MAQEDONIA U21 | Hamza gati të kontribuojë në ndeshjet ndaj Kosovës

Memetriza Hamza është futbollisti i vetëm i ftuar nga skuadra jonë te përfaqësuesja U21 e Maqedonisë, që këtë muaj do të zhvillojë dy ndeshje kontrolluese ndaj moshatarëve të përfaqësueses së Kosovës…\

www.fcstruga.com

Memetriza Hamza me shokë janë gati për ndeshjen e parë kontrolluese ndaj përfaqësueses U21 të Kosovës, ndaj së cilës shpresat e vendit do të zhvillojnë dy ndeshje brenda 3 ditëve.

Të mërkurën e 28 majit në program është ndeshja e parë dhe e njëjta do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim në ora 19:00.

Për futbollistin tonë, Memetriza Hamza, do të jetë kjo hera e parë që do të veshë fanellën e përfaqësueses U21 të Maqedonisë, dhe kjo gjë e gëzon tej mase atë, duke shprehur falënderim edhe për trajnerët e Struga Trim Lum, që i dhanë hapësira gjatë këtij edicioni.

Hamza, i cili skuadrës tonë iu bashkua janarin e këtij viti nga rradhët e Bashkimit, në pjesën pranverore të sezonit, u paraqit në gjithsej 18 ndeshje, përfshirë këtu edhe 4 ndeshjet e Kupës.

Pikërisht paraqitjet e tij të mira, bënë që i njëjti të marrë ftesë nga seleksionuesi Goran Staniq, ndërsa të njëjtën, gjithnjë nëse i jepet mundësia, Hamza pritet ta shfrytëzojë me përpikmëri në këto dy përballje ndaj përfaqësueses shpresa të Kosovës.

Siç theksuam më lartë, ndeshjen e parë Maqedonia U21 e zhvillon nesër në Prishtinë, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet në Shkup me datë 31 maj, në Qendrën Sportive “Petar Milloshevski” pranë FFM-së, me fillim në ora 15:00.

Suksese Hamzës dhe gjithë ekipit përfaqësues në këto dy përballje…