KUPA E MAQEDONISË, RAPORTI I NDESHJES | SLLOGA V. – STRUGA TRIM LUM 1:6

Struga Trim Lum me plotë meritë është kualifikuar për në raundin e 1/8-ve të finales së Kupës së Maqedonisë, pasi sot në transfertën në Vinicë, mundi ekipin e Slloga të këtij qyteti me rezultatin 6:1. Dy gola në këtë ndeshje realizoi japonezi Masaki Takahara, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Compaore, Tairi, Kamberi dhe Radeski…

Me këmbë të mbarë kemi nisur garat në kuadër të Kupës së Maqedonisë, aty ku sot ndeshjen e 1/16 së finales, e eliminuam skuadrën e Slloga Vinicës. Në një ndeshje, ku kishim dominim të plotë, skuadra jonë në fund të takimit regjistroi fitore 6:1, ndërsa pozitën e titullarit në maksimum e shfrytëzoi japonezi, Massaki Takahara, që realizoi dy gola, nga një në secilën pjesë.

Ndryshe serinë e golave e hapi sulmuesi Bassirou Comapore në minutën e 23-të, kur doli të jetë i saktë para portierit vendas Misovski. Ky i fundit kapituloi edhe në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Masaki Takahara shënoi golin e tij të parë në këtë ndeshje.

Japonezi doli në skenë edhe në fillimin e pjesës së dytë, kur vetëm pas 4 minutave të kaluara në këtë pjesë ngriti epërsinë e Struga Trim Lum në 3:0.

Golin e parë në sezonin e ri e realizoi edhe Flamur Tairi, që në minutën e 69-të nuk fali, duke i hapur rrugë edhe golit debutues të Bekim Kamberit, që në minutën e 73-të shënoi për 5:0.

Pas kësaj “manite” në rrjetën e kundërshtarit, në një moment skuadra lëshoi terren, ndërsa këtë e shfrytëzuan vendasit, që me anë të Ristov shënuan golin e vetëm dhe të nderit.

Golin e fundit në këtë takim e realizoi Marjan Radeski, sulmuesi ynë kryesor i edicionit të kaluar. Për autorin e 15 golave sezonin e kaluar, ishte ky goli i parë në sezonin e ri, e që besojmë të jetë një pikë ndryshimi për ndeshjet në vijim, ku presim shumë më shumë nga ky sulmues me mjaft përvojë në Ligën e Parë, aty ku numëron gjithsej 308 ndeshje dhe 81 gola të shënuar.

Në fundjavë na pret një ndeshje tepër e vështirë, ajo kundër FC Shkupit, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 6-të në Ligën e Parë, aty ku pas 5 xhirove të para renditemi në pozitën e tretë me 10 pikë, vetëm një pikë më pak se dy skuadrat kryesuese, Shkëndija, gjegjësisht Rabotniçki.