LPFMV, Java 30 | STRUGA TRIM LUM – AP BRERA 0:1

Në një ndeshje ku dominuam thuajse për gjatë 90 minutave, na mungoi sërish goli, ndërsa në anën tjetër AP Brera në aksionin më serioz arriti që të na ndëshkojë, edhe atë dy minuta para fundit të takimit. Pas kartonit të kuq të Memetriza Hamza, takimin e sotëm e mbyllëm me 10 lojtar…

Në futboll jo gjithnjë fiton skuadra më e mirë në fushë. Një gjë e tillë vlen për ekipin tonë sot në takimin ndaj AP Brera, ku edhe përkundër dominimit të plotë, në fund pësuam disfatë minimale 1:0.

Skuadra që nga fillimi e deri në fund, dominoi kundërshtarin, madje edhe në momentet kur luajtëm me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Memetriza Hamza në minutën e 72-të. Edhe në ato momente skuadra krijoi tre raste ideale për gol, mirëpo në futboll, është një rregull i shkruar, kur nuk shënon, atëherë e pëson. Kështu ekipi u dorëzua fare në fund të takimit, edhe atë pas një aksioni individual të futbollistit kroat, Leonardo Petroviç.

NDESHJA

Pjesa e parë foli në tërësi për skuadrën tonë që krijoi 5-6 raste serioze për gol. I pari që tentoi të shënoj në rrjetën e mysafirëve, ishte Stefan Jevtoski, mirëpo goditja e tij nga jashtë zonës përfundoi drejt në duart e portierit kundërshtarë.

Në minutën e 23-të Hristijan Maleski shfaqet i rrezikshëm për herë të parë në këtë ndeshje, mirëpo goditjen e tij nga brendia e zonës, Velkovski e devijoi në rivënie nga këndi.

Në minutën e 29-të, Maleski edhe njëherë tjetër shfaqet i rrezikshëm, këtë herë shumë pranë portës, mirëpo goditja e tij nga afërsia preku vetëm pjesën e jashtme të rrjetës.

Vetëm 4 minuta më pas regjistrojmë rastin më të mirë të ndeshjes. Maleski nga e djathta nga brendia e zonës ktheu topin deri te Shabani, i cili me një gjysëmvolej vuri në mjaft vështirësi portierin mysafir, që me gishtërinjtë e tij, devijoi topin në rivënie nga këndi.

Minutat e fundit të pjesës së parë, përfshirë këtu edhe ato nga koha shtesë, sollën edhe tre raste të tjera ideale për gol, me Zendelin që provoi në minutën e 44-të, mirëpo pa arritur të shënoj golin e tij të parë me fanellën e skuadrës tonë.

Në minutën e 45-të Shabani pasoi në të majtë për Pape Fall, i cili lëshoi një bombë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo portieri i AP Brera me një super intervenim nuk lejoi gëzimin e senegalezit.

Shabani sërish ishte në qendër të vëmendjes, këtë herë duke pasuar në qendër pranë zonës kundërshtare për Maleskin, qëndrorja e të cilit përfundoi drejt në duart e portierit Dikovski.

Edhe pjesa e dytë nisi me inciativë të skuadrës tonë, teksa Shabani ishte ai i pari që u gjind në pozitë për të shënuar, mirëpo nuk reagoi mirë në zonën kundërshtare, duke lejuar që topi të përfundoj në rivënie fundore.

Shabani edhe në minutën e 64-të tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo tentativa e tij nga një pozitë gjysmëkëndi, përfundoi vetëm jashtë kuadrantit.

Në minutën e 72-të, arbitri Kaçevski i tregoi drejtëpërdrejtë kartonin e kuq Memetriza Hamza, pas startit të këtij të fundit ndaj Varsama.

Epërsia numerike tashmë ishte në anën e skuadrës mysafire, megjithatë ekipi ynë nuk u dorëzua dhe në minutën e 79-të ishim shumë pranë golit të avantazhit. Fillimisht Shabani u gjind në pozicion për të shënuar, mirëpo tentativa e tij me kokë nuk dha rezultatin e duhur, ndërsa në vazhdim të aksionit, goditjen e fuqishme të Besmir Bojkut e ndali portieri, Dikovski.

Ky i fundit u tregua i kujdesshëm edhe në akionin e rradhës të skuadrës tonë, ku sërish në qendër të vëmendjes ishte kapiteni Bunjamin Shabani, mirëpo e djathta e tij u ndal sërish.

Menjëherë pas këtij aksioni, në të cilin nuk arriti të shënoj, Shabani u zëvendësua nga Gledi Mici, ndërsa pikërisht harkimi i tij në minutën e 84-të, solli një tjetër rast për skuadrën tonë, mirëpo goditja me kokë e Bojan Ilievskit përfundoi vetëm disa centimetra mbi portë.

Thuajse në të njëjtën minutë, edhe Maleski tentoi, këtë herë me një goditje nga brendia e zonës, mirëpo Dikovski edhe njëherë tjetër ishte në vendin e duhur.

Dhe kur nuk shënon, e pëson, ndërsa një gjë e tillë na ndodhi edhe neve, kur në minutën e 88-të pranuam gol, që erdhi pas një aksioni individual të kroatit, Petroviç.

Ishte kjo disfata e dytë e këtij sezoni përballë AP Brera këtu në Strugë, derisa ndeshja e zhvilluar në Strumicë ishte mbyllur me barazim.

NDESHJA E RRADHËS

Ndeshjen e rradhës, atë të javës së 31-të do ta zhvillojmë javën e ardhshme në Tetovë, kundër Shkëndijës.

Pavarësisht kësaj disfate, Struga Trim Lum vazhdon të renditet në pozitën e tretë, me 62 pikë.

STRUGA TRIM LUM – AP BRERA 0:1

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Bllagojçe Rallevski (Jovan Kaçevski 10’)

Kartonë të verdhë: L. Diako, J. Maudo;

Kartonë të kuq: Memetriza Hamza 72

FORMACIONI:

M. Angeletti, B. Ilievski, J. Maudo, L. Diako, P. Fall (A. Vosha 61’), A. Zendeli, M. Hamza, S. Jevtoski (B. Bojku 61’), B. Shabani (G. Mici 82’), H. Maleski, M. Radeski;

Trajner: B. Shkëmbi;