Struga Trim Lum ka regjistruar fitore 3:1 në miqësoren ndaj Ohrid Lihnidos. Golin e parë me ekipin tonë e realizoi Amir Nuhija…
Fitore 3:1 kundër Ohrid Lihnidos në takimin e sotëm miqësor, që u zhvillua në Strugë. Për të shfrytëzuar pauzën kampionale, trajneri së bashku me stafin e tij vendosën që të ruajnë ritmin garues me një ndeshje miqësore kundër ekipit fqinj nga Ohri.
Ndeshja prodhoi një futboll të bukur, 4 gola të shënuar dhe një penalti të pritur nga ana e portierit tonë, Andrej Jovçevski.
Trajneri Bledi Shkëmbi ndeshjen e filloi me Vasilev në portë, ndërsa para tij në vijën mbrojtëse qëndruan, Alban Roçi, Landrit Rama, Egzon Belica dhe Pape Fall.
Lassana Diako takimin e sotëm e nisi në rolin e mesfushorit të fundit, së bashku me Besmir Bojkun, Bunjamin Shabanin dhe Adrian Zendelin manovruan në mesfushë, ndërsa në vijën sulmuese u paraqitën Hristijan Maleski dhe Hammond Agamah.
Fillimi i ndeshjes nisi me inciativë të skuadrës tonë, ndërsa kjo dha rezultatin e duhur, duke shënuar golin e avantazhit me anë të Diako.
Pas këtij goli, mysafirët barazuan me anë të Antonio Kalanoskit, por sërish neve kaluam në epërsi, edhe atë që në pjesën e parë, falë një goli tjetër të shënuar nga ana e sulmuesit Hristijan Maleski.
Me shifrat 2:1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë trajneri Shkëmbi u vendos për disa ndryshime, që erdhën në krahë. Kështu në portë u ndal Andrej Jovçevski, ndërsa në vend të Alban Roçit në lojë në krahun e djathtë u inkuadrua Arbi Vosha, dyshja Belica-Rama vazhduan në qendër të mbrojtjes, ndërsa ndryshime pësoi i gjithë reparti i mesfushës. Në këtë pjesë aty manovruan Bleron Ramadani, Ardian Zendeli, Memetriza Hamza dhe Amir Nuhija, ndërsa sulmi mbeti i njëjti, që më pas diku ka mesi i pjesës së dytë, në lojë të inkuadrohet edhe treshja Marjan Radeski, Altin Aliu dhe Arion Ziba.
Rastin e parë më serioz në këtë pjesë e kishte skuadra e Ohrid Lihnidos, kur kishin mundësinë të barazojnë shifrat nga një penalti e akorduar, të cilën e priti portieri ynë Jovçevski.
Kjo bëri që skuadra të reagojë më mirë në vazhdim të ndeshjes, duke kontrolluar mesfushën dhe duke krijuar disa raste para portës kundërshtare, e që njëra prej tyre rezultoi me golin debutues të Amir Nuhijës me fanellën e Struga Trim Lum.
Shpresojmë të jetë ky një sinjal i mirë për vazhdimësinë e golave nga ana e futbollistit shkupjan edhe në ndeshjet kampionale.
Kujtojmë, në kuadër të xhiros së dytë do të jemi mysafir të FK Skopjes në Autokomandë të Shkupit, aty ku shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv dhe të vazhdojmë me fitore pas asaj të arritur në ndeshjes hapëse kundër Shkëndijës së Haraçinës.
Ndeshja FK Skopje – Struga Trim Lum në program është të dielën e ardhshme (9 gusht) me fillim në ora 17:00.


















