Disfatë 4:2 në ndeshjen e parë kundër Sllovan Bratisllava, ndeshje kjo e vlefshme për turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve. Edhe përkundër disavantazhit prej 2:0 gjatë 45 minutave të para, arritëm të rikthehemi në lojë, duke barazuar shifrat, mirëpo dy gola të shënuar në 5 minutat e fundit të takimit nga reprezentuesi sllovak, Jurak Kuçka na ndëshkuan rëndë…
Shpresuam, luftuam, nuk u dorëzuam, barazuam, mirëpo fundi doli të jetë fatal, kjo falë ndoshta edhe eksperiencës së madhe të Juraj Kuçka, i cili na ndëshkoi në minutat e fundit të takimit, fillimisht në minutën e 85-të, e më pas edhe në minutën e parë shtesë të takimit.
Pikërisht këto dy gola të reprezentuesit sllovak, ish futbollistit të Milanit dhe Xhenoas, bënë dallimin, pasi deri në 5 minuta para fundit të kohës së rregullt kishim një rezultat aktiv, barazim 2:2, që me siguri se do të na jepte më shumë gjasa për në ndeshjen e dytë, atë të kthimit në Ohër.
Megjithatë sido që të jetë, neve nuk do dorëzohemi, pasi ndeshja e sotme dëshmoi se mund ti bëjmë ballë denjësisht 14 herë kampionit të Sllovakisë, ndaj të cilëve në fund pësuam disfatë 4:2.
Edhe njëherë tjetër kur janë në pyetje golat, ishte Besart Ibraimi, ai i cili u përkujdes për to, duke realizuar sërish, madje këtë herë “dopietë”, duke bërë që në 3 ndeshje eliminatore të Ligës së Kampionëve, të numërojë po aq gola me fanellën e skuadrës tonë.
Pikërisht Besart Ibraimi kishte tentativën e parë në këtë takim për të shënuar, mirëpo goditja e tij nga gjuajtja e lirë përfundoi në murin e gjallë, për tu devijuar më pas topi deri te këmbët e Hogan Ukpa, i cili nuk doli të jetë i saktë, duke goditur vetëm jashtë kuadrantit.
Sllovan Bratisllava në aksionin e parë më konkret na ndëshkoi, duke realizuar gol në minutën e 16-të me anë të kapitenit Vladimir Weiss.
Këtij goli iu kundërpërgjigjëm shpejtë me gol në anën tjetër, të realizuar nga Hristijan Maleski, mirëpo ky i fundit ishte në pozitë jashtë loje, ashtu që goli u anulua.
Në minutën e 27-të, super Bunjamin Shabani avanson drejt portës kundërshtare, për të pasuuar më pas për Besart Ibraimin, goditja e të cilit u devijua në rivënie nga këndi.
Kapiteni Shabani pas kombinimit të dyfishtë me Arbi Voshën në krahun e majtë, sërish u shfaq i rrezikshëm për mbrojtjen vendase, duke shërbyer këtë rradhë Maleskin, i cili doli të jetë i shkurtër në tentativën e tij për të shënuar me kokë.
Kur realisht kishim më shumë nga loja, vendasit na ndëshkuan sërish në minutën e 36-të, kur me anë të Robert Mak, shënuan edhe golin e dytë. Në momentet e golit të shënuar, kapiteni ynë, Bunjamin Shabani ndodhej i shtrirë në fushë, mirëpo ndeshja nuk u ndërpre, ashtu që në pushim shkuam me dy gola disavantazh.
Pauza doli të jetë e mirëseardhur për skuadrën tonë dhe trajnerin Osmani, që kishte arritur të motivojë futbollistët tanë. Pjesën e dytë strategu ynë e nisi me dy ndryshime, duke lënë në bankinë mesfushorin Ukpa dhe sulmuesin Maleski, derisa në vend të tyre në lojë kishte inkuadruar mesfushorin Stefan Spirovski dhe sulmuesin Marjan Radeski.
Aktivizimi i tyre rezultoi pozitiv, pasi skuadra jonë luajti shumë më mirë, duke qenë në pjesën më të madhe të ndeshjes, një kundërshtarë i barabartë, madje në disa momente edhe më i mirë se Sllovan Bratisllava.
I pari që tentoi në këtë pjesë ishte Besart Krivanjeva, ndërsa në minutën e 54-të, Besart Ibraimi falë kombinimit të dyfishtë me Radeskin, përfitoi hapësirë për tu future brenda zonës kundërshtare, aty ku u ndal në mënyrë të palejuar, me ç’rast arbitreja e ndeshjes, tregoi në pikën e bardhë.
Përgjegjësinë e ekzekutimit të penaltisë e morri vetë Ibraimi, i cili nuk gaboi dhe vetëm pas 10 minutave lojë në pjesën e dytë, arriti që të ngushtojë epërsinë e vendasve në 2:1.
Radeski (66’) vendosi në mjaft vështirësi portierin vendas Trnovsky, i cili me gishtërinjtë e tij arriti që të devijoj topin në rivënie nga këndi, pas së cilës seriozisht u kanos edhe njëherë tjetër Ibraimi, goditja e të cilit nga mbrojtësi gjeorgjian, Kashia, u devijua në rivënie nga këndi.
Në minutën e 70-të regjistrojmë një tentativë nga ana e Stefan Spirovskit, mirëpo këtë herë në vendin e duhur ishte portieri vendas, Trnovsky.
Vetëm 4 minuta më vonë ndodhi edhe momenti më i bukur i ndeshjes. I pandalshmi Bunjamin Shabani pasi bëri një “dabëll” pas me Radeskin, tentoi të shënojë nga brendia e zonës, mirëpo topi i devijuar nga portiere vendas përfundoi në këmbët e Ibraimit, i cili nuk e kishte të vështirë të shënojë për barazim të rezultatit në 2:2.
Momente këto të paharruara për skuadrën tonë, që kishte përkrahje nga tribunat e stadiumit në Bratisllavë, aty ku për një moment tifozët vendas mbetën të shtangur.
Megjithatë minutat e fundit të takimit bënë që ata sërish të dalin në skenë, kjo falë futbollistit më të njohur në rradhët e skuadrës së tyre, Juraj Kuçka, që brenda 6 minutave shënoi dy gola (85’, 90+1’), duke i dhënë në fund fitoren 4:2 skuadrës së Sllovan Bratisllava.
Të dy golat reprezentuesi sllovak, i cili deri disa ditë më parë luajti në Euro 2024, i realizoi me kokë, duke na i mohuar një rezultat pozotiv nga ndeshja e parë në transfertë.
Edhe përkundër disfatës, shpresat ende janë gjallë, pasi lojtarët tanë sonte dëshmuan se kanë kualitet dhe se me një lojë më të organizuar në mbrojtje, mund të shpresojmë në mrrekulli.
Ndeshja e kthimit, Struga Trim Lum – Sllovan Bratisllava, në program është me datë 17 korrik në stadiumin e qytetit në Ohër, me fillim në ora 17:00.
UEFA CHAMPIONS LEAGUE | RAUNDI 1
Ndeshja e parë
Sllovan Bratisllava – Struga Trim Lum 4:2
Stadiumi: Tehelné pole – Bratisllavë
Shikues: 11259
________________________________________________________________________________________________________________
Arbiter: Frappart S. (Francë)
Kartonë të verdhë: V. Weis, K. Bajriç (Sllovan Bratisllava) – S.Jevtovski, B. Krivanjeva (Struga Trim Lum)
FORMACIONET:
Sllovan Bratisllava: M. Trnovsky, L. Pauschek, G. Kashia, K. Bajriç, K. Ëimmer, K. Savvidis, M. Toliç, J. Kuçka, R.Mak, D. Strelec, V. Weis;
Struga Trim Lum: F. Dujmoviç, S. Radiç, K. Ristevski, B. Krivanjeva, N. Vlajkoviç, A, Vosha (B. Ilievski 90’), H. Ukpa (S. Spirovski 46’), S. Jevtovski (B. Compaore 90+5’), B. Shabani, B. Ibraimi, H. Maleski (M. Radeski 46’)
TË DHËNAT STATISTIKORE:
Posedimi i topit
Sllovan Bratisllava 61% – Struga Trim Lum 39%
Gjithsej goditje
Sllovan Bratisllava 6 – Struga Trim Lum 8
Goditje brenda kuadrantit
Sllovan Bratisllava 5 – Struga Trim Lum 4
Goditje jashtë kuadrantit
Sllovan Bratisllava 0 – Struga Trim Lum 3
Goditje të bllokuara
Sllovan Bratisllava 1 – Struga Trim Lum 1
Rivënie nga këndi
Sllovan Bratisllava 8 – Struga Trim Lum 3
Pozicion jashtëloje
Sllovan Bratisllava 1 – Struga Trim Lum 2
Mbrojtje të portierëve
Sllovan Bratisllava 2 – Struga Trim Lum 1
Goditje dënimi
Sllovan Bratisllava 10 – Struga Trim Lum 8
Kartonë të verdhë
Sllovan Bratisllava 2 – Struga Trim Lum 2