PRESS | Qatip Osmani dha opinionin e tij pas fitores ndaj Pyunik

Fitore minimale 2:1, por plotësisht e merituar, e cila mund të ishte kurorëzuar edhe me ndonjë gol tjetër, sidomos në pjesën e dytë, kur krijuam edhe shumë raste për gol. Ky ishte konstatimi i trajnerit Qatip Osmani, i cili pas përfundimit të ndeshjes ndaj armenëve të Pyunik foli në Konferencën për Shtyp të organizuar për gazetarë…

Struga Trim Lum regjistroi fitore 2:1 në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, duke thyer tabunë e fitoreve, kur janë në pyetje ndeshjet europiane të skuadrave nga vendi ynë përballë skuadrës së njohur kampione të Armenisë, Pyunik.

Fitorja edhe pse minimale, ka lënë të kënaqur trajnerin Qatip Osmani, i cili thotë se e njëjta duhet vlerësuar dhe se duhet bërë çmos për ta shfrytëzuar në ndeshjen e kthimit.  

“E filluam ndeshjen mbarë, shënuam në 15 minutat e para të takimit, që njëherit ishte edhe synimi ynë si skuadër, mirëpo më pas u vërejt një rënie në rradhët e skuadrës tonë, ndoshta edhe vetvetiu pas atij goli të shënuar, ashtu që mund të them se deri në fund të pjesës së parë, madje nuk e gjetëm veten si skuadër, ishim shumë konfuz, mirëpo në pjesën e dytë ndodhi dukshëm ndryshimi, e ndërruam sistemin e lojës, ndërsa mendoj se edhe zëvendësimet dhanë rezultat, përparësia është e vogël, asgjë nuk është kryer me këtë ndeshje, por prap se prap edhe pse kemi epërsi minimale duhet të vlerësohet dhe të shfrytëzojmë këtë përparësi që e kemi.” – tha trajneri Qatip Osmani, i cili në bazë të rasteve që krijuam, sidomos në pjesën e dytë, thotë se epërsia mund të ishte edhe më e thellë në favor të skuadrës tonë.  

“Në bazë të asaj që treguam në pjesën e dytë mendoj se meritonim një rezultat ndoshta edhe më të thellë, pas rezultatit 2:1 patëm disa raste, por fati nuk ishte në anën tonë, edhe pse rezultati duheshe të ishte më i thellë.” – u shpreh Osmani, i cili në pyetjen e gazetarëve foli edhe për ndeshjen e kthimit në Jerevan.

“Duhet të jemi optimist për ndeshjen e kthimit, epërsia është epërsi, qoftë ajo edhe minimale. Një gol diferencë nuk do të thotë që neve të shkojmë atje dhe të mbrohemi dhe të luajmë totalisht në defanzivë. Janë edhe 90 minuta tjera dhe duhet të jemi të mençur dhe të dalim në fushë për të fituar dhe për tu kualifikuar për më tej” – përfundoi trajneri Qatip Osmani, për të cilin ishte kjo fitorja e parë në një ndeshje zyrtare në garat europiane nën drejtimin e skuadrës tonë.

Ndeshja e kthimit midis Pyunik dhe Struga Trim Lum, në program është me datë 30 korrik me fillim në ora 18:00.