Pas pushimit prej dy javësh rikthehemi sërish me ndeshjet në kampionat. Java e 5-të na vë përballë Pelisterit në Manastir, ndeshje kjo që në program është të dielën me fillim në ora 15:00…
Struga Trim Lum rikthehet në aksion pas pauzës dy javore, e që erdhi për shkak paraqitjes së përfaqësueses futbollistike të vendit tonë në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kundërshtarë i yni i rradhës në kampionat është Pelisteri, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir.
Tre pikët janë objektivi ynë kryesor, pasi të njëjtat kanë një peshë të lartë specifike. Synimi është fitorja e parë në ndeshjet në transfertë këtë edicion, për t’iu qasur me besim më pas edhe ndeshjeve të Kupës, e ku ajo e raundit të parë na pret në mesjavë.
Por njëherë të flasim për ndeshjen e së dielës kundër Pelisterit në Manastir.
Punë intensive gjatë stërvitjeve në këto dy javë nga futbollistët tanë, që dëshirojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive në kampionat. Për ta bërë këtë, do të jetë thelbësore të kapërcehet pengesa e quajtur Pelister, duke marrë parasysh grackat që fsheh çdo ndeshje pas kthimit nga pushimi.
Në mungesë të kapitenit tonë, Bunjamin Shabani, Stefan Jevtoski pritet të jetë violina e parë e skuadrës në mesfushë. Kehinde është i favorizuar në qendër të sulmit, aty ku pritet të jetë i shoqëruar nga Marjan Radeski. Arbi Vosha është kandidat për një vend në korsitë e avancuara, ndërsa më shumë paqartësi pritet të ketë në vijën e mbrojtjes, aty ku garojnë më shumë emra.
Jashtë kombinimit tashmë një kohë më të gjatë janë dy struganët, Hadis Tairi dhe Besmir Bojku. Ky i fundit ka filluar të stërvitet me grupin dhe ku pa dyshim se është një super lajm për ekipin, por edhe për trajnerin Qatip Osmani.
Struga Trim Lum në këtë ndeshje futet pas fitores së madhe 2:0 ndaj AP Brera. Jevtoski dhe Kehinde ishin autorë të golave. Ishin këto golat e tyre të parë me fanellën e skuadrës tonë, që në pushim shkoi me 9 pikë në konto, duke e mbyllur kështu pauzën e parë ndërkombëtare në kampionat në pozitën e dytë.
“Çdo pauzë në kampionat është e mirëseardhur. Në ndeshjet e kaluara që i kemi zhvilluar, pamë disa mungesa, sidomos në fazën realizuese, ku pikërisht në këto dy javë kemi punuar në atë drejtim.” – u shpreh trajneri Qatip Osmani, i cili foli edhe për kundërshtarin e rradhës, Pelisterin.
“Bëhet fjalë për një skuadër të papërshtatshme. Këto 4 ndeshjet që i ka zhvilluar në kampionat, ndryshe ka luajtur si mysafir, ndryshe si vendas. Sigurisht që neve i kemi marrë parasysh të dy opcionet dhe sigurisht që jemi përgatitur në disa mundësi që të luajmë kundër Pelisterit.”
“Mendoj se kualiteti është në anën tonë, por megjithatë ne nuk duhet të shikojmë me kë luajmë. Me Pelisterin, apo me cilën do skuadër tjetër, imperativ kemi fitoren, pasi objektivat tona janë të qarta dhe ai epiteti i favoritit është në anën tonë, por nuk duhet të jemi të qetë, pasi futbolli është një lojë, ku nuk fiton çdoherë më i miri, ashtu që duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim.”
https://www.facebook.com/Fcstruga/videos/494052300102615
Pelisteri në 4 xhirot e deritanishme ka regjistruar 1 fitore, 1 barazim dhe 2 disfata, përfshirë këtu edhe disfatën e fundit kundër Shkëndijës në Tetovë.
Në dy ndeshjet si vendas kjo skuadër nuk dinë për disfatë, duke regjistruar fitore 1:0 ndaj Sileksit, derisa kishte barazuar 1:1 me Gostivarin. Në të dyja ndeshjet si mysafir, kjo skuadër pësoi disfata, edhe atë 0:1 nga Vardari dhe 0:2 nga Shkëndija.
NDESHJET E DERITANISHME
Ndeshja e nesërme në Manastir do të jetë e 7-ta në kuadër të ndeshjeve në Ligën e Parë. 4 fitore për skuadrën tonë, një barazim dhe një disfatë është epilogu i këtyre takimeve në mesin e më të mirëve, derisa 3 herë ndaj tyre kemi luajtur edhe në ndeshjet e Ligës së Dytë.
Edhe aty jemi më të mirë, duke regjistruar dy fitore dhe një barazim, ndërsa edhe 4 fitore të tjera, nga po aq ndeshje të zhvilluara kemi regjistruar në përballjet kontrolluese.
Gjithsej 10 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë, është epilogu i përgjithshëm i ndeshjeve ndaj Pelisterit.
6 VITE MË PARË ZHVILLONIM NDESHJEN E PARË ZYRTARE
15 shtatori i ditës së nesërme na rikujton edhe ndeshjen e parë zyrtare ndaj Pelisterit. Atë kohë, saktë 6 vite më parë, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Dytë, kishim regjistruar fitore me shifrat 2:1.
Shpresojmë të paktën një gjë e tillë të përsëritet edhe në takimin e nesërm.
ZYRTARËT E NDESHJES
Aleksandar Stavrev do të na referojë për herë të parë këtë edicion. Deri më tani, një ndër arbitrët më të mirë vendor ka drejtuar dy ndeshje të Ligës së Parë, ndërsa gjithashtu dy ndeshje tjera referoi në kuadër të kupave Europiane.
Ndeshjen e play-off të Ligës së Konferencës midis Astana dhe Brann, si dhe ndeshjen e raundit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve midis Hamrun Spartans dhe Lincoln Red Imps.
Ndryshe deri më tani Stavrev na ka referuar në 13 ndeshje, nga të cilët në 7 kemi dalë fitues, në tre ndeshje kemi barazuar, derisa në 3 ndeshje kemi shijuar edhe humbjen.
Arbitër kryesor: Aleksandar Stavrev
Asistues: Dejan Kostadinov, Goce Petreski
Arbitër i katërt: Bobi Veliçkov
Delegatë: Lazar Prodanov
Kontrollues: Delço Jakimovski.
NDESHJA
Ndeshja midis Pelisterit dhe Struga Trim Lum në program është të dielën (15.09) me fillim në ora 15:00, ndërsa në të njëjtën kohë do të zhvillohen edhe 5 ndeshjet e tjera të javës së 5-të. Pas 4 xhirove të para, Struga Trim Lum me 9 pikë renditet në pozitën e dytë, ndërkohë Pelisteri me 4 pikë mban pozitën e 9-të.
Ndeshjen kundër Pelisterit do ta zhvillojmë në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir, ndërsa të njëjtën do të mund ta ndiqni drejtëpërdrejtë përmes kanalit zyrtarë të FFM-së në youtube.