Suksesi europian, kampionati, gara për titull në sezonin e ri, dyshja sulmuese Ibraimi-Radeski, pengjet, Kombëtarja shqiptare si dhe ndeshja e fundit ndaj Tikveshit, ishin disa nga elementet që prekëm në intervistën e zgjeruar me trajnerin Shpëtim Duro….
Trajneri Shpëtim Duro në një intervistë më të zgjeruar të dhënë për faqen zyrtare të klubit të Struga Trim Lum ka folur për suksesin më të madh historik në garat europiane, ndeshjen e fundit kundër Tikveshit, por edhe shumë gjëra tjera, që kanë të bëjnë me klubin tonë, që realisht gjatë kësaj vere morri shumë vëmendje si në opinionin vendor sportive, ashtu edhe më gjërë.
Skuadra e Struga Trim Lum në paraqitjen e dytë në garat europiane që nga themelimi në vitin 2015-të arriti deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, që pa dyshim se është një sukses i jashtëzakonshëm për një skuadër shumë të re dhe modeste.
FITORJA NDAJ TIKVESHIT…
“Sigurisht që duhet përgëzuar gjithë ekipin, nuk e kam besuar që skuadra mund të reagojë në atë formë, ashtu siç reagoi në ndeshjen kundër Tikveshit, duke pasur parasysh ngarkesën e jashtëzakonshme të lojës, të udhëtimit, ku vetëm një ditë para kishim arritur në Strugë dhe zhvillimi i ndeshjes sigurisht që nuk ishte normal, por skuadra ishte e angazhuar dhe nxorri shumë më shumë nga vetëvetja dhe në fund regjistruam një fitore jashtëzakonisht pozitive”.
DYSHJA IBRAIMI – RADESKI…
“Sigurisht që kam njohje të vjetra profesionale si me Ibrahimin, ashtu edhe me Radeskin, që në kohën kur ishim te Shkëndija bashkë, dhe personalisht nuk jam i surprizuar nga kjo dyshe, por patjetër të them se funksionimi i kësaj dyshe është fantastik në të gjitha parametrat. Por, mos të harrojmë se edhe mbrapa kemi futbollistë po aq të rëndësishëm si Radeski e Besart Ibraimi, siç janë Bunjamin Shabani, Mentor Mazrekaj e Besmir Bojku, pra flas gjithmonë për pjesën ofenzive.”
VERA EUROPIANE…
“Ka qenë një verë e gjatë, por e jashtëzakonshme, nuk e kishim parashikuar që do të shkojmë kaq gjatë dhe në këtë rast dua të falënerojë skuadrën në rradhë të parë, për atë që kanë treguar për gjatë gjithë verës, pra është një sezon që do të kujtohet gjatë, kurorëzimi me titullin kampion, i shoqëruar edhe me arritjen në fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës. Është një sukses që në kohë mbrapa do ta kujtojmë atë çfarë ka bërë kjo skuadër pa traditë, një skuadër e re dhe ta risim në këto nivele, për mua është një arritje e jashtëzakonshme. Dua ta falënderojë skuadrën për këtë angazhim dhe seriozitet.”
RIKTHIMI NË KAMPIONAT…
“Sigurisht kemi përfunduar këtë aventurë të suksesshme, tashmë do të jemi të përqëndruar te kampionati. Kemi humbur atë ndeshje të çuditshme me AP Brera dhe në këtë rast dua të them diçka, jemi kthyer nga Luksemburgu, pas një udhëtimi të gjatë me mendimin se ndeshja me AP Brera nuk do të zhvillohej ditën e hënë, sepse ngarkesa e ndeshjes, udhëtimi i gjatë, jemi kthyer ditën e shtunë nuk ka qenë vendim i arsyeshëm i FFM-së, këta të fundit nuk e kanë parë të arsyeshme për ta shtyrë ndeshjen, duke pasur parasysh se vetëm pas dy ditëve kishim ndeshje shumë të rëndësishme në Ohër dhe ishte Struga Trim Lum që përfaqësonte Maqedoninë e Veriut dhe ishte në prag të grupeve dhe Federata duhej të ishte më e logjikshme dhe më e arsyeshme për të mirë të saj, për të mirë të Struga Trim Lum dhe për të mirë të futbollit të Maqedonisë, atë ndeshje duhej ta shtynte, ajo ndikoi jashtëzakonisht keq, pasi skuadra ishte e çakorduar, një pjesë e lojtarëve nuk luajtën, pra shumë faktorë që ndikuan në ndeshjen e ditës së enjte që na priste.”
RRUGËTIMI EUROPIAN…
“Struga Trim Lum me titullin kampion dhe me arritjen deri në fazën ‘play-off’, ka çuditur gjithë opinionin, jo vetëm brenda Maqedonisë, por edhe jashtë. Një skuadër e re, pa traditë, të arrijë këto rezultate dhe me një organikë të limituar, duke pasur parasysh që kemi përballuar 8 ndeshje të Europës pothuajse me një formacion, është diçka e pabesueshme. Të gjitha ndeshjet po ti analiazosh, edhe me tregues teknik, neve ndaj gjithë kundërshtarëve kemi qenë superior, duke filluar që nga ndeshjet me Zhalgiris, dy ndeshje me Buduçnostin, me Hesperange, ka qenë vetëm pjesa e dytë që ne nuk kemi qenë inferior, për arsye të menaxhimit të rezultatit, por edhe inferioritetit numerik. Ishim të detyruar që në pjesën e dytë të luanim në atë formë. Dy ndeshjet me islandezët e Breidablik, kanë qenë gabime momentale, por kemi dominuar në ndeshjen e parë dhe ndeshjen e dytë e kemi filluar malore, që në momentet e para, ashtu që në fushën e lojës mund të them se kemi qenë më të mirë se gjithë kundërshtarët, kështu që arritjet janë logjike dhe nuk janë rastësore, sepse menduam se u shpall rastësisht kampion Struga Trim Lum, por vlerat e kësaj skuadre u treguan qartë edhe në përfaqësimin e të vetmes skuadër të Maqedonisë së Veriut në futbollin europian.”
PENG…
“Peng më kanë mbetur dy gjëra. Pengu më i madh më ka ngelur vendimi jo i arsyeshëm i FFM-së, për të mos na e shtyrë ndeshjen me AP Brera Strumica, para një ndeshje shumë të rëndësishme dhe pengu i dytë është mungesa e Radeskit në dy ndeshjet më të rëndësishme tonat me islandezët. Nëse do ishte në lojë me atë formë që kishte Radeski me Ibraimin, isha i bindur se do ta kishim zgjidhur situatën që në ndeshjen e parë në Ohër, pra këto janë dy pengjet, ndeshja që u zhvillua para islandezëve, totalisht jashtë logjikës dhe mungesa e Radeskit në të dyja ndeshjet kundër islandezëve të Breidablik”.
GARA PËR TITULLIN KAMPION…
“Për kampionat është ende herët të diskutohet, por jam i mendimit që Shkëndija, FC Shkupi dhe Struga Trim Lum, janë më të avantazhuar në garën për titullin kampion dhe ndeshjet europiane.”
PAUZA…
“Kjo pauzë patjetër se është e mirëseardhur për ne si skuadër. Kemi 3 muaj pa pushim, me një organikë të limituar që i kemi përballuar ndeshjet e Europës. Të zhvillosh për 40-50 ditë 8 ndeshje europiane dhe dy të kampionatit, për mua me përvojën që kam, afër 30 vjet trajnim, më duket diçka e pabesueshme si e ka përballuar kjo skuadër, dhe ajo që është më e rëndësishme, duke mos patur asnjë dëmtim. Mund të them se kjo pauzë është në momentin e duhur për ne”.
KOMBËTARJA SHQIPTARE, NDESHJET E NËNTORIT…
“Kombëtarja….sigurisht që dëshira ime është që të shkojmë në Europian, kam qenë vetë pjesë e stafit teknik të ekipit kombëtarë, edhe të ekipit A kombëtar, edhe gjithë ekipieve zinxhir të ekipieve kombëtare, kam punuar 8 vite në këtë pozicion dhe dëshira ime si dhe e gjithë shqiptarëve është që të kualifikohemi. Realisht mund të them që favorit janë Çekia dhe Polonia, duke iu referuar ekpseriencës dhe traditës që kanë këto dy kombëtare në raport me Shqipërinë. Por unë kam besim te skuadra jonë, është një skuadër shumë e fortë në këto momente, kemi lojtarë, kemi një konkurrencë të jashtëzakonshme në të gjitha repartet e skuadrës, si në mbrojtje, mesfushë, por edhe në sulm. Por ajo që dua të veçojë, janë gjithë këto futbollistë që nëpër skuadrat e tyre janë protagonist, po luajnë shkëlqyeshëm me skuadrat e tyre, si asnjëherë tjetër futbollistët shqiptarë janë deçiziv nëpër skuadrat e tyre, kështu që edhe këtu është vështirësia e përzgjedhjes tani nga trajneri, por kam besim, kam besim që për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për të arritur një rezultat pozitiv në Çeki, pastaj të shikojmë ndeshjen e dytë me Poloninë.”