Të shtunën në Kavadar përballë Tikveshit, do të zhvillojmë ndeshjen e fundit të sezonit 2024/25, të cilin do e mbyllim në pozitën e katërt…
Ndeshja e fundit e sezonit 2024/25 kundër Tikveshit në Kavadar, do të jetë si gjeneralja e fundit para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, ndeshjes finale të Kupës kundër Vardarit, që në program do të jetë me datë 21 maj.
Si një skuadër kampione, në të dyja ndeshjet do të qasemi me shumë seriozitet dhe vetëbesim, për ta rrumbullaksuar edhe një sezon tjetër të suksesshëm, pas dy titujve kampion.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, shkojmë në Kavadar për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të fituar atë, pasi një fitore në këtë ndeshje do të ngriste moralin dhe vetëbesimin edhe më shumë tek ekipi në prag të ndeshjes finale të Kupës që do ta zhvillojmë me datë 21 maj” – u shpreh fillimisht mesfushori ynë Flamur Tairi.
Ai foli në përgjithësi edhe për sezonin aktual, që mbyll siparin pikërisht nesër.

“Mund të them se ka qenë një sezon me plotë emocione të bbukur dhe sfida të vështira. Këtë edicion u futëm si kampion, por në fund nuk i’a arritëm qëllimit për të përsëritur suksesin e dy viteve të kaluara, për tu shpallur kampion edhe njëheërë tjetër. Mirëpo pavarësisht kësaj, unë do ta përkufizojë si një sezon mjaft të suksesshëm, pasi jemi në finalen e madhe të Kupës dhe kemi gjasa reale për të sjellë trofeun në Strugë, një trofe ky që i mungon qytetit tonë të bukur” – shprehet Flamur Tairi, i cili thotë se është një sukses i madh që brenda tre viteve, Struga Trim Lum do të luaj për të dytën herë në një finale të Kupës.
“Kualifikimi në finalen e madhe të Kupës, edhe atë për herë të dytë brenda tre viteve, pa dyshim se është një sukses i madh për ekipin e Struga Trim Lum. Herën e parë nuk kishim fat, pasi humbëm finalen përmes ruletit të penaltive, megjithatë besoj se këtë herë rradha është që trofeun ta fitojmë dhe për herë të parë në historinë e futbollit ta sjellim në Strugë” – deklaroi Flamur Tairi, i cili foli gjithashtu edhe për ndeshjen finale kundër Vardarit, që në program do të jetë mesjavën e ardhshme.
“Ekipi Vardarit ka treguar ndeshje të mira këtë edicion, si në kampionat ashtu edhe në ndeshjet e Kupës. Megjithatë besoj fuqishëm në kualitetet e skuadrës tonë, këtu nuk kam dyshime fare, ndërsa një gjë të tillë do të dëshmojmë edhe në vetë ndeshjen finale. Ky trofe mungon në vitrinat tona si klub, por më mungon edhe mua personalisht. Për mua do të jetë kjo finalja e tretë, ndaj shpresoj të jetë e treta e vërteta dhe ta ngrejë lartë edhe këtë kupë, që do ishte vërtetë një dhuratë tjetër e bukur gjatë karrierës time futbollistike” – përfundoi Flamur Tairi.