Kupa e Maqedonisë | Kualifikohemi në gjysmëfinale

Struga Trim Lum për herë të katërt në 5 edicionet e fundit do të luaj në një ndeshje gjysmëfinale të Kupës…

www.fcstruga.com

Fitorja minimale 1:0 ndaj Gostivarit na siguroi një vend për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës. Kështu për  herë të katërt në 5 vitet e fundit do të luajmë në këtë fazë garash, me shpresë se në fund do të shkruajmë edhe historinë në kuadër të këtij kompeticioni.

Sot përballë Gostivarit golin e vetëm e realizoi sulmuesi Lanre Kehinde. Nigeriani shënoi në minutën e tretë të pjesës së dytë, falë një gabimi të portierit kundërshtarë, ndërsa ky gol u tregua i mjaftueshëm që neve të sigurojmë një vend në mesin e 4 skuadrave më të mira.

NDESHJA

Ndeshja doli të jetë e vështirë përballë një kundërshtari të vështirë, siç është Gostivari, megjithatë djelmoshat tanë që nga fillimi ishin të vendosur për të kaluar tutje në kuadër të kësaj gare, e që në fund edhe i’a arritën qëllimit.

Në këtë ndeshje skuadrën e udhëhoqi Meriton Gega, duke zënë vendin e Qatip Osmanit, që ditë më parë vendosi të jap dorëheqje nga posti i trajnerit.

Rastin e parë më konkret, kur ishim shumë pranë avantazhit e regjistrojmë në minutën e 26, kur pas një kundërsulmi, Lanre Kehinde pasoi për bashkëpatriotin e tij nigerian Hogan Ukpa brenda zonës, mirëpo goditjen e këtij të fundit portieri mysafir e devijoi në rivënie nga këndi.

Marjan Radeski ishte futbollisti i rradhës që tentoi të shënojë, mirëpo i njëjti ishte mbuluar mjaft mirë nga portieri kundërshtarë, që nuk lejoi të mposhtet.

Portieri i Gostivarit, Bujar Abazi mjaft mirë intervenoi edhe në minutën e 38-të, kur ndali goditjen e Zenkut, i cili mjaft mirë ishte asistuar nga Jevtoski në brendësinë e zonës kundërshtare.

Gjithë këto raste të pashfrytëzuara gjatë 45 minutave të para, bënë që skuadra të reflektojë shumë shpejtë në pjesën e dytë, kur vetëm pas 3 minutave lojë, arritëm që të shënojmë golin e epërsisë. Pape Fall nga e majta harkoi brenda zonës kundërshtare, aty ku fillimisht dobët reagoi mbrojtja, e më pas edhe portieri Abazi, që lëshoi topin nga duart e tij, ndërsa një dhuratë të tillë nuk lëshoi Kehinde, që shënoi për 1:0.

Gostivari tentoi të rikthehet, mirëpo pa sukses, teksa skuadra jonë edhe në këtë pjesë të dytë kishte rastet më të mira për gol.

Në minutën e 63-të, Ilievski me një harkim nga e djathta, gjeti në zonë sulmuesin Marjan Radeski, që me kokë goditi jashtë portës.

Pape Fall shumë pak mungonte që të shënonte golin debutues me fanellën e Struga Trim Lum, kur me të majtën e tij provoi nga krahu i majtë i zonës së rreptësisë, mirëpo që topi për disa centimetra përfundoi vetëm jashtë kuadratit.

Maleski që u inkuadrua në lojë gjatë pjesës së dytë, në minutën e 78-të morri gjitha duartrokitjet e të pranishmëve në stadium, pasi fillimisht i njëjti përfitoi një duel me futbollistin kundërshtarë, Zeni Husmani, dhe më pas me të djathtën e tij provoi nga distanca, teksa topi morri një trajektore të jashtëzakonshme, që mund të përfundonte edhe në rrjetën e Abazit.

Maleski kishte mundësinë e artë edhe në minutat shtesë të takimit, edhe atë vetëm disa sekonda pasi portieri Stevkovski na shpëtoi nga goli, pas atij intrvenimi bravuroz, pas goditjes së Marko Simonovskit.

Sulmuesi ynë në minutën e 92-të doli i vetmuar para portierit Abazi, mirëpo edhe pse ky i fundit humbi ekuilibrin, në fund i’a doli të dalë fitues dhe të mos lejojë gëzimin e Maleskit.

Në fund portë e pastërt për “bardhekuqtë” tanë, që në këtë mënyrë marrin një fitore të madhe dhe për herë të katërt do të luajnë në një gjysmëfinale të Kupës.

Kupa e Maqedonisë, ¼ e finales:

STRUGA TRIM LUM – GOSTIVARI 1:0

Golashënues: L. Kehinde 48’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Stojan Trpçevski

FORMACIONET:

STRUGA TRIM LUM: H. Stevkovski, S. Radiç, A. Kasami, B. Krivanjeva, P. Fall, H. Ukpa, B. Bojku, S. Jevtoski, Sh. Zenku, M. Radeski, L. Kehinde;

Trajner: Meriton GEGA;

GOSTIVARI: B. Abazi, D. Glishiç, E. Mbende, M. Hamziç, N. Dirar, K. Çeshmexhiev, A. Oguzhan, R. Ajdini, A. Potuk, A. Diatta, L. Erwin;

Trajner: M. Nobre;