PRESS | Osmani: Rezultati nuk është i paarritshëm

Disfata 4:2 në transfertën në Bratisllavë kundër 14 herë kampionëve të Sllovakisë, ndoshta nuk është edhe pasqyra reale, me atë që ndodhi në fushën e blertë të stadiumit “Tehelné pole”, aty ku të pranishmit patën mundësinë të shohin një futboll shumë cilësor dhe të hapur me shumë gola…

Përkundër disfatës 4:2 në ndeshjen e parë të turit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve kundër Sllovan Bratisllava në transfertë, trajneri Qatip Osmani, është optimist.

Ai në Konferencën për shtyp të organizuar menjëherë pas ndeshjes, tha se rezultati nuk është i paarritshëm, në bazë të gjithë asaj që skuadra e tij tregoi sonte para të pranishmëve në stadiumin “Tehelné pole” në Bratisllavë.

Gabimet në mbrojtje gjatë 45 minutave të para, ishin ato që i kushtuan shumë skuadrës, që tentoi të rikthehet në pjesën e dytë, gjë që edhe e arriti, mirëpo gabimet individuale në fundin e takimit, bënë që në fund nga kjo transfertë e vështirë të rikthehemi me disfatë.

“Sa i përket lojës, mendoj se në pjesën e parë vendosën momentet e pakujdesisë të lojës tonë në mbrojtje, kur edhe i pranuam dy gola. Në pjesën e dytë shumë shpejtë u rikthyem, edhe menaxhimin e lojës mendoj se e kishim në nivelin e duhur, fundi i ndeshjes, minuta e 85-të nëse nuk gaboj, pranuam golin e tretë, prap edhe këtu një gabim individual, në vazhdim prap e njëjta gjë u përsërit, ndoshta ra edhe koncentrimi në ato momente, që edhe ndodh në fund të ndeshjeve. Megjithatë ne jemi optimistë, mendoj se rezultati 4:2 nuk është i paarritshëm dhe do të bëjmë çmos për të anuluar këtë rezultat.” – deklaroi trajneri Qatip Osmani, i cili paralajmëron kundërshtarin për ndeshjen e kthimit në vendin tonë.

“Edhe pse kemi një kundërshtarë shumë të fortë përballë, shumë kualitativ, që ka edhe lojtar individual shumë kualitativ, të cilët dinë që ta kthejnë ndeshjen në favor të tyre, por megjithatë unë thash edhe më herët, neve do bëjmë çmos për të anuluar këtë epërsi të Sllovan Bratisllava, sepse edhe neve si skuadër besojmë se treguam se kemi forcë dhe kualitet që na jep një shpresë për një rezultat kalues.” – përfundoi Qatip Osmani.

Ndeshja e kthimit Struga Trim Lum-Sllovan Bratisllava, në program është me datë 17 korrik në stadiumin e qytetit në Ohër, me fillim në ora 17:00.