Ndeshje kontrolluese | Mundim Partizanin në Pogradec

Fitore minimale në takimin e dytë kontrolluese që e zhvilluam sot në tokën shqiptare, më saktësisht në Pogradec. Në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, Struga Trim Lum mundi minimalisht ekipin e Partizanit nga Tirana….

E mbyllëm me fitore minimale 1:0 ndeshjen kontrolluese kundër Partizanit të Tiranës, ndeshje kjo që u zhvillua në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec. Edhe në këtë ndeshje trajneri Qatip Osmani provoi të gjithë futbollistët që kishte në disponim, teksa në portë sërish titullarë nisi Filip Dujmoviç, ndërsa para tij në mbrojtje doli treshja Bojan Ilievski, Sava Radiç dhe Besart Krivanjeva.

Në mesfushë manovruan Stefan Jeftovski, Arbi Vosha dhe Hogan Ukpa, ndërsa njëjtë sikurse në ndeshjen paraprake kundër Tikveshit, kapiteni Bunjamin Shabani në rolin e fantazistit ndihmonte dyshen sulmuese Marjan Radeski dhe Besart Ibraimi.

Pikërisht Ibraimi ishte rreziku më i madh për mbrojtjen e Partizanit gjatë pjesës së parë, duke mos harruar këtu edhe tentativat e Shabanit dhe Radeskit, treshe kjo që megjithatë nuk arriti të gjejë rrugën e duhur drejt golit.

Kështu, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërkohë në pjesën e dytë të dy trajnerët bënë më shumë zëvendësime, duke ju besuar edhe futbollistëve të bankinës.

Kështu, goli erdhi pikërisht nga banka rezervë, me autorë Senad Jaroviç, i cili në minutën e 80-të me kokë shënoi një gol të bukur.

Jaroviç, është rikthyer në skuadrën tonë, pasi edicionin që lamë pas ishte huazuar në Kosovë te skuadra e Gjilanit.

Ndeshjen e rradhës do ta zhvillojmë në Strugë me datë 28 qershor, këtë herë ndaj skuadrës tjetër nga kryeqendra shqiptare, KF Tirana.

_______________________________________________________________________________________________________________

FORMACIONET

Partizani: Qirko, Buxhelaj, Bytyqi, Hadroj, Preka, Murataj, Rrapaj, Ismaili, Taipi, Mba, Cara

Struga Trim Lum: Dujmoviç, Ilievski, Radiç, Krivanjeva, Ukpa, Jeftovski, Vosha, Shabani, Ibraimi, Radeski