Meriton Gega i lumtur për fitoren me skuadrën e vendlindjes së tij në debutim

Meriton Gega gjatë ditës së djeshme bëri debutimin në bankinën e skuadrës tonë. I njëjti debutoi me fitore, ndërsa kjo ka gëzuar strategun strugan, që një gjë të tillë bëri me skuadrën e tij të vendlindjes. Për më tepër kjo fitore skuadrën e Struga Trim Lum mban në garë të ngushtë për titullin kampion….

Pavarësisht se lojtarët tanë, janë nën presion për të luftuar për titullin kampion, ata ende po bëjnë paraqitje të kalibrit të lartë, ndërsa këtë më së miri e dëshmuan edhe dje ndaj një skuadre shumë të mirë, si Gostivari, madje edhe me një futbollistë më pak në fushë.

Goli i Marjan Radeskit në minutën e 22-të, bëri që pasditën e djeshme, skuadra të përfundojë në mënyrën më të mirë punën e saj, para derbit të madh të javës së ardhshme kundër Shkëndijës, që mund të vendos edhe fatin e kampionatit.

Kjo fitore ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Gega, që dje kishte debutimin e tij si kryetrajner i Struga Trim Lum.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndë, ashtu edhe siç e pata thënë edhe para fillimit të ndeshjes. E nisëm mirë ndeshjen, madje në momentin më të mirë të ndeshjes neve shënuam, mirëpo kartoni i kuq i Hogan Ukpa në minutën e 36-të prishi strategjinë tonë të lojës dhe në disa momente duheshe të mbrohemi. Lojtarët ishin në nivelin e duhur, zbatuan urdhërat dhe në fund besoj se me meritë arritëm deri tek 3 pikëshi.” – deklaroi Meriton Gega, për të cilin kjo fitore ka shumë vlera, pasi e arrinë me skuadrën e vendlindjes së tij.

“Ndjenjat janë shumë të mira, kuptohet, pasi ishte kjo ndeshja ime e parë si krytrajner, për më tepër që kjo fitore vjen me skuadrën e qytetit, kjo shton edhe më shumë ndjenjat dhe kënaqësinë, e për më tepër ëë mbetemi në garë për titull.” – u shpreh Meriton Gega.