Sllovan Bratisllava është kundërshtari më i rëndë nga 5 të mundshmit, thotë trajneri Qatip Osmani, i cili megjithatë beson se me një energji shumë pozitive dhe vetëbesim, mund të kalojmë këtë kundërshtarë…
Në Nion të Zvicrës gjatë ditës së sotme u hodh shorti për ndeshjet e raundit të parë të Ligës së Kampionëve. Goglat deshën që për kundërshtarë në këtë fazë të hershme të kemi skuadrën kampione të Sllovakisë, Sllovan Bratisllava, një emër ky i njohur në futbollin europian.
Shortin e sotëm e ka komentuar edhe trajneri ynë, Qatip Osmani. Sipas tij, Sllovan Bratisllava është kundërshtari më i rëndë nga 5 të mundshmit, që bënin pjesë në grupin e shkurtuar 1.
“Shorti është punë fati, megjithatë edhe pse është një kundërshtarë më i fortë se ato tjerët, me të cilët mund të luanim, neve duhet të përgatitemi sa më mirë për këto dy ndeshje, sepse vetëvetiu edhe emri, por edhe rezultatet e fundit të Sllovan Bratisllavës tregojnë se bëhet fjalë për një skuadër të nivelit lartë. Mirëpo neve nuk dorëzohemi para kohe dhe sigurisht se ne do të bëjmë çmos për të kaluar këtë raund” – u shpreh fillimisht trajneri Qatip Osmani, sipas të cilit nuk luan edhe shumë rol që ndeshjen e kthimit do ta zhvillojmë në terren vendas.
“Në futbollin e sotëm modern mund të them se nuk luan edhe shumë rol të madh terreni vendas, pasi skuadrat edhe në transfertë po luajnë si në shtëpi. Nuk është si më parë që ndeshja e dytë të jep përpraësi si nikoqir. Ashtu që neve duhet të futemi me një energji shumë pozitive dhe vetëbesim, me qëllim që nga ndeshja e parë në Bratisllavë të rikthehemi me një rezultat pozitiv.” – deklaroi Osmani, i cili shprehet i kënaqur nga anagazhimi i futbollistëve në seancat stërvitore, të cilat për momentin skuadra po i zhvillon në Strugë.
Ndryshe në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës ekipi ynë u përfaqësua nga Drejtori Sportiv, Besart Isaku dhe Sekretari i përgjithshëm, Miftar Shaqiri.