Trajneri Bledi Shkëmbi për të dytin vit me rradhë do të udhëheq Struga Trim Lum. Ai edicionin e kaluar e udhëhoqi skuadrën në gjithsej 35 ndeshje, duke dalë në fund me një bilanc pozitiv…
Pikërisht bilanci pozitiv nga edicioni i kaluar, mirëpo edhe projekti që nisëm bashkë që vitin e kaluar, bënë që Struga Trim Lum dhe Bledi Shkëmbi të jenë bashkë edhe në sezonin 2026/27.
Për dallim nga viti i kaluar, formati i kampionatit të sivjetshëm ka pësuar ndryshime. Në vend të 12 skuadrave, këtë vit në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, do të garojnë vetëm 10 skuadra, që don të thotë se do kemi nga 4 ndeshje me secilën skuadër.
Kjo nënkupton se do të kemi edhe më shumë ndeshje derbi, ndërsa sezoni do ta nisim me ndeshjen në shtëpi përballë debutuesve të Shkëndijës së Haraçinës.
Një kundërshtarë jo shumë i njohur për skuadrën tonë dhe trajnerin Bledi Shkëmbi.
INTERVISTA
1. Të shtunën na pret ndeshja e parë e sezonit të ri. Luajmë ndaj një skuadre debutuese. Sa keni arritur të grumbulloni informacione, që do ishin në dobi për të nisur kampionatin mbarë?
“Është e vështirë kur luan ndaj një skuadre që nuk e njeh shumë mirë. Megjithatë neve jemi munduar që të marrin informacionet e duhura për kundërshtarin, mirëpo ajo që është më e rëndësishme, është gjendja jonë, pavarësisht kundërshtarit.“
2.Thonë çdo fillim i mbarë është një sjnjal i mirë për vazhdimin e kampionatit. Mendoni se kemi skuadër më të mirë se kundërshtari dhe se me ndihmën e tifozëve do shfrytëzojmë terrenin vendas?
“Patjetër të fitosh ndeshjen e parë është shumë e rëndësishme, si për pikët, gjithashtu edhe për moralin e skuadrës. Shpresoj shumë që djemtë tanë të jenë në një ditë të mirë dhe të bëjnë maksimumin për të fituar ndeshjen. Uroj të kemi edhe mbështetjen e tifozëve për të na ndihmuar në performancën tonë”.

3. Këtë vit gjithë fazën përgatitore e zhvilluam në Strugë. Sa jeni i kënaqur me angazhimin e futbollistëve?
“Jam shumë i kënaqur me futbollistët. Mendoj që kemi bërë një fazë përgatitore të mirë që do të na shërbejë shumë për në kampionat.”
4. Në skuadër ka edhe disa fytyra të reja. Sa jeni i kënaqur personalisht nga ata, duke pasur parasysh se të njëjtit kanë luajtur edhe në disa prej ndeshjeve miqësore?
“Kemi bërë disa ndryshime në skuadër, pra ka edhe fytyra të reja. Patjetër që atyre ju duhet kohë të përshtaten me mënyrën tonë të punës por edhe mënyrën tonë të të luajturit. Kemi shumë lojtarë të rinj në moshë dhe patjetër që kjo gjë ka pak rrezik, por jam i bindur se të gjithë do të kenë përmirësim. Mendoj që na duhet edhe ndonjë lojtar shtesë për të mbushur grupin në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi e dime se kampionati është i gjatë dhe i fortë.”

5. Miqësoret…Si do i përshkruanit ata. Përveç një disfatë në ndeshjen e parë, kur skuadra nuk kishte ende atë ritmin garues të lojës, pasuan tre ndeshje tjera pa asnjë disfatë. Sa jeni i kënaqur realisht nga ato ndeshje dhe ajo që treguan futbollistët në fushë?
“Jam i kënaqur nga ndeshjet miqësore. Të them të drejtën për ne nuk ka qenë shumë i rëndësishëm rezultati, pasi jemi munduar të shikojmë me vëmendje lojtarët e rinj. Ndeshja e fundit me Skënderbeun ishte një provë e fortë dhe ne e kaluam me sukses. Jo sepse fituam, por sepse bëmë një lojë që neve e kemi punuar gjatë gjithë kohës se si do të luajmë dhe si do të paraqitemi në kampionat.”
6. Sezoni i ri do të luhet me 10 skuadra, mirëpo edhe me 3 ndeshje më shumë. Gjithsej 36 ndeshje, apo nga 4 me secilin kundërshtarë. Një koment për sistemin e ri garues dhe atë që na pret neve si skuadër?
“Për mendimin tim ky ndryshim i garës me kushtet që ka futbolli i Maqedonisë është në rregull.”
7. Objektivat e Struga Trim Lum në sezonin e ri dhe nëse jeni i kënaqur nga transferimet e reja?
“Objektivat e Struga Trim Lum janë dalja në Europë. Vitin e kaluar u renditëm në pozitën e tretë, mirëpo për fat të keq nuk arritëm të luajmë në Europë! Këtë vit duhet ta bëjmë patjetër. Sa u përket transferimeve, për këtë gjë kemi folur edhe me Drejtorin e klubit, ashtu që presim ende afrime të tjera, pasi grupi për mua akoma nuk është i plotë.”
8. I kënaqur me atë që kanë treguar të njëjtit gjatë seancave, apo edhe gjatë ndeshjeve?
“Me lojtarët që janë baza kryesore e skuadrës, jam i kënaqur si në stervitje, ashtu edhe në ndeshjet miqësore. Për pjesën tjetër, transferimet e reja, ju duhet edhe pak kohë.”
9. Jemi më të fortë këtë edicion se ai i kaluari si skuadër?
“Një pyetje e vështirë, por mendoj se nëqoftëse do të kemi ndonjë afrim tjetër brenda kësaj periudhe, patjetër që dhe këtë vit do të kemi një skuadër shumë të fortë.”


















