PREVIEW | FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM

Pas suksesit tonë të fundit kundër Pelisterit në shtëpi, të martën në Shkup do të përballemi me skuadrën e FC Shkupit. Kjo ndeshje duheshe të luhet të dielën e 01 dhjetorit, mirëpo për shkak kushteve të rënda klimatike ishte shtyrë për datë 03 dhjetor…

Përballja FC Shkupi-Struga Trim Lum pritej me padurim nga tifozët e të dyja skuadrave, mirëpo vendimi i fundit i FFM-së që ndeshjet e javës së 17-të, të luhen pa praninë e publikut, ka zbehur gjithçka në mesin e tyre, ashtu që mënyra e vetme për të përcjellë skuadrat e tyre të zemrës, do të jetë kanali zyrtarë i FFM-së në youtube.

Të martën do të jetë hera e 17-të që neve do të përballemi ndaj FC Shkupit në historikun e ndeshjeve të Ligës së Parë. Kundërshtari ynë ka dy fitore më shumë se ne, përfshirë këtu edhe fitoren në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Strugë.

Komuniteti i futbollit në vend mezi pret të martën, për të parë se kush do të dalë fitues këtë herë.

STRUGA TRIM LUM – FC SHKUPI, FORMA MOMENTALE

Pas suksesit tonë të fundit kundër Pelisterit në Strugë, neve synojmë të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive, duke synuar në këtë mënyrë që të mbajmë presionin mbi skuadrat kryesuese në tabelën e klasifikimit.

Mbi të gjitha, një fitore nesër në stadiumin e Çairit, do na afronte edhe më tepër me skuadrat sipër nesh, kjo për faktin se mes vete do të përballen dy skuadrat e para në tabelë, Sileksi dhe Gostivari.

Struga Trim Lum ndodhet në një seri prej 7 ndeshjeve pa humbje, nëse këtu përfshijmë edhe fitoren 2:0 ndaj Makedonija Gj.P, ndeshje kjo e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë.

Ndryshe, në kampionat numërojmë 4 fitore dhe 2 barazime. Disfatën e fundit e kishim pësuar në terren vendas përballë Sileksit me 20 tetor, ndërsa e fundit dhe e vetmja nga ndeshjet në transfertë, daton nga 25 gushti, kur në arenën “Todor Proeski” në Shkup, ishim mundur nga Rabotniçki.

FC Shkupi ndodhet në një krizë të thellë të rezultateve me trajnerin Erdem Alparslan. Ky i fundit e kishte nisur mjaft mirë aventurën te kjo skuadër, duke debutuar me fitore në ndeshjen ndaj AP Brera, për të vijuar më pas me një barazim pa gola në Manastir ndaj Pelisterit dhe një fitore tjetër ndaj Tikveshit në kuadër të xhiros së 11-të.

Që nga ajo ndeshje e 27 tetorit, FC Shkupi ka pësuar 5 disfata të njëpasnjëshme, me një gol-averazh, 3:11. 

FAKTE DHE STATISTIKA

FC Shkupi është ndër skuadrat e rralla që mund  të lëvdërohet me një epilog më të mirë përballë nesh në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Parë. 7 fitore ka arritur skuadra nga Çairi, derisa neve numërojmë 5 fitore ndaj tyre. Me barazim janë mbyllur katër ndeshje, dy prej të cilave pa gola të shënuar.

Fitoren e vetme në rolin e mysafirit ndaj FC Shkupit, e kemi regjistruar me 16 dhjetor të vitit 2020, kur falë golave të shënuar nga Klisman Cake dhe Abdylhadi Jahja, kishim triumfuar me shifrat 2:1.

Pikërisht kjo ndeshje ishte e vetmja që e kemi zhvilluar gjatë muajit dhjetor. Të shpresojmë që edhe këtë herë do na buzëqeshi ky muaj i fundit i vitit në përballjet ndaj FC Shkupit.

INFORMACIONET E FUNDIT

Për shkak të numrit të përmbushur të kartonëve të verdhë, nesër kundër FC Shkupit, trajneri Qatip Osmani nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e kapitenit të deritanishëm, Ard Kasami. Sa i përket kapitenit të parë të skuadrës, Bunjamin Shabani, i njëjti pritet të jetë sërish në bankinë, mirëpo nuk mund të thuhet se do të mund të luaj, kjo për shkak frikës së ripërsëritjes së dëmtimit, kur kemi parasysh fushat jo adekuate për lojë, pas reshjeve të fundit të shiut.

Pjesa tjetër e skuadrës janë OK, dhe që të gjithë janë të gatshëm për të dhënë më të mirën nga vetja, nëse ju jepet mundësia, me përjashtim të dyshes, Besmir Bojku-Hadis Tairi, që vazhdojnë rikuperimin.

ZYRTARËT E NDESHJEVE

Pasi Kishte referuar ndeshjen tonë kundër Rabotniçkit muajin e kaluar, Dimitar Pileshkov rikthehet në krye të një ndeshjeje tjetër kundër FC Shkupit. Do të jetë kjo ndeshja e tretë që arbitri nga Shtipi do të ndajë drejtësinë në përballjet ndaj këtij rivali, përfshirë këtu edhe ndeshjen e parë të këtij sezoni në Strugë.

Ne kemi fituar 9 nga gjithsej 16 ndeshje që na ka referuar, teksa kemi humbur vetëm dy nga gjithsej 6 ndeshjet e fundit brenda vitit 2024. Për dallim nga ne, FC Shkupi ka më shumë disfata se fitore, kur arbitër kryesor ka qenë Dimitar Pileshkov, duke numëruar 4 fitore, 2 barazime dhe 5 disfata, përfshirë këtu tre disfata të vitit aktual kalendarik.

Pileshkov ka treguar 74 kartonë të verdhë në 14 paraqitjet e tij në Ligën e Parë gjatë këtij sezoni, teksa rekordin e mban pikërisht në një ndeshje të skuadrës tonë kundër Tikveshit me 05 dhjetor të vitit 2021, kur kishte treguar gjithsej 11 kartonë të verdhë.

Ndryshe vlen të theksohet se debutimin e tij si arbitër në Ligën e Parë, e ka bërë pikërisht në një ndeshje të skuadrës tonë, me 09 maj të vitit 2021, kur neve triumfonin me shifrat 1:0 ndaj Vardarit.

Arbitër Kryesor: Dimitar Pileshkov

Asistentë: Daniell Vasilevski, Kristijan Xhonov

Arbitër i katrët: Stojançe Stojanov

Delegatë: Goce Stojanovski

Kontrolllues: Marjan Markoski

NDESHJA

Ndeshja midis FC Shkupit dhe Struga Trim Lum do të luhet të martën në stadiumin e Çairit me fillim në ora 13:00. Kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, ndërsa duke pasur parasysh se asnjë nga mediat vendore nuk ka të drejtën e transmetimeve të ndeshjeve të Ligës së Parë, të njëjtën do të mund ta ndiqni përmes kanalit zyrtarë të FFM-së në youtube.