LPFMV-Java 26 | Struga Trim Lum-Pelisteri, luhet të shtunën

Fundjavën që vjen në program janë ndeshjet e javës së 26-të në kampionat. Kundërshtari ynë i rradhës do të jetë Pelisteri, ndaj së cilës skuadër do të luajmë të shtunën…

www.fcstruga.com

Ndeshjen e javës së 26-të kundër Pelisterit do ta zhvillojmë të shtunën, një ditë më parë nga ndeshjet tjera të kësaj xhiroje.

Struga Trim Lum në këtë ndeshje futet pas barazimit pa gola ndaj FC Shkupit, derisa Pelisteri vjen pas disfatës nga Vardari në Manastir.

Do të jetë kjo ndeshja e 9-të e jona përballë këtij kundërshtari, ndaj të cilëve njohim vetëm një disfatë, edhe atë marsin e vitit 2021, kur  skuadra nga Manastiri me një gol të shënuar në minutën e 90-të nga Struga ishte larguar me fitore minimale 1:0.

Ndryshe në 7 takimet tjera, Struga Trim Lum numëron 5 fitore dhe 2 barazime, me një gol-averazh 12:3.

I fundit që kishte shënuar nga skuadrës së Pelisterit ishte Lanre Kehinde, që njëherit rezulton të jetë edhe golashënuesi ynë më i mirë këtë edicion, me 9 gola të shënuar.

Nigeriani Kehinde, pritet që të udhëheq sërish repartin e sulmit të skuadrës tonë, që do të kërkojë fitoren e 12-të sezonale.

ZYRTARËT E NDESHJES

Komisioni pranë garave të FFM-së, tashmë ka caktuar edhe emrat e arbitrëve që do të ndajnë drejtësinë në takimet e javës së 26-të.

Aleksandar Grujoski nga Kërçova është caktuar për të referuar ndeshjen kundër Pelisterit. Do të jetë kjo hera e tretë që do të na referojë këtë edicion, ku deri më tani kemi regjistruar një fitore dhe një barazim.

Ndryshe të shtunën, Grujoski do të na referojë gjithsej për të 20-tën herë në karrierën e tij, ndërsa do të jetë kjo vetëm hera e parë që do të ndajë drejtësinë në një ndeshje kundër Pelisterit.

Në 19 ndeshjet e deritanishme që na ka referuar, Grujoski lojtarët tanë i ka ndëshkuar me 63 kartonë të verdhë, dy herë me nga dy kartonë të verdhë dhe në dy raste direkt me kartonë të kuq.

Arbitër kryesor: Aleksandar Grujoski

Ndihmës i parë: Kushtrim Lika

Ndihmës i dytë: Davor Cvetanoski

Arbitër i katërt: Marjan Stojanovski

Delegatë i takimit: Toni Shalev

Kontrollues: Goran Spirkoski

NDESHJA

Ndeshja Struga Trim Lum-Pelisteri do të zhvillohet të shtunën me fillim në ora 15:00, në stadiumin e qytetit të Strugës, ndërsa të gjitha të hollat nga shitja e biletave do të shkojnë në arkat e Shoqatës humanitare, “Bamirësit struganë”.