Kapiteni Shabani flet për fitoren ndaj Makedonija GJ.P dhe ndeshjen e ardhshme kundër AP Brera

Bunjamin Shabani e ka nisur me këmbë të mbarë stinorin pranveror, teksa i njëjti ka realizuar 2 gola në 4 ndeshjet e para. Kapiteni ynë, pasi kishte shënuar ndaj FC Shkupit, realzioi edhe në ndeshjen e fundit kundër Makedonija Gj.P, ndaj së cilës skuadër në fund shënuam fitore me rezultatin 2:1…

Pas tre barazimeve të njëpasnjëshme, të dielën skuadra reflektoi pozitivisht, duke regjistruar fitoren e parë pranverore dhe gjithsej të 14-tën këtë edicion. Fitore 2:1 kundër Makedonija GJ.P, falë golave të shënuar nga Marjan Radeski dhe Bunjamin Shabani.

Për kapitenin tonë ishte ky goli i dytë sezonal, që të dy të realizuar gjatë këtij gjysmësezoni, në të cilin skuadra jonë ka regjistruar 3 barazime dhe 1 fitore.

Pikërisht kjo fitore e fundit ndaj skuadrës së Makedonija GJ.P, na mundësoi që të rikthehemi në krye të tabelës së klasifikimit.

“Ndeshje shumë e vështirë në aspektin psikologjik, pasi vinim pas 3 barazimeve të njëpasnjëshme. Edhe pse krijuam shumë raste dhe kishim dominim të plotë edhe në ato përballje, fatkeqësisht në fund nuk arrinim të merrnim pikët e plota.” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani, që ka mbetur i kënaqur nga goli i shënuar së fundmi, por edhe fitoren e skuadrës ndaj Makedonija GJ.P.

“Kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për ne. Që nga fillimi u futëm për fitore, ndërsa golat e shënuar në fazën e hershme, na e lehtësuan punën edhe më shumë” – thotë Shabani, i cili të dielën regjistroi ndeshjen e tij të 260-të jubilare në Ligën e Parë dhe të 120-tën me fanellën e skuadrës tonë.

Goli i fundit kundër Makedonija GJ.P, ishte i 18-ti me skuadrën tonë për Shabanin, i cili mbi të gjitha ka mbetur i kënaqur që në fund ishte Struga Trim Lum që triumfoi kundër skuadrës shkupjane.

“Pa dyshim se është një ndjenjë shumë e bukur kur shënon, pasi në atë mënyrë ndihmon skuadrën. Mirëpo realisht them se më shumë më gëzoi fitorja, e cila ishte shumë e rëndësishme për ne, pas atyre 3 barazimeve, ashtu që shpresoj të vazhdojë me këtë tempo dhe me golat e mi të ndihmojë ekipin drejt fitoreve të reja.” – deklaroi Shabani.

Fitorja ndaj Makedonija GJ.P, ishte e 14-ta sezonale për Struga Trim Lum, që na bënë skuadrën me më shumë fitore pas 22 xhirove. Në xhiron e rradhës, luajmë sërish në terren vendas, këtë herë ndaj AP Brera, ndaj së cilës skuadër do të kërkojmë fitoren e parë këtë edicion, pas dy disfatave.

“AP Brera, sidomos me ndeshjet dhe rezultatet e arritura në ndeshjet e pranverës, po dëshmon se posedon një skuadër cilësore dhe se secila skkuadër do ta ketë të vështirë përballë tyre. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe neve si skuadër, mirëpo realisht besoj se kemi potencial dhe forcë për të reflektuar pozitivisht edhe në këtë ndeshje. Shpresoj të jemi në nivelin e duhur edhe ndaj tyre, pasi nëse secili prej nesh kryen me përpikmëri udhëzimet e stafit teknik, atëherë besoj fuqishëm tek fitorja e parë nga gjithsej 11 finalet që do ti zhvillojmë deri në fund të kampionatit, e që nuk fshehim dëshirën për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar” – përfundoi Bunjamin Shabani, i cili kundër AP Brera të dielën do të zhvillojë ndeshjen e tij të 14-të dhe gjithsej të 11-tën me fanellën e Struga Trim Lum.