Intervistë me kapitenin Bunjamin Shabani

Përgatitjet dimërore, përfshirë këtu edhe ato kryesoret në Antalia të Turqisë, stinori pranveror si dhe ndeshja e parë kundër Rabotniçkit. Ishin këto pyetjet kryesore për kapitenin tonë Bunjamin Shabani, i cili beson te skuadra që kemi, kjo falë edhe përgatitjeve cilësore…

Të dielën edhe zyrtarisht nis stinori pranveror në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. Skuadra jonë do të udhëtoj drejt Shkupit për tu përballur me Rabotniçkin, një skuadër kjo shumë e papërshtatshme, që në merkato ka bërë një punë të mirë, duke përforcuar rradhët e veta.

Megjithatë edhe neve kemi bërë llogaritë për këtë ndeshje, për të cilën do të na flet kapiteni, Bunjamin Shabani.

Rabotniçki…

“Ndeshjet me Rabotniçkin gjithnjë kanë qenë të këndshme për ne si skuadër, pasi thuajse në 90% prej tyre kemi dalë fitues. Duke u nisur nga ky fakt, shpresojmë që kjo traditë, apo këto rezultate pozitive të vazhdojnë edhe pas këtij takimi”.

Stinori pranveror….

“Në pyetje janë plotë 15 ndeshje, apo zbërthyer në pikë, plotë 45 pikë. Neve do të luajmë që në fund të nxjerrim sa më shumë pikë. Fillimi i çdo kampionati, apo stinori është shumë i rëndësishëm, ashtu që fillimisht besoj të marrim atë që duam në ndeshjen e parë, që më pas të shkojmë nga ndeshja në ndeshje”

Sa është i përgatitur ekipi…

“Besoj se kemi bërë përgatitje të mira, që do na shërbejnë gjatë gjithë stinorit. Siç theksova edhe më lartë, në pyetje janë shumë ndeshje, ashtu që duhet të jemi të kujdesshëm. Ti marrim me shumë qetësi të gjitha ndeshjet, të jemi vetvetja, të luftojmë ashtu siç na ka hije dhe në fund ta mbyllim aty ku edhe jemi aktualisht”.

Faza përgatitore në Antalia…

“Në Antalia kishim kushte perfekte. Nuk na mungonte asgjë dhe kjo ishte e rëndësishme për tu përgatitur maksimalisht. Besoj se një gjë të tillë e kemi shfrytëzuar në maksimum, dhe se frytet do ti vjelim gjatë gjithë pranverës”.

Ndeshjet kontrolluese….

“Kishim tre ndeshje, në të cilat mund të them lirisht se rezultati ishte në plan të dytë. Më e rëndësishme ishte të miret ngarkesa e duhur, të provonim më shumë skema, më shumë futbollistë, që do ta shërbejnë tani në ndeshjet kampionale. Pavarësisht rezultateve, mendoj se kemi bërë ndeshje shumë të mira ndaj kundershtarëve të fortë dhe mendoj se rezultatet nuk ishin reale me atë çfarë treguam në fushë”.

Titulli kampion…

“Jemi kampion të vitit të kaluar, gjithashtu edhe kampion vjeshte. Mendoj që ekipi ka kualitet dhe forcë për të përsëritur ato rezultate, edhe pse realisht do na duhet shumë punë, shumë përkushtim, angazhim maksimal, nëse do donim të arrijmë objektivin”.

Rivalët për titull…

“Edhe FC Shkupi, edhe KF Shkëndija kanë skuadra shumë cilësorë, ndaj dhe mendoj se me këto skuadra deri në fund do të luftojmë për titullin e kampionit. Besoj se do të jetë një garë shumë interesante mes kësaj treshe, e ku shpresoj që në fund të jemi neve ata që do të përsërisim suksesin e vitit të kaluar”.