Pas pak më shumë se një viti të dielën rikthehemi të luajmë në Strumicë kundër AP Brera…
Moti po bëhet më i ftohtë, por gjërat po nxehen për Struga Trim Lum, skuadër kjo që vazhdon të ngjitet në renditje, falë një serie pozitive të rezultateve në ndeshjet e fundit.
Kampionët në fuqi të dielën do të përballen me AP Brera në Strumicë, duke shpresuar që edhe pas kësaj ndeshje seria e fitoreve nuk do të ndërpritet.
Struga Trim Lum ka regjistruar tre fitore të njëpasnjëshme, derisa AP Brera në dy ndeshjet e fundit ka pësuar po aq disfata.
KUNDËRSHTARI: AP BRERA
AP Brera në 7 ndeshjet e deritanishme si vendas, ka regjistruar 3 fitore, 2 barazime dhe 2 disfata. Sileksi ishte skuadra e fundit që ju kishte marrë masën atyre në Strumicë, derisa një disfatë tjetër në shtëpi, kjo skuadër e kishte pësuar nga Shkëndija, që në xhiron e tretë.
Ndryshe, sezonin në fjalë, AP Brera e kishte nisur mjaft mirë, me një fitore 3:1 ndaj Vardarit. Një fitore tjetër e kishte arritur edhe ndaj Besës së Dobërdollit (3:2), ndërkohë fitoren më të thellë dhe të fundit në terren vendas, kjo skuadër e kishte regjistruar në ndeshjen ndaj Pellisterit.
4:0 kishte përfunduar kjo ndeshje në favor të AP Brera, që tashmë gati dy muaj nuk dinë për fitore në Strumicë.
IVKOVIÇ, GOLEADORI I AP BRERA
AP Brera për momentin nuk mund të lëvdërohet me rezultate pozitive, mirëpo kjo skuadër pa dyshim se mund të lëvdërohet me golashënuesin më të mirë të kampionatit, që e ka në rradhët e veta. Fjala është për serbin, Djordje Ivkoviç, i cili në 14 ndeshje ka realizuar 9 gola dhe për momentin udhëheq listën e golashënuesve, para treshes, Besart Ibraimi, Marko Gjorgjievski dhe Lanre Kehinde, që kanë nga 7 gola.
Ivkoviç në tre ndeshje ka realizuar nga dy gola, edhe atë kundër Vardarit, Besës së Dobërdollit dhe së fundmi Shkëndijës. Një gol tjetër i njëjti kishte realizuar sërish kundër Vardarit, ndërkohë gjithashtu kishte qenë preciz edhe në ndeshjet ndaj Pelisterit dhe FC Shkupit.
Mbrojtja ynë deri më tani i’a ka dalë mbarë përballë sulmuesit shtatëlartë, i cili te AP Brera po zhvillon sezonin e tij të dytë, duke pasur parasysh se skuadrës nga Strumica iu bashkua janarin e këtij viti.
FAKTE DHE STATISTIKA
Bilanci i ndeshjeve të deritanishme është i barabartë, teksa dallon vetëm gol-averazhi, që flet në anën tonë. Nga 5 fitore numërojmë secila skuadër, derisa 5 ndeshje tjera janë mbyllur me barazime.
Nëse ju referohemi dy ndeshjeve të fundit që kemi zhvilluar në Strugë, neve ishim superior, duke regjistruar dy fitore me një gol-averazh 5:1.
Mirëpo kujtimet nuk janë të mira nga ndeshja e fundit e zhvilluar në Strumicë, aty ku ishim mundur me shifrat 2:1. Një gjë e tillë kishte ndodhur pak më shumë se para një viti, derisa fitoren e vetme në fushën e kundërshtarit tonë të rradhës e kishim regjistruar shtatorin e vitit 2022, kur falë golave të shënuar nga Bunjamin Shabani, Besart Ibraimi dhe Zija Merxhani, kishim regjistruar fitore 3:0.
Njëherit është kjo fitorja më e thellë e skuadrës tonë në përballjet ndaj AP Brera, ndaj së cilës skuadër të dielën do ta zhvillojmë ndeshjen e 16-të kampionale.
INFERMERIA
Pushimi ndërkombëtar na siguroi një hapësirë prej dy javësh për të provuar të aftësojmë disa nga futbollistët e dëmtuar të skuadrës tonë në prag të ndeshjes kundër AP Brera të dielën.
Lidhur me gjendjen momentale të futbollistëve të dëmtuar, ka folur ndihmës trajneri Bashkim Livoreka.
“Sa u përket futbollistëve të lënduar, Bojku dhe Shabani dalë nga dalë kanë filluar të bashkëngjiten me grupin, por me një tempo më të vëmendshme dhe përparimi i tyre na jep shpresë për në vijim, kurse Hadisi është në post rehabilitim dhe atë e presim së shpejti të na bashkëngjitet”.
Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për të dhënë më të mirën, përfshirë këtu edhe treshen Bojan Ilievski, Shaban Zenku dhe Bekim Kamberi, që kishin obligime me ekipet përfaqësuese të Maqedonisë.
Ilievski ishte pjesë e përfaqësueses “A” të Maqedonisë, duke luajtur minutat e tij të para me fanellën “verdhekuq” në ndeshjen kundër Ishujve Faroe, ndërsa Zenku dhe Kamberi morrën minuta të konsiderueshme në dy ndeshjet kundër Kosovës.
ZYRTARËT E NDESHJES
Aleksandar Grujoski nga Kërçova do të drejtojë ndeshjen e tij të 10-të këtë edicion në Ligën e Parë, dhe të tretën ndaj AP Brera. Ndryshe takimi i nesërm do të jetë i pari që Grujoski do të të na referojë në këtë kampanjë, dhe i dyti në përgjithësi në ndeshjet ndaj AP Brera.
Grujoski na kishte sjellë fat në ndeshjen e parë të referuar me 4 shtator kundër AP Brera, pasi në atë ndeshje neve kishim triumfuar me shifrat 3:0. Njëherit kjo është edhe fitorja e vetme ndaj këtij kundërshtari në Strumicë, aty ku shpresojmë që Grujoski të na sjellë fat edhe në takimin e së dielës.
Arbitër kryesor: Aleksandar Grujoski
Asistentë: Zoran Jankullovski, Davor Cvetanoski
Arbitër i katërt: Marjan Stojanovski
Delegatë: Bllagoja Petrov
Kontrollues: Zoran Nikollovski
NDESHJA
Ndeshja midis AP Brera dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Bllagoja Istatov” në Strumicë me fillim në ora 13:00. Të njëjtën gjithë ju tifoz të dashur të skuadrës tonë, do të mund ta ndiqni drejtëpërdrejtë edhe në kanalin zyrtarë të FFM-së në youtube.