PRESS | Shabani: Na vjen keq për këtë disfatë, në ndeshjen e kthimit do bëjmë edhe më mirë

Kapiteni Bunjamin Shabani, pa dyshim se ishte një ndër futbollistët më të dalluar të takimit kundër Sllovan Bratisllava, ndaj së cilës skuadër në fund pësuam disfatë 4:2. Ishte kjo ndeshja e parë kundër kampionëve të Sllovakisë, ndaj të cilëve ndeshjen e kthimit në Ohër do ta zhvillojmë një javë më vonë…

Disfatë 4:2 në ndeshjen e parë të turit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve në transfertë kundër kampionëve sllovak të Sllovan Bratisllava, ndoshta nuk ishte pasqyra më e mirë, nga gjithë ajo që ndodhi në fushën e blertë, aty ku në disa momente Struga Trim Lum ishte madje edhe kundërshtarë më i mirë.

Një gjë e tillë mund të thuhet sidomos për pjesën e dytë, kur edhe arritëm të barazojmë shifrat, pavarësisht disavantazhit 2:0 gjatë 45 minutave të para.

Megjithatë disa pakujdesi në mbrojtje, bënë që në fund skuadra të pësoj disfatë, mirëpo që sipas kapitenit Shabani, nuk është se duhet të na demoralizojë, pasi numri 11 i ekipit, është i bindur se në Ohër do të paraqitemi edhe më mirë.

“Na vjen keq për këtë disfatë, pasi vërtetë treguam një lojë të mirë, sidomos në pjesën e dytë, kur edhe e kthyem rezultatin, dhe kur menduam se do të arrijmë një barazim, ndoshta edhe siç theksoi edhe trajneri, disa momente pakujdesie i pranuam dy gola. Megjithatë mendoj se nga kjo kemi mësuar shumë dhe besoj se në ndeshjen e kthimit do të bëjmë edhe më mirë” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani, i cili sonte zhvilloi ndeshjen e tij të 11-të me fanellën e Struga Trim Lum në kuadër të ndeshjeve europiane dhe të tretën vetëm në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve.