Struga Trim Lum ka barazuar pa gola në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Zhalgiris në Lituani. Edhe pse në këtë ndeshje u futëm si debutues, loja në fushën e blertë bëri që neve të jemi të paktën të barabartë përballë një kundërshtari si Zhalgiris, 10 herë kampion i Lituanisë, por njëkohësisht edhe pjesëmarrës edicionin e kaluar në grupet e Ligës së Konferencës.
I kënaqur me interpretimin në këtë ndeshje doli të jetë edhe trajneri Shpëtim Duro, i cili fillimisht në Konferencën për shtyp tha: “Takimi i parë i skuadrës tonë në Champions League rezultoi pozitiv, edhe për sa i përket rezultatit por njëkohësisht edhe mënyrës së interpretimit të lojës. Jam shumë i kënaqur me skuadrën”.
Edhe përkundër barazimit, Duro nuk ndryshon mendje dhe thotë se fituesi i përgjithshëm do të vendoset vetëm në ndeshjen e dytë në Ohër, kur do të zhvillohen edhe 90 minuta të tjera, duke mos përjashtuar këtu ndoshta edhe vazhdimet, apo edhe penaltitë.
“Çdo gjë në këto takime, ku luhen pra dy takime, kam thënë se çdo gjë përfundon vetëm pas 180 minutave, por patjetër se sot do të duhet ta përgëzoj skuadrën për këtë rezultat dhe për këtë lojë që zhvilluam. Neve në fund barazuam, mirëpo kishim disa mundësi edhe për ta fituar ndeshjen, por e rëndësishme është se skuadra interpretoi jashtëzakonisht mirë ato detyra, ato interpretime, ato që kishim punuar gjatë gjithë kohës, duke studiuar këtë kundërshtarë. Ju e patë që kundërshtari nuk pati ndonjë rrezikshmëri, me përjashtim të një momenti, sa filloi ndeshja një goditje me kokë, ndërsa neve kemi pasur rastet më të pastërta për shënim” – deklaroi Shpëtim Duro, i cili nuk deshi të komentojë për ndeshjen e dytë, edhe përkundër insistimit të gazetarëve lituanez.
“Nuk dua të mendoj tani për ndeshjen e dytë, pasi vetëm sa kemi përfunduar ndeshjen e parë, kemi kohë gjatë javës për të menduar për ndeshjen e dytë, megjithatë unë e them se çdo gjë është e hapur, duke pasur parasysh se është sistem me dy takime” – përfundoi Duro.
Ndeshja e kthimit kundër Zhalgiris në program është me datë 18 korrik me fillim në ora 17:00 në stadiumin e qytetit në Ohër.