Skuadra jonë e nisi me këmbë të mbarë sezonin futbollistik në elitën e futbollit vendor. Në ndeshjen, që ndryshe mund të quhet edhe ndeshja e SuperKupës, mundëm fituesin e Kupës, Tikveshin me rezultatin minimal 1:0. Golin e vetëm e realizoi rezervisti, Bassirou Compaore…
Struga Trim Lum në ndeshjen e parë të sezonit të ri 2024-25 në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, mirëpriti Tikveshin. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Strugë u mbyll me fitore minimale 1:0 të skuadrës tonë, derisa golin e vetëm e realizoi rezervisti Bassirou Compaore një minutë para fundit të takimit.
Kësisoj djemtë tanë sezonin e ri e nisën me këmbë të mbarë, duke arkëtuar tre pikëshin e parë nën drejtimin e trajnerit Qatip Osmani, që sot debutoi në ndeshjet zyrtare të Ligës së Parë.
Struga Trim Lum e nisi pjesën e parë me lojën e zakonshme, duke ushtruar presion intensiv në pjesën e kundërshtarit, që sot në Strugë kishte udhëtuar me të vetmin qëllim që të mbrohej dhe të mos pranonte gol.
Në saje të një loje të tillë, futbollistët tanë e kishin të vështirë të krijonin raste konkrete para portës së Tasev, i cili në minutën e 28-të pati shumë fat pas goditjes së Jevtovskit nga gjuajtja e lirë.
Duke u përpjekur për të gjetur boshllëqe duke e rrotulluar topin rreth mbrojtjes së stacionuar të Tikveshit, neve tentuam edhe disa herë për të gjetur rrugën e duhur të golit, mirëpo pa sukses.
Në anën tjetër kundërshtari nuk pati asnjë gjuajtje të saktë drejt portës tonë, aty ku sërish titullarë ishte Filip Dujmoviç.
Pas barazimit pa gola në pjesën e parë, trajneri Qatip Osmani, në fillimin e pjesës së dytë vendosi të bëjë dy ndryshime. Në vend të Stefan Spirovskit dhe Arbi Voshës, në lojë inkuadroi nigerianin, Hogan Ukpa dhe japonezin, Masaki Takahara.
Ky i fundit nga krahu i majtë në disa raste përfitonte duartrokitjet e publikut falë lëvizjeve të tij të mençura, ndërsa edhe kjo pjesë sikurse pjesa e parë, edhe pse foli totalisht për skuadrën tonë, nuk është se prodhoi raste të pastërta për gol.
Goditjet nga distanca, por edhe nga brendia e zonës nuk munguan, mirëpo për fat të keq mungonte finalizimi.
Mirëpo fare në fund të takimit fati buzëqeshi për luanët tanë, kur pas një aksioni të gjatë që kishte nisur me ekzekutimin e rivënies nga këndi, topi mes shumë këmbëve arriti deri tek rezervisti Bassirou Compaore, i cili me të djathtën e tij shënoi një super gol, që në fund na siguroi tre pikët e mëdha në ndeshjen e parë të sezonit të ri.
Ndeshjen e rradhës e zhvillojmë kundër Besës së Dobërdollit, sërish në shtëpi.
LIGA E PARË FUTBOLLISTIKE E MAQEDONISË
SEZONI 2024/25
Stadiumi i Qytetit, Strugë
Shikues: 1500
Java 1
Struga Trim Lum – Tikveshi 1:0
Autorë i golit: Bassirou Compaore
Arbitër Kryesor: D. Pileshkov,
Ndihmës: Kristijan Xhonov, Dejan Dimitrijeviq
Kartonë të verdhë: S. Radiç, B. Krivanjeva (Struga Trim Lum) – Vitao, A. Varelovski, G. Gjorgjiev, M. Manevski
FORMACIONET:
Struga Trim Lum: F. Dujmoviç, B.Ilievski, S. Radiç. B. Krivanjeva, S. Jevtovski (B. Compaore 78’), S. Spirovski (H. Ukpa 46’), M. Zenku (B. Kamberi 69’), A. Vosha (M. Takahara 46’), B. Shabani ©, M. Radeski, L. Kehinde
Tikveshi: S. Tasev, A. Cubara, L. Guerra, M. Manevski, B. Spirkoski, O. Stoimenovski, M. Stojanov, M. Todorov, K. Stojkoski, A. Varelovski ©, Vitao