushave të futbollit janë edhe Besmir Bojku dhe Hadis Tairi, ndërsa së fundmi në lëndime të natyrës më të lehtë janë ankuar edhe Lanre Kehinde, Besart Krivanjeva dhe Hogan Ukpa.
Këta tre të fundit sot ishin pjesë e stërvitjes së bashku me grupin, ashtu që për paraqitjen e tyre në ndeshjen e nesërme do të vendoset vetëm pak para ndeshjes, kuptohet nëse të njëjtit ndihen plotësisht të gatshëm për të kontribuar për skuadrën.
DEKLARATA E TRAJNERIT OSMANI
“Ndeshje derbi, ndeshje ku nuk duhet të gabojmë. Pas këtyre rezultateve të fundit edhe neve si staf, por edhe lojtarët nuk ndjehemi mirë, mirëpo shpresojmë se pikërisht nesër do të ndodh ajo kthesa dhe se do të lidhim një seri të rezultateve pozitive”.
ZYRTARËT E NDESHJES
Do të jetë paraqitja e parë në Strugë për Marjan Mlladenovskin këtë edicion, i cili na ka referuar 5 herë nga ngritja e tij në listën e arbitrëve në Ligën e Parë.
Fitore ndaj Bregallnicës (1:0), AP Brera (3:1) dhe Gostivarit (1:0), barazim 2:2 ndaj Bregallnicës dhe disfatë 2:1 nga Boreci.
Në anën tjetër Gostivari nuk mund të krenohet me ndonjë fitore nën vëzhgimin e tij, pasi në 6 ndeshje që ju ka referuar atyre, skuadra nga Pollogu ka regjistruar dy disfata dhe katër barazime, përfshirë këtu edhe barazimin e këtij edicioni kundër Tikveshit në Kavadar.
Arbitër kryesor: Marjan Mlladenovski
Asistentë: Dejan Kostadinov, Kristijan Xhonov
Arbitër i katërt: Krumisllav Gjorgiev
Delegatë: Dragan Bllazhovski
Kontrollues: Bllagoj Shuklev
NDESHJA
Ndeshja derbi midis Struga Trim Lum dhe Gostivarit do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 14:00. Dyert e stadiumit do të jenë të hapura orë më parë, me qëllim që të gjithë tifozët e interesuar me kohë të pozicionohen në vendet e tyre në shkallët e stadiumit, aty ku besojmë se do të kemi një përkrahje të madhe nga ana e juaj dhe se së bashku do të festojmë në fundin e ndeshjes.
Ndryshe ndeshjen midis Struga Trim Lum dhe Gostivarit, do të mund ta ndiqni drejtëpërdrejtë edhe përmes kanalit zyrtarë të FFM-së në youtube.