INTERVISTË | Ard Kasami flet para ndeshjes gjysmëfinale kundër Shkëndijës

Struga Trim Lum – Shkëndija nesër në stadiumin e qytetit në Strugë do të presin biletën për në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë…

www.fcstruga.com

Trofeu i Kupës së Maqedonisë, është një trofe që na mungon neve si skuadër, edhe pse realisht ishim pranë për të fituar në vitin 2023. Tashmë pas dy viteve sërish jemi në garë për të luajtur dhe për të diskutuar këtë trofe, gjithnjë nëse nesër arrijmë të kalojmë pengesën e quajtur, Shkëndija.

Pra, përballë do të kemi liderin aktual të kampionatit, ndaj së cilës skuadër në ndeshjen e parë gjysmëfinale regjistruam fitore 2:1.

Pikërisht ajo fitore në Tetovë, na bënë të shpresojmë shumë për të kaluar në finalen e madhe.

“Fitorja në ndeshjen e parë në Tetovë, pa dyshim se na jep shumë optimizëm për ndeshjen e kthimit, që do ta zhvillojmë nesër para tifozëve tanë. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, duke e ditur edhe rëndësinë dhe peshën që ka për ne si skuadër. Atmosfera është shumë pozitive, ndaj të gjithë lojtarët besojmë edhe te një fitore tjetër dhe kualifikim në finalen e madhe” – u shpreh Ard Kasami, i cili dëshiron që tradita e rezultateve pozitive ndaj Shkëndijës të vazhdojë edhe pas kësaj ndeshje.

“Ndaj Shkëndijës gjithnjë kemi zhvilluar ndeshje të mira, ndërsa më së miri për këtë flasin edhe të dhënat statistikore. Shpresoj që kjo traditë të vazhdojë edhe më tej, përfshirë pra edhe ndeshjen e nesërme” – deklaroi Kasami, dëshira e të cilit është që trofeu i Kupës këtë vit të vie në Strugë.

“Besojmë shumë se Kupa këtë vit do të vie në Strugë, ndërsa në këtë mënyrë neve do të nderonim pronarët e klubit për gjithë atë sakrificë që kanë bërë dhe që po bëjnë për neve si lojtar, por edhe për gjithë klubin, ndërsa gjithashtu se do të nderonim edhe gjithë struganët dhe këtë qytet të bukur të Strugës, që tashmë dy vitet e fundit, përveç epitetit si qytet turistik, ka marrë edhe epitetin e qytetit të kampionit. Shpresojmë që edhe këtë vit të festojmë këtu bashkë në Strugë – përfundoi deklaratën Ard Kasami, i cili po kalon sezonin e tij të 7-të me fanellën e Struga Trim Lum.