Java e 11-të na dërgon në Tetovë, nga ku kemi kujtime shumë të bukura së fundmi, pasi pikërisht pas një fitore direkte ndaj Shkëndijës, rivalit të nesërm, neve u shpallëm kampion….
Derbi i parë i këtij edicioni kundër Shkëndijës është këtu dhe i njëjti do të zhvillohet në Tetovë, nga ku kemi kujtime shumë të mira. Pikërisht fitorja 2:0 në ndeshjen e fundit në këtë impiant na mundësoi që të shpallemi kampion në një ndeshje direkte për titull.

Këtë herë gjërat qëndrojnë më ndryshe, pasi nesër rrumbullaksojmë vetëm pjesën e parë të sezonit, për të vijuar më pas edhe me dy etapa, pas të cilave edhe zyrtarisht do të mësojmë kampionin e ri.
E deri atëherë, neve me plotë meritë mbajmë epitetin e kampionit dhe si të tillë udhëtojmë për ndeshjen e rradhës kundër Shkëndijës, ndaj së cilës do të zhvillojmë ndeshjen e 15-të kampionale.
8 prej tyre deri më tani i kemi zhvilluar si mysafir ndaj kësaj skuadre, ku numërojmë 4 fitore dhe 4 barazime. Pa dyshim, fitorja më e ëmbël mbetet ajo e sezonit të kaluar.

NDESHJA E FUNDIT
Ndeshja e fundit në Tetovë na rikthen shumë emocione, por njëkohësisht edhe në histori, pasi e njëjta na mundësoi që të shpallemi kampion. Fitorja 2:0 ndaj rivalit direkt për titull në fund shijonte edhe më shumë, pasi në atë mënyrë dëshmon se je më i miri.
Golat e Besart Ibraimit dhe Marjan Radeskit para tribunave të mbushura, na e siguruan fitoren, ndërsa assesi nuk mund ti harrojmë fjalët motivuese të trajnerit Meriton Gega, para se skuadra të zbriste në fushën e blertë:
“𝐊𝐞𝐭𝐞 𝐥𝐨𝐣𝐞 𝐞 𝐟𝐢𝐭𝐨𝐣𝐧𝐞 𝐛𝐮𝐫𝐫𝐚𝐭…
𝐇𝐲𝐣𝐦𝐞 𝐬𝐢 𝐛𝐮𝐫𝐫𝐚, 𝐝𝐡𝐞 𝐥𝐞 𝐭𝐞 𝐝𝐚𝐥𝐢𝐦 𝐬𝐢 𝐛𝐮𝐫𝐫𝐚…”
Pra le të futemi edhe sot në këtë ndeshje si burra dhe te lë të dalim si burra.

FAKTE DHE STATISTIKA
Sot kundër Shkëndijës do të zhvillojmë gjithsej ndeshjen e 16-të, përfshirë këtu edhe atë ndeshje çerekfinale të Kupës të sezonit 2021/22, kur falë penaltive kishim vazhduar tutje, pasi ndeshja në kohën e rregullt ishte mbyllur pa gola.
Ndryshe nga gjithsej 14 ndeshje të zhvilluara në historikun e ndeshjeve të Ligës së Parë, jemi ne skuadra në avantazh përballë Shkëndijës.
Gjithsej 7 fitore për Struga Trim Lum, kundrejt 4 fitoreve të Shkëndijës, derisa 3 ndeshje janë mbyllur me barazime.
17 gola kemi shënuar neve, ndërsa Shkëndija 14-të. Janë plotë 4 futbollistë që kanë shënuar nga dy gola kundër “kuqezinjëve”, edhe atë tre prej tyre janë ende pjesë e skuadrës, si Hristijan Maleski, Marjan Radeski dhe Bunjamin Shabani, me këtë të fundit që nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë skuadrën, kjo për shkak dëmtimit, që tashmë e ka larguar atë për një kohë më të gjatë nga fushat e blerta.

- Gëzon fakti se asnjë nga 14 ndeshjet e deritanishme mes nesh në kuadër të Ligës së Parë, nuk ka përfunduar pa gola.
- Ndeshja e vetme e tillë (pa gola), ishte ajo e sezonit 2021/22, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës. Atë ndeshje golin e fundit dhe të fitores në ruletin e penaltive për skuadrën e Struga Trim Lum e shënonte, Klisman Cake, që sot mbron ngjyrat e Shkëndijës.
- Ndeshja me më shumë gola, ishte ajo e 13 shkurtit të vitit 2022, kur në Tetovë neve kishim pësuar disfatë 3:1.
- Struga Trim Lum katër herë ka arritur që të ruajë portën e paprekur në ndeshjet kundër Shkëndijës.
- Ndeshja e nesërme do të jetë e dyta që do ta zhvillojmë gjatë muajit tetor, ndërsa më së shumti ndeshje kundër njëri tjetrit kemi zhvilluar gjatë muajit nëntor, gjithsej 4.
- Bojan Ilievski të dielën kundër Shkëndijës zhvillon ndeshjen e tij të 140 në Ligën e Parë dhe të 11-tën me fanellën e Struga Trim Lum.
- Arbitër kryesor i takimit të sotëm do të jetë Stojan Trpçevski, arbitër ky që ndante drejtësinë edhe në ndeshjen e fundit tonën në Tetovë, kur kishim shënuar fitore 2:0.
KUNDËRSHTARI
Shkëndija aktualisht ndodhet në pozitën e dytë, me një epërsi prej 5 pikësh ndaj nesh. Ata në 10 ndeshjet e deritanishme kanë regjistruar 5 fitore, 4 barazime dhe vetëm një disfatë. Dyshja Fiton Ademi-Besart Ibraimi me nga 5 gola të shënuar figurojnë si më të rrezikshmit te skuadra kundërshtare, që nesër nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Vane Kërstevskit dhe Daouda Bamba, ndërsa në pikëpyetje është edhe paraqitja e Valon Ahmedit.
Në anën tjetër, në skuadër rikthehet Stefan Kocev, pas pezullimit prej dy ndeshjeve për kartonin e kuq ndaj Sileksit.

MUNGESAT
Sa u përket mungesave në klubin tonë, ato vazhdojnë të jenë të njëjtat, tashmë një kohë më të gjatë. Pra, për shkak dëmtimeve, skuadrën nuk do të mund ta ndihmojnë kapiteni Bunjamin Shabani, Besmir Bojku dhe Hadis Tairi.
Që të tre po vazhdojnë terapinë e duhur, ashtu që presim që së shpejti ti bashkohen grupit.

ZYRTARËT E NDESHJES
Stojan Trpçevski është caktuar për të gjykuar ndeshjen e së dielës. Ai ka ndarë 56 kartonë të verdhë në nëntë ndeshje deri më tani këtë edicion.
Ai për herë të fundit në një ndeshje të Struga Trim Lum ishte përfshirë vetëm para 22 ditëve, në ndeshjen në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur mundëm Vardarin me shifrat 4:1.
Mirëpo kjo nuk është ndeshja e vetme që na ka referuar këtë edicion. Trpçevski na kishte referuar edhe në ndeshjet kundër Voska Sport (1:1), Rabotniçki (0:2) dhe Besa Dobërdoll (1:0).
Deri më tani kundër Shkëndijës na ka referuar dy herë, dhe në të dyja rastet ishim neve që shënonim fitore me rezultatin 2:0. Fillimisht një gjë të tillë me Trpçevskin arbitër, kishim bërë me 1 maj të vitit 2021, ndërsa hera e fundit, ishte ndeshja e edicionit të kaluar, e zhvilluar sërish në maj (12.05.2024).
Ndeshja e ditës së sotme kundër Shkëndijës do të jetë e 8-ta që Trpçevski do na referojë vetëm gjatë vitit 2024, dhe e 18-ta në kuadër të Ligës së Parë.
Arbitër kryesor: Stojan Trpçevski
Asistentë: Kushtrim Lika, Slagjan Markoski
Arbitër i katërt: Stojançe Stojanov
Delegatë: Antonio Nasevski
Kontrollues: Marjan Kirovski

NDESHJA
Ndeshja e javës së 11-të në Ligën e Parë midis Shkëndijës dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 13:00. Pra gjithë ju që dëshironi të jeni në stadium në kohën e duhur, kujdes akrepat e orës, pasi mbrëmjen që lamë pas u bë ndryshimi i orës, kur saktë në ora 03:00 pas mesnate, akrepat u rikthyen një orë mbrapa, 02:00.
Ndeshjen derbi midis dy skuadrave shqiptare do të keni mundësi ta ndiqni drejtëpërdrejtë përmes kanalit zyrtarë të FFM-së në youtube.