Miqësorja me Tikveshin, debutojnë edhe 5 përforcimet e reja

Miqësorja me Tikveshin, ishte e para për trajnerin Qatip Osmani në krye të skuadrës tonë. Njëherit në këtë ndeshje debutimin e tyre me fanellën e skuadrës së Struga Trim Lum, bënë edhe 5 transferimet e kësaj merkatoje, Dujmoviç, Takahara, Vosha, Ilijevski dhe Jeftovski….

Dita e sotme ishte e rezervuar për miqësoren e parë të Struga Trim Lum në prag të sezonit të ri, të cilin edhe këtë herë do e fillojmë me ndeshjet europiane. Kundërshtarë kishim Tikveshin, që gjithashtu këtë vit do të prezantojë vendin tonë në Europë, më saktësisht në Ligën e Konferencës.

Njëherit ishte kjo edhe ndeshja e parë që e zhvilluam me trajnerin e ri Qatip Osmani, që vendosi të ju jap mundësinë edhe 5 blerejeve të reja.

Kështu në portë qëndroi Filip Dujmoviç, ndërsa para tij treshja mbrojtëse Bojan Ilievski, Ard Kasami dhe Besart Krivanjeva. Në qendër të mesfushës luajtën Hogan Ukpa dhe Stefan Jeftovski, derisa nga krahët manovruan Arbi Vosha dhe japonezi, Masaaki Takahara. Në sulm luajti dyshja Besart Ibraimi – Marjan Radeski, derisa pas tyre qëndronte kapiteni Bunjamin Shabani.

NDESHJA

Ndeshja doli të jetë shumë efikase, teksa e njëjta dhuroi plotë 7 gola dhe një fitore minimale 3:4 për Tikveshin. Goli i parë u shënua vetëm pas 5 minutave, kur Ediz Spahiu kaloi në avantazh skuadrën kundërshtare. Nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më pas kapiteni Bunjamin Shabani barazoi shifrat, derisa një gol tjetër për skuadrën tonë në pjesën e parë që u mbyll me shifrat 2:2, e realizoi Hogan Ukpa.

Pjesa e dytë solli ndryshime në të dyja formacionet, derisa golin e vetëm për skuadrën tonë në këtë pjesë, e realizoi Bassirou Compaore.

Në 30 minutat e fundit të takimit në lojë u inkuadrua edhe sulmuesi Senad Jaroviç, ndërkohë për shkak dëmtimeve të natyrës më të lehtë, dhe vendimit të trajnerit, Osmani, mbrojtësi Sava Radiç dhe sulmuesi Hristijan Maleski nuk u inkuadruan në lojë.

PERFORMANCA E BLERJEVE TË REJA

Edhe pse zhvilluan vetëm takimin e tyre të parë me fanellën e skuadrës tonë, mund të thuhet se të gjitha blerjet e deritanishme të kësaj merkatoje, dhanë testin, duke dëshmuar se do të jenë një forcë shtesë për skuadrën në sezonin e ri.

Të njëjtin mendim ndau edhe trajneri Osmani, i cili pret shumë nga këta futbollistë, për më tepër që të gjithë skuadrës së tij i janë bashkuar në momentin e duhur dhe se me kalimin e kohës ato do të adaptohen edhe më shumë dhe do të jenë një vlerë shtesë për ekipin.

NDESHJA E RRADHËS

Ekipi do të vazhdojë me stërvitjet intensive edhe ditëve në vijim, teksa me datë 24 (e martë) do të zhvillojmë edhe miqësoren e dytë, këtë herë në Pogradec të Shqipërisë, kundër skuadrës së Partizanit nga Tirana.