PRAG NDESHJA | BREIDABLIK – STRUGA TRIM LUM

Gjatë ditës së sotme na pret ndeshja e kthimit e fazës “play-off” të Ligës së Konferencës kundër skuadrës së Breidablik. Synimi për këtë takim është i qartë, fitore dhe kualifikim në fazën e grupeve, duke mbyllur kështu një ndër edicionet më të suksesshme në Europë.

NDESHJA E PARË

Ndeshja e parë në Ohër u mbyll me fitore minimale 1:0 të Breidablik, skuadër kjo që duhet theksuar se kishte edhe fat, pas gjithë atyre rasteve të krijuara nga ana e skuadrës tonë, në veçanti të sulmuesit, Besart Ibraimi.

Pikërisht sulmuesi kërçovarë pritet të jetë violina e parë në sulmin e skuadrës tonë, kuptohet i ndihmuar edhe nga kapiteni Bunjamin Shabani, por edhe Mentor Mazrekaj. Kjo treshe pritet të rrezikojë më së shumti portën kundërshtare.

MUNGESAT

Trajneri Shpëtim Duro edhe në këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e  sulmuesit Marjan Radeski, i cili nga ana e UEFA-s ishte pezulluar për dy ndeshje (mungoi edhe në ndeshjen e parë ndaj Breidablik në Ohër), si dhe të Vangjel Zguro, i cili pas dy kartonëve të verdhë në ndeshjen e parë në Ohër, është dënuar me një ndeshje.

“Patjetër që janë dy mungesa të rëndësishme në formacion, aq më shumë Radeski, që ka munguar edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Ohër. Është një mungesë shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh formën aktuale që gëzonte dhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në aspektin ofenziv. Gjithashtu edhe Zguro ka qenë një lojtar që ka luajtur stabël, dhe ka kontribuar për arritjet e kësaj skuadre deri në këto momente, por do mundohemi të marrim masat e duhura, për ti zëvendësuar në këtë ndeshje” – u shpreh trajneri Duro gjatë konferencës për shtyp gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë pavarësisht se lëshoi fushën para kohe në ndeshjen e parë në Ohër, Mentor  Mazrekaj është rikuperuar me kohë dhe do të jetë në disponim për lojë.  

RIKTHEHET SHPËTIM DURO

Lajm i mirë është rikthimi i trajnerit Shpëtim Duro, i cili për shkak të pezullimit nga ana e UEFA-s për një ndeshje, mungoi në ndeshjen e parë në Ohër. Ai ndeshjen kundër Breidablik e ndoqi nga tribunat, duke i dhënë instrukcione poshtë asistentit të tij të parë, Meriton Gega.

Ky i fundit në konferencën për shtyp para gazetarëve pas përfundimit të ndeshjes së parë tha se beson fuqishëm te kualifikimi në grupe, kjo pasi ekipi ynë për momentin është më i mirë, pavarësisht rezultatit nga ndeshja e parë.

KUNDËRSHTARI

Skuadra e Breidablik pësoi disfatë në ndeshjen e fundit në kampionatin elitar suedez, aty ku gjatë fundjavës që lamë pas në program ishin ndeshjet e javës së 21-të. Kundërshtari ynë në derbi ndeshjen e javës ishte mundur 5:3 nga Vikingur Reykjavik, skuadër kjo që aktualisht udhëheq renditjen në elitën e futbollit islandez me 56 pikë, 18 më shumë se Breidablik, që renditet në pozitën e tretë.

Është kjo disfata e vetme në 5 ndeshjet e fundit për Breidablik, që në ndërkohë kishte shënuar fitore ndaj nesh në Ohër, pastaj ndaj Keflavik në kampionatin suedez, aty ku edhe kishte barazuar me Akureiry, ndërsa në kuadër të Liga Europës, kishte mundur gjithashtu ekipin e Zrinjskit nga Bosnje e Hercegovina.

NDESHJA

Ndeshja midis Breidablik dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet sot me fillim në ora 18:45 në stadiumin Kópavogsvöllur dhe e njëjta do të transmetohet në ekranet e SuperSport2.