Pas një pauze të gjatë dyshja Shabani-Bojku luajnë ndeshjen e tyre të parë

Që të dy tashmë disa muaj ishin jashtë fushave të futbollit, ndërsa rikthimi i tyre do të jetë një forcë shtesë për ekipin gjatë stinorit pranveror….

Pas një pauze bukur të gjatë, dyshja Bunjamin Shabani dhe Besmir Bojku u rikthyen në fushat e futbollit për të zhvilluar një ndeshje me petkun e skuadrës së Struga Trim Lum.

Që të dy tashmë disa muaj ishin jashtë fushave të futbollit, ndërsa rikthimi i tyre do të jetë një forcë shtesë për ekipin gjatë stinorit pranveror.

Shabani dhe Bojku luajtën sot minutat e tyre të para në ndeshjen kundër hungarezëve të Debrecen (0:0).

Ata ishin pjesë e formacionit titullar me Shabanin që mbante edhe shiritin e kapitenit, ndërsa prezenca dhe mbi të gjitha paraqitja e tyre pa dyshim se ka gëzuar edhe trajnerin Qatip Osmani, por edhe gjithë ekipin.

Kujtojmë, kapiteni Shabani u dëmtua në fillim të sezonit aktual që në kuadër të xhiros së katërt në ndeshjen ndaj AP Brera.

Kapiteni ynë kishte dëmtuar klavikulën në atë ndeshje të 31 gushtit, ashtu që duheshe ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në supin e djathtë.

Tashmë kur gjithçka është në rregull, Shabani sërish është vënë në disponim të trajnerit Osmani, njëjtë sikurse edhe Besmir Bojku.

Ky i fundit skuadrës i ka munguar për plotë 10 muaj, pasi kishte pësuar një frakturë në këmbën e djathtë në ndeshjen e edicionit të kaluar në Shkup kundër Rabotniçkit.

Njëjtë sikurse, Shabani, edhe Bojku sot kundër ekipit të Debrecen luajtën për gjatë 45 minutave të para.