Struga Trim Lum kualifikohet për në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë. Në ndeshjen e zhvilluar sot në Strugë përballë Makedonija Gj.P, shënuam fitore 2:0, falë golave të shënuar nga Flamur Tairi dhe Lanre Kehinde…
Disfata e hidhur në fundjavë kundër Sileksit në kampionat, kishte shtyrë trajnerin Qatip Osmani, që sot në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës në fushë të zbret me shumë ndryshime në formacion, edhe atë duke filluar që nga porta, e deri tek sulmi.
Këto ndryshime, dhanë edhe rezultatin e duhur, pasi sot pamë një skuadër shumë më kërkuese, kur është në pyetje goli, ndërsa si rezultat shënuam dy herë në fitoren 2:0 ndaj Makedonija GJ.P.
Këtë fitore e paralajmëruam që në start, kur vetëm pas dy minutave lojë përmes Maleskit tentuam golin. Takahara, i cili sot luajti titullarë, në dy raste rrezikoi portën mysafire, mirëpo në të parën ishte portieri kundërshtarë që priti goditjen e tij, ndërsa në rastin e dytë, në minutën e 22-të, goditja e tij për disa centimetra pranë golit, u devijua në rivënie nga këndi.
Pas dy riëvenieve të njëpasnjëshme në minutën e ardhshme, Kehinde tentoi të shënojë me kokë, mirëpo topi përfundoi drejt në duart e portierit mysafir.
Ishin këto momentet më të mira të skuadrës tonë, që vijoi me presionin para portës kundërshtare, e ku si pasojë erdhi edhe goli i shënuar në minutën e 24-të nga kapiteni Flamur Tairi, që gjithashtu sot luajti titullarë.
Tairi shënoi një gol të bukur me një goditje precize nga distanca, pasi pranoi një top nga Shaban Zenku, i cili në pamundësi për të gjetur hapësirën e duhur për të goditur drejt portës kundërshtare, ktheu topin deri tek kapiteni ynë, i cili në ato momente na rikujtoi në ditët e tij më të mira, duke gjetur golin e parë sezonal.
Mirëpo këtu nuk u ndalën sulmet e futbollistëve tanë në drejtim të portës kundërshtare. I rradhës që rrezikoi dukshëm, ishte Shaban Zenku, mirëpo intervenimi i shkëlqyer i portierit mysafir nuk lejon gëzimin e tij.
Kapiteni Flamur Tairi doli në skenë edhe në minutën e 29-të, kur lëshoi një predhë të vërtetë nga distanca, mirëpo që në mënyrë bravuroze u ndal nga portieri mysafir, i cili në ato momente luajti rolin e heroit për skuadrën e tij, kjo pasi me shumë zguarsi ndali edhe tentativën tjetër të Compaore, që nuk arriti dot të përfitojë nga topi i devijuar tek këmbët e tij.
Aksioni i rradhës që erdhi vetëm një minutë më vonë, morri edhe duartrokitjet e publikut, kur pas shumë pasimeve të njëpasnjëshme, nigerianit Hogan Ukpa, iu mundësua që të godas fuqishëm në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo goditja e tij nuk ishte e saktë.
Ukpa tentoi edhe pak para fundit të pjesës së parë, mirëpo i njëjti në ato momente shkaktoi edhe ndërhyrje të palejuar ndaj portierit mysafir, që gjatë 45 minutave të para ishte pa dyshim figura qendrore te skuadra e Makedonija GJ.P.
Ashtu si e filluam pjesën e parë, e nisëm edhe të dytën, me presion dhe raste shënimi, teksa i pari që tentoi në këtë pjesë, ishte Kehinde, goditja e të cilit përfundoi vetëm mbi portë.
Një gjë të tillë bëri edhe Hogan Ukpa në minutën e 47-të, kur pas goditjes së lirë të ekzekutuar nga Flamur Tairi, topin e devijuar e goditi fuqishëm me të majtën e tij, mirëpo duke mos qëlluar cakun e duhur.
Pasoi një periudhë e lojës kur skuadra dominonte mesfushën, dhe me pasime të shkurtëra neutralizonte kundërshtarin, që rastet drejt portës sonë i kërkonte përmes kundërzbritjeve ose goditjeve të lira.
Pikërisht një ekzekutim i bukur i Stoilov në minutën e 57-të mund të na ndëshkonte, mirëpo në ato momente traverza ishte aleate e portierit tonë, Stevkovski.
Në minutën e 62-të të pranishmit në stadium regjistruan edhe njëherë tjetër një lojë të bukur nga ana e lojtarëve tanë me shumë pasime të sakta dhe të njëpasnjëshme në një hapësirë të ngushtë, mirëpo që tentativa e Zenkut për të gjetur në zonë ndonjërin prej lojtarëve tanë, ishte lexuar mjaft mirë nga portieri mysafir, që kishte intervenuar me sukses.
Në minutën e 70-të, Zenku sërish bukur vepron nga krahu i djathtë duke kërkuar në shtyllën e dytë Kehinde, i cili nuk arrin të godas topin me kokë nga afërsia, teksa në vazhdim të aksionit Maleski rrezikon seriozisht portierin kundërshtarë, që reagon mjaft mirë dhe nuk lejon të mposhtet edhe për herë të dytë në këtë ndeshje.
Vetëm dy minuta më pas Kehinde vendosi në vështirësi mbrojtjen mysafire, mirëpo pa arritur që të godas, teksa topi përfundon në këmbët e Zenkut, goditja e të cilit devijohet në rivënie nga këndi.
Disa momente pas inkuadrimit në lojë, Suhel Muharremi mjaft mirë kombinoi me Hogan Ukpa, që goditi nga distanca, mirëpo pa sukses.
Ukpa goditjen e tij e provoi edhe në minutën e fundit të kohës shtesë, nga gjithsej 4 minuta sa kishte treguar arbitri kryesor, e që këtë herë doli të jetë me fat, pasi njëri prej futbollistëve kundërshtarë në tentativë për të bllokuar goditjen e tij kishte luajtur me dorë, duke shkaktuar penalti.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar të njëjtën, e morri Lanre Kehinde, i cili nuk gaboi dhe fare në fund vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, Struga Trim Lum 2, Makedonija GJ.P 0.
Fitorja e sotme besojmë do të ndikojë pozitivisht tek futbollistët, para të cilëve në fundjavë është ndeshja derbi me Shkëndijën në Tetovë, e vlefshme për javën e 11-të në kuadër të Ligës së Parë.
________________________________________________________________________________________________________________
KUPA E MAQEDONISË – 1/8 E FINALES
STRUGA TRIM LUM – MAKEDONIJA GJ.P 2:0
Autorë të golave: F. Tairi 24’, L. Kehinde 90+4’
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 700
Arbitër kryesor: Marjan Stojanovski
FORMACIONET:
STRUGA TRIM LUM: H. Stevkosvki, B. Ilievski, A. Kasami, S. Spirovski, F. Tairi, H. Ukpa, M. Takahara (B. Kamberi 75’), Sh. Zenku (S. Muharremi 84’), H. Maleski, B. Compaore (K. Ristevski 90+), L. Kehinde;
Trajner: Qatip OSMANI
MAKEDONIJA GJ.P: A. Efremov, Xh. Abdullah, M. Cikarski, M. Stankovski, K. Velkoski, M. Naumoski, J. Popzlatanov, F. Stojçevski, R.Temelkov, H. Veceski, Gj. Stoilov;
Trajner: Boban Grnçarov